Tensionet e fundit në veri të Kosovës i kanë dominuar diskutimet për Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të premten më 15 tetor.
Kosova tha se aksioni i fundit në veri ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar, ndërsa Serbia akuzoi për sulm ndaj serbëve lokalë.
Si gjithmonë në mbledhjet për Kosovën të Këshillit të Sigurimit që mbahen çdo gjashtë muaj, edhe kësaj here vendet perëndimore në njëren anë dhe Rusia e Kina në anën tjetër paraqiten qëndrime krejtësisht të kundërta për situatën në Kosovës, mirëpo që të gjitha bënë thirrje që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun.
Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin i tha Këshillit të Sigurimit se ka pasur mungesë komunikimi nga ana e Prishtinës për aksionin në veri për të zbatuar vendimin e reciprocitetit për targa në fund të muajit shtator.
Sipas tij, komunitetit ndërkombëtar dhe KFOR-it si mekanizëm për ruajtjen e paqes, nuk iu kishte dhënë njoftim paraprak për aksionin e policisë.
“Kam ngritur zërin kundër veprimeve të njëanshme dhe që të mirren hapa të menjëhershëm në uljen e tensioneve dhe përfshirjen në dialog”, tha Tanin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cila po i zhvillon punimet të premten (15 tetor) për të shqyrtuar raportin gjashtë mujor të shefit të UNMIK-ut.
Tanin foli edhe për aksionin e dy ditëve më herët për luftimin e kontrabandës së mallrave për të cilin tha se ende është pikëpyetje nëse KFOR-i ishte i paralajmëruar për këtë aksion.
Aksioni, sipas tij provokoi sërish trazira në atë pjesë të Kosovës.
Në bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai tha se ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Osmani: Qëllimi i dialogut, njohja reciproke e jo statusi i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shteti i saj është i angazhuar me dialogun me Serbinë dhe, Kosova, sipas saj është avokuese e paqes.
“Kosova ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në tavolinën (e bisedimeve), por gjithashtu të angazhohet në mënyrë aktive në dialog ku qëllimi përfundimtar është njohja reciproke. E çka nuk është qëllimi është që ky dialog do të shpëtojë karrierën personale të asnjë politikani në Serbi që është i përfshirë në proces. Ky proces nuk ka të bëjë me shpikjen e aventurave të rrezikshme që i takojnë shekullit të 19-të. Nuk është dhe nuk do të jetë, siç do të donin homologët tanë (Serbia) për statusin e Kosovës, që është zgjidhur një herë e përgjithmonë më 2008”, tha ajo.
Ajo kërkoi që Serbia të inkurajohet që të shkojë në bisedime “me mendje të hapur” dhe me ide që, sipas Osmanit, do të lëviznin përpara dialogun.
Presidentja Osmani tha se Serbia duhet “ta kuptojë se realiteti i Kosovës së pavarur nuk do të ndryshojë”.
“Dialogu është në mes të dy palëve të barabarta, që duhet të trajtohen kështu. Por, më e rëndësishmja, ky dialog ka të bëjë me përfituesit, që janë qytetarët e të dy shteteve, për të ndërtuar një jetë më të mirë dhe prosperitet dhe një të ardhme më të sigurt për ta”, tha ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, foli edhe për aksionin kundër kontrabandës dhe theksoi se lufta kundër krimit të organizuar është e panegociueshme dhe se aksioni i fundit në veri të Kosovës ka qenë i përbërë nga zyrtarë të zbatimit të ligjit nga komuniteti shqiptar dhe serbë.
“Lufta kundër këtij krimi është shumetnike, policë serbe e shqiptarë, prokurorë shqiptarë e serbë po e luftojnë së bashku krimit”, tha Osmani në Këshillin e Sigurimit.
Ajo citoi deklaratën e KFOR-it në të cilën thuhej se policia ka autoritet të plotë për të marrë aksione kundër krimit të organizuar dhe për ta bërë këtë nuk kanë nevojë për leje. Gjithashtu përmendi edhe deklarimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe që e kanë përkrahur Kosovës në përpjekjet kundër krimit të organizuar.
SHBA: Dialogu, platforma më e mirë për të zgjidhur çështjet e hapura
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit tha se dialogu mbetet platforma më e mirë për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të normalizuar marrëdhëniet, përmes arritjes së një marrëveshjeje mbi njohjen reciproke.
“Ne e dimë që UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol kyç në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. Shtensionimi i situatës përmes një mbështetjeje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta bëjnë rolin e tyre më mirë. Ngjarjet e fundit edhe njëherë tregojnë se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të vazhdojmë drejt përmbylljes së misionit të tij. Ky këshill ka përgjegjësinë që ta vendosë vëmendjen dhe burimet e tij në zonat dhe çështjet ku ka më së shumti nevojë”, tha ai.
SHBA-ja po ashtu shprehu keqardhjen që thirrjet e mëparshme ndaj Këshillit të Sigurimit për të rishikuar këtë mision nuk janë dëgjuar.
Përfaqësuesi i SHBA-së tha se Uashingtoni mirëpret marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën për targat dhe tha se kjo marrëveshje është hap përpara për të dyja palët dhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu u bëri thirrje dy shteteve që të vazhdojnë të punojnë që të gjejnë zgjidhje për çështjet e tjera të hapura.
“Kjo marrëveshje është dëshmi që kur liderët angazhohen hapur dhe në mënyrë serioze ata mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për të gjithë qytetarët e tyre. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të punojnë mbi këtë përparim, duke e zbatuar këtë marrëveshje, duke zbatuar marrëveshjet e mëparshme, duke u përmbajtur nga provokimet dhe të zotohen sërish që të gjejnë zgjidhje në çështje të tjera, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.
Ai shtoi se SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar që të ruhet stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Marre me shkurtime nga REL