Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori vendim të martën për të ndaluar importet e naftës, gazit dhe thëngjillit rus, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Ai ka thënë se ky veprim nënkupton që “populli amerikan do të përballë me një tjetër goditje” udhëheqësinë e Putinit.
“Ne nuk do të subvencionojmë luftën e Putinit”, ka shtuar Biden, duke iu referuar presidentit rus.
Biden ka thënë se vendimi për të ndaluar importet e naftës është marrë “në konsultime të ngushta” me aleatët.
Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan ka thënë se pret rritje të çmimeve pas marrjes së këtij vendimi, mirëpo u ka bërë thirrje kompanive të naftës të mos përfshihen në rritje “të mëdha” të çmimeve.
“Do të ketë kosto edhe këtu në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Biden, mirëpo, sipas tij, ky është çmimi që duhet paguar “për të mbrojtur lirinë”.
Biden ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin “duket i vendosur për të vazhduar rrugën e tij vrastare, pavarësisht kostos”.
Megjithatë, Biden ka thënë se Ukraina “nuk do të jetë kurrë fitore për Putinin”.
Përkundër frikës për rritje të çmimeve të gazit, vendimi i tij është mbështetur paraprakisht nga politikanët tjerë në SHBA.
Megjithatë, ai pritet të mbetet i njëanshëm, i papasuar nga aleatët evropianë, të cilët janë shumë më të varur nga gazi dhe nafta ruse.
Rusia paralajmëroi më herët se mund të mbyllë tubacionin e saj kryesor të gazit në Gjermani, nëse Perëndimi ndalon naftën ruse.
BE-ja merr rreth 40% të gazit dhe 30% të naftës së saj nga Rusia dhe nuk ka zëvendësues të lehtë të tyre, nëse furnizimet ndërpriten.
Për krahasim, rreth 8 për qind e importeve amerikane të naftës janë nga Rusia.
SHBA-ja nuk importon gaz natyror nga ky vend.
Moska është eksportuesja e tretë më e madhe e naftës dhe çdo vendim për sanksione pritet ta dëmtojë ekonominë e saj.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.