Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka shpallur këtë javë grupin paramilitar rus, Wagner si organizatë kriminale transnacionale. Ky vendim u mor si pjesë e përpjekjeve për t’i goditur këta mercenarë, përgjegjës për shumë krime mizore në Ukrainë.
Mijëra mercenarë të Wagner besohet të jenë në terren në Ukrainë dhe SHBA-ja ka vendosur t’i sanksionojë anëtarët e këtij grupi me në krye Yevgeniy Prigozhinin.
“Shtetet e Bashkuara po sanksionojnë individë dhe entitete të lidhura me grupin paraushtarak të Rusisë Wagner dhe kreun e tij, Yevgeniy Prigozhin – duke përfshirë infrastrukturën kryesore dhe kompanitë e saj të frontit, operacionet e saj në fushën e betejës në Ukrainë, prodhuesit e armëve ruse dhe ata që administrojnë zonat e pushtuara të Ukrainës nga Rusia. Ky veprim mbështet qëllimin tonë për ta degraduar kapacitetin e Moskës për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës, për të nxitur përgjegjësinë për ata që janë përgjegjës për luftën e agresionit të Rusisë dhe abuzimet e lidhura me to, dhe për të bërë presion të mëtejshëm mbi sektorin e mbrojtjes së Rusisë”, u tha në një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.