Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen një sulm ajror, i pari nën presidencën e Joe Biden, kundër një strukture që lidhet me militantët pro- iranianë në Siri, pas tre sulmeve me raketa kundër forcave amerikane në Irak.
“Me urdhër të presidentit Biden, forcat ushtarake amerikane kryen sulme ajrore kundër infrastrukturave të përdorura nga grupe militantësh iranianë në lindje të Sirisë,” thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Pentagonit.
Bombardimi i urdhëruar nga presidenti, synonte dëmtimin e aftësive të militantëve për të kryer sulme të tjera në të ardhmen. Sipas vëzhguesve sirianë për të drejtat e njeriut, në këtë sulm ajror janë vrarë 17 luftëtarë iranianë.
Bombardimet ajrore kanë shkatërruar disa struktura që ishin vendosur në një pikë kontrolli në kufi dhe përdoreshin nga një grup militantësh të mbështetur nga Irani.
Sipas zëdhënësit të Pentagonit ky veprim ushtarak u shoqërua dhe me masa diplomatike, përfshirë konsultimet me partnerët e koalicionit. Ai theksoi se sulmi përçon një mesazh të qartë: presidenti Biden do të reagojë për të mbrojtur personelin amerikan dhe të koalicionit.
Sulmet kundër forcave amerikane në Irak nisën në 15 shkurt dhe vijuan dhe ditët e fundit. Autorë të tyre janë militantë të mbështetur nga Irani, dhe shkaku dyshohet të jetë rifillimi i negociatave për programin bërthamor mes Iranit, Europës dhe Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Vendimi për të bombarduar Sirinë dhe jo Irakun i jep qeverisë së Bagdadit pak frymëmarrje teksa po kryejnë hetime për sulmet ku mbetën të plagosur ushtarë amerikanë.