President Donald Trump vizitoi të hënën Monumentin e Martin Luther Kingut në Uashington, në ditën e shënuar për nder të ditëlindjes së udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile në vitet ’60. Kjo është një ditë feste dhe pushimi në Shtetet e Bashkuara.
Zoti Trump, së bashku me Nënpresidentin Mike Pence, vendosën një kurorë tek memoriali i Martin Luther Kingut.
Trump nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për mbylljen e qeverisë, por thjesht tha se ishte një ditë shumë e bukur.
Mbyllja e qeverisë thuajse rrezikoi anulimin e shërbimit përkujtimor për doktor Kingun në një kishë në Atlanta të Xhorxhas, që njihet si “banesa shpirtërore e zotit King”.
Kisha Baptiste Ebenezer është pjesë e Parkut Kombëtar Historik të Martin Luther King Jr.-it dhe është mbyllur për shkak të mbylljes së qeverisë amerikane. Shërbesa vjetore nuk dihej në se do të bëhej, deri në momentin kur kompania Delta Air Lines, që i ka zyrat kryesore në Atlanta, i dha një grant Shërbimit Kombëtar të Parqeve, me qëllim që ta rihapte qendrën.
Vajza e zotit King, e përndershmja Bernice King, tha gjatë shërbesës të hënën për nder të zotit King, se Uashingtoni është në gjendje krize.
Po të hënën, disa nga kandidatët e pritshëm demokratë për zgjedhjet presidenciale, morën pjesë në ceremoni të ndryshme për nder të udhëheqësit të të drejtave civile.
Ish Nënpresidenti Joe Biden, i cili ka thënë se po shqyrton mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale, por që nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën, ishte i pranishëm në një mëngjes ceremonial në Uashington, për të nderuar jetën e zotit King, që u drejtua nga i përndershmi Al Sharpton in Washington.
Senatorja e Kalifornisë Kamala Harris e shfrytëzoi festën për të njofuar fillimin e fushatës së saj presidenciale, në përpjekje për t’u bërë presidentja e parë amerikane me ngjyrë.
Çdo vit, të hënën e tretë të janarit, amerikanët nderojnë udhëheqësin e vrarë të të drejtave civile, i cili organizoi në vitet ’50 dhe ’60 protesta pa dhunë kundër segregacionit, luftës për barazi dhe për të drejtën e votës për zezakët.
Shumë amerikanë e kalojnë ditën e festës duke kujtuar përpjekjet e palodhura të zotit King për t’i dhënë fund racizimit, duke marrë pjesë në projekte të shërbimit të komunitetit. Në vitin 1994, Kongresi i SHBA nderoi shpirtin e shërbimit në komunitet, duke e përcaktuar festën e Doktor Kingut si Dita Kombëtare e Shërbimit për Komunitetin./VOA