Mbështetësit e presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, hynë të mërkurën në ndërtesën e Kongresit, derisa ligjvënësit ishin mbledhur për të konfirmuar fitoren e presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
Senati shkoi në pauzë, ndërsa disa anëtarë të Kongresit u evakuuan në zyrat e tyre.
Një grua raportohet se është qëlluar. CNN, duke cituar dy burime, tha se gruaja u qëllua në gjoks dhe se po trajtohet brenda ndërtesës së Kongresit.
Transmetuesi publik PBS gjithashtu raportoi për të shtëna me armë, ndërsa Washington Post citoi dy burime të kenë thënë se dikush është qëlluar.
Nënpresidenti Mike Pence, i cili po mbikëqyrte sesionin e përbashkët të Kongresit, u pa duke u larguar nga sigurimi.
Një zëdhënës i Pentagonit tha se është mobilizuar Garda Kombëtare për t’iu ofruar mbështetje zyrtarëve federalë të zbatimit të ligjit.
Presidenti i zgjedhur, Biden, u bëri thirrje turmave që të tërhiqen, ndërsa protestat i cilësoi si “moment i errët” për demokracinë amerikane.
Ai po ashtu i bëri thirrje presidentit Trump që të paraqitet në televizionin kombëtar dhe të kërkojë që t’i jepet fund “rrethimit” të Kongresit.
“Demokracia jonë është nën një sulm të paparë … Ky nuk është mospajtim, është rebelim, është kaos”.
Policia në derën e përparme të sallës kryesore të seancave rrinte në gatishmëri me armë në duar, ndërkohë që disa persona përpiqeshin të hynin brenda.
Oficerët e policisë urdhëruan njerëzit në sallë të shtriheshin në dysheme për sigurinë e tyre.
Skenat kaotike erdhën pasi Presidenti Trump iu drejtua mijëra mbështetësve pranë Shtëpisë së Bardhë, duke përsëritur pretendimet e tij të pabazuara se zgjedhjet e 3 nëntorit u vodhën me manipulime në shkallë të gjerë. Zyrtarët zgjedhorë të të dyja partive dhe vëzhguesit e pavarur kanë thënë se nuk ka patur mashtrime për t’u shënuar në zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat zoti Joe Biden i fitoi me më shumë se 7 milion vota popullore.
Presidenti Trump, në një koment në Twitter, u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë.
Më parë, gjatë një tubimi, ai u bëri thirrje atyre të marshonin drejt Kapitolit.
Senatorët republikanë Tom Cotton dhe Ron Johnson, mbështetës të Presidentit Trump, e quajtën dhunën në Kapitol të papranueshme dhe u bënë thirrje protestuesve të shpërndahen.
Kryetarja e Bashkisë së Uashingtonit ka shpallur gjendjen e ndalim-qarkullimit duke filluar nga ora 18:00 e së mërkurës deri në orën 6 të mëngjesit.
Më herët të mërkurën, mijëra mbështetës të Presidentit Trump, duke përfshirë disa anëtarë të grupeve të dhunshme të ekstremit të djathtë, organizuan në kryeqytet demonstrata, ndërsa mbështesnin pretendimin e pabazë të presidentit se zgjedhjet u ishin vjedhur me anë të një komploti të sofistikuar.
Shumë prej tyre mbanin kapele dhe flamuj me parrullën e zotit Trump “Ta bëjmë Amerikës përsëri të Madhe”.
Presidenti foli para mijëra mbështetësve të mbledhur pranë Shtëpisë së Bardhë në lëndinën e quajtur Elipsi.
“Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”. “Ne kurrë nuk do të pranojmë. Kjo nuk mund të ndodhë. Nuk mund të pranosh humbjen kur është fjala për vjedhje,” tha ai.
Duke iu referuar nënpresidentit Mike Pence që kryeson seancën në Kongres, Presidenti Trump tha:
“Shpresoj që Mike të bëjë gjënë e duhur. Kështu shpresoj. Kështu shpresoj, sepse nëse Mike Pence bën gjënë e duhur, ne do të fitojmë zgjedhjet. Kjo është gjithçka që ai duhet të bëjë… Ne duhet të mbrojmë vendin tonë, të mbështesim vendin tonë, të mbështesim kushtetutën tonë dhe ta mbrojmë kushtetutën tonë. Shtetet duan të përsëritet votimi, shtetet u vodhën. Iu dha informacion fals. Ata votuan bazuar mbi këtë dhe tani duan të përsëritet çertifikimi”.
Një nga djemtë e presidentit, Donald Trump Jr., dhe avokati i tij personal, Rudy Giuliani, gjithashtu folën në tubim.
Një natë më parë disa protestues u përplasën me policinë. Policia arrestoi këtë javë drejtuesin e organizatës Djemtë Krenarë, një grup që ka mbështetur presidentin Trump. Arrestimi u bë nën akuzat për shkatërrim pasurie në lidhje me një protestë të mëparshme dhe për posedim municioni.
Biden, thirrje Presidentit Trump të mbrojë Kushtetutën. Trump protestuesve: Kthehuni në shtëpi!
Presidenti i zgjedhur Joe Biden i ka bërë thirrje presidentit në ikje Donald Trump që të dalë në televizor dhe të dënojë dhunën e ushtruar nga mbështetësit e tij.
“Fjalët e një presidenti janë me peshë, sado i keq apo i mirë qoftë ky i fundit. Në rastin më të mirë, fjalët e një presidenti mund të sjellin frymëzim, ndërsa në rastin më të keq ato mund të nxisin dhunë. Ndaj, i bëj thirrje presidentit Trump që të dalë në shfaqet në televizionin kombëtar dhe të përmbushë betimin e tij në mbrojtje të Kushtetutës dhe të kërkojë që të marrë fund uzurpimi”, tha Biden teksa i drejtohej qytetarëve amerikanë.
Reagon Trump
Ndërkohë, Presidenti Trump postoi një video në Twitter, ku u bëri thirrje protestuesve me fjalët: “Tani duhet të shkoni në shtëpi, duhet të kemi paqe. Na duhet të kemi ligj dhe rend”.
Megjithatë, ai përsëriti në video pretendimin e tij të pabazuar se zgjedhjet u vodhën dhe se ato ishin të manipuluara.
“Nuk duhet të bëjmë lojën e tyre, na duhet paqe,” tha ai në videon e regjistruar në Shtëpinë e Bardhë.