Shqipëria feston sot 109 vjetorin nga shpallja e Pavarësisë. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit . Kjo ditë e veçantë për gjithë shqiptarët anembanë botës është përshendetur dhe uruar nga krerët më të lartë të shteteve në Botë nga BE në SHBA
Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë një mesazh të ngrohtë urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr.
Në mesazhin e urimit, Biden shprehet se “këtë vit ne përkujtojmë tridhjetëvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe festojmë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe mbi vlerat tona demokratike dhe përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut, që ndajmë sa bashku”.
Ai thekson se ato që Shqipëria ka arritur që nga viti 1991 janë mbresëlënëse.
“Sot, Shqipëria është një vend mik i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat i rëndësishëm i NATO-s, dhe një anëtare e sapo futur në Këshillin e Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu Shqipëria po i tregon botës mikpritjen e saj të madhe duke pritur si dhe duke iu dhënë një strehim të sigurt afganëve në rrezik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë ndërsa ju forconi institucionet tuaja demokratike, përmbushni reformat e rëndësishme në sektorin e drejtësisë, luftoni korrupsionin për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, si dhe teksa ndiqni të ardhmen tuaj evropiane”, deklaron Biden.
Marrëdhënia jonë dypalëshe në rritje të tregtisë dhe investimeve, sidomos në sektorin e rëndësishëm energjetik, nënvizon presidenti i SHBA-së, është kyçe për rimëkëmbjen e Shqipërisë si dhe për thellimin e partneritetit tonë.
“Dëshiroj t’i uroj popullit shqiptar, edhe në emër të të gjithë amerikanëve, një Ditë të paqtë të Pavarësisë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare ta quajnë Shqipërinë një vend mik, partner dhe aleat”, përfundon mesazhin e urimit Presidenti Biden.
Më heret edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar shqiptarët me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë.
Përmes një deklarate të DASH, zyrtari i lartë amerikan vlerëson Shqipërinë si një vend të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.
Blinken risjell në vëmendje pritjen që shqiptarët u bënë refugjatëve afganë, ‘siç bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe grupe të tjera që ikin nga persekutimi gjatë dekadave të fundit’.
Sekretari amerikan i Shtetit shprehet më tej se SHBA janë të përkushtuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomike dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian
“Ne presim të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë që e quajmë Shqipërinë mik, partner dhe aleat”, mbyllet deklarata e Blinken.
Me rastin e 28 Nëntorit që është Dita e Pavarësisë, një urim nga jashtë ka ardhur nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Në mesazhin e Macron, thuhet se përshëndet qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të BE dhe që e gëzon fakti i bashkëpunimit që do të kenë në gjirin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
“Zoti President, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’ju përcjell gjithë përgëzimet e mia dhe në emër të popullit francez!
Dëshiroj që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë të forcohen, pikërisht në fushën ekonomike, në përputhje me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor që kam miratuar në vitin 2019. Përfitoj nga ky rast për të konfirmuar mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë.
Në këtë kontekst përshëndes përpjekjet e mëdha të Qeverisë dhe të popullit shqiptar për të plotësuar kushtet e përcaktuara nga Këshilli në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negovciatave të aderimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Ashtu si dhe gjatë Samitit të fundit të Brdos, ju siguroj për angazhimin e Francës në realizimin e kësaj konference të parë.
Përshëndes gjithashtu qëndrimin e vendit tuaj në mbështetje të plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Europian dhe më gëzon fakti i bashkëpunimit që do të kemi së shpejti në gjirin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Duke ju përtërirë përgëzimet e mia më të sinqerta, ju lutem të pranoni, Zoti President, sigurinë e konsideratës time të lartë”, përfundon mesazhi i Macron.
Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë mesazh urimi edhe nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
Në mesazhin e Tij, drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar, Presidenti Mattarella uron:
“Kremtimi i Ditës kushtuar Pavarësisë më jep mundësin t’ju përcjell Ju dhe të gjithë bashkëqytetarëve Tuaj urimet më të përzemërta për një të ardhme të begatë për Republikën e Shqipërisë!
Tiranën dhe Romën i bashkon një marrëdhënie tejet e konsoliduar në rritje të vazhdueshme, falë edhe rolit dinamik të komunitetit shqiptar në vendin tonë, si edhe atij italian në Shqipëri.
Italia ndan plotësisht aspiratën e ligjshme të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe mbështet me bindje e vendosmëri çeljen pa hezitim të negociatave të anëtarësimit.
Marrëdhëniet midis vendeve tona janë shumë të ngushta, edhe në nivel shumëpalësh si rrjedhojë e të qenit pjesë e Aleancës Atlantike dhe bashkëpunimit të nisur në funksion të mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për dyvjeçarin 2022-2023.
Me këtë frymë dhe me ndjenja miqësie të sinqertë, ju shpreh dhe njëherë urimet e mia më të përzemërta, Juve dhe popullit shqiptar me rastin e kësaj date të shënuar!”
Gjithashtu Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) uroi sot Shqipërinë në 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
“Bashkohuni me ne për të festuar Ditën e Pavarësisë të aleatit tonë, Shqipërisë”, thekson NATO përmes një fotografie të uniformës ushtarake të Shqipërisë.
Forcat e Armatosura të Shqipërisë po japin një kontribut domethënës në operacionet e mbështetjes së paqes të drejtuara nga NATO.
Në vitin 2009, Shqipëria u anëtarësua në NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.