Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Iranin të dielën që të mos keqkuptojë si “dobësi”, vendimin e minutës së fundit të Presidentit Trump për të mos u kundërpërgjigjur ushtarakisht ndaj rrëzimit të dronit amerikan pa pilot pranë ngushticës së Hormuzit.
“As Irani, dhe asnjë aktor tjetër armiqësor nuk duhet të ngatërrojë vetëpërmbajtjen amerikane me dobësinë”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton në Jeruzalem para një takimi me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ushtria jonë është e konsoliduar dhe në gatishmëri”, tha ai.
Nënpresidenti Mike Pence i tha televizionit CNN se “Iran nuk duhet ta interpretojë përmbajtjen me mungesën e vendosmërisë. Ky president shpreson më të mirën për popullin iranian … por ne do t’u përgjigjemi provokimeve të tyre”.
Paralajmërimet e zotit Bolton dhe nënpresidentit Pence, vijnë pasi presidenti Trump, pa dhënë detaje tha se ka në plan të vendosë sanksione të reja “madhore” kundër Iranit të hënën.
Ai shkruante në Twitter të shtunën se “Irani nuk mund të ketë Armë Bërthamore” dhe se sanksionet do të hiqeshin sapo vendi të bëhej përsëri “produktiv dhe i begatë”.