Presidenti Joe Biden dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken thanë të enjten se ekziston një rrezik i lartë që Rusia të sulmojë Ukraninën brenda disa ditësh. Zoti Biden udhëzoi Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken të shkonte në Kombet e Bashkuara për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, ku zoti Blinken tha se forcat ruse po përgatiten të sulmojnë Ukrainën nga brenda disa ditësh.
Presidenti Biden tha se janë të “gjitha shenjat” se Rusia po planifikon të ndërhyjë në Ukrainë.
“Ata nuk kanë larguar asnjë nga trupat, kanë dërguar më shumë trupa. Kemi arsye të besojmë se po angazhohen në një operacion për të krijuar pretekst për të ndërhyrë. Të gjitha shenjat tregojnë se ata janë gati të ndërhyjnë në Ukrainë, të sulmojnë Ukrainën”, tha Presidenti Biden.
Zoti Biden udhëzoi Sekretarin e Shtetit Antony Blinken të ndryshonte planet e tij të udhëtimit në minutën e fundit për të folur në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Ukrainën. Zoti Blinken tha se forcat ruse po përgatiten të ndërmarrin një sulm ndaj Ukrainës.
“Rusia thotë se po i tërheq forcat. Ne nuk po e shohim një gjë të tillë të ndodhë në terren. Informacioni që kemi tregon qartë se këto forca, përfshirë trupat tokësore dhe aeroplanmbajtëse, po përgatiten të nisin një sulm kundër Ukrainës në ditët në vijim”, tha ai.
Zoti Blinken tha se Moska po përgatit një pretekst për sulm ndaj Ukrainës.
“Mund të jetë një akt i dhunshëm për të cilin Rusia do të fakjësojë Ukrainën ose një akuzë e fortë që Rusia mund të bëjë ndaj qeverisë ukrainase. Nuk e dimë saktësisht formën që do të marrë. Mund të jetë një sulm i sajuar i ashtuquajtur terrorist brenda Rusisë; një pretendim i rremë për zbulimin e një varri masiv, ose një sulm i orkestruar me dron kundër civilëve, ose një sulm i rremë dhe ndoshta dhe i vërtetë me armë kimike”, tha sekretari Blinken.
Megjithatë Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të vazhdojnë përpjekjet diplomatike dhe se i ka kërkuar Ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov një takim në Evropë javën e ardhshme.
“Më lejoni të jem i qartë, jam këtu sot jo për të filluar një luftë, por për ta parandaluar atë”, tha zoti Blinken.
Sekretari i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që duke ndarë informacionet që kanë me botën, të mund të ndikojnë “që Rusia të braktisë rrugën e luftës dhe të zgjedhë një rrugë tjetër ndërsa ka ende kohë”.
Ndërkohë Departamenti i Shtetit tha se Rusia ka urdhëruar zëvendës shefin e misionit amerikane në Moskë, Bart Gorman, të largohej nga vendi.
Departamenti i Shtetit e cilësoi këtë masë një veprim “të paprovokuar” dhe “një hap përshkallëzues”. Rusia nuk ka dhënë detaje se përse po e dëbon zotin Gorman./voa