Princi i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman miratoi operacionin për kapjen ose vrasjen e gazetarit disident Jamal Khashoggi, i cili u vra në vitin 2018. Kjo thuhet në një vlerësim të deklasifikuar të zbulimit amerikan, bërja publike e të cilit të premten ishte planifikuar në mënyrë të tillë që të kufizonte dëmtimin e lidhjeve të SHBA-së me Arabinë Saudite.
Zoti Khashoggi, i cili kishte statusin e qëndrimit të përhershëm në SHBA, shkruate opinione kritike mbi politikat e Princit të Kurorës në gazetën “Washington Post”. Ai u vra në konsullatën e mbretërisë në Stamboll dhe trupi i tij u gjymtua nga një ekip operativësh të lidhur me Princin e Kurorës.
Riadi ka mohuar çdo përfshirje në këtë akt të Princit të Kurorës, sundimtarit de facto të Arabisë Saudite.
“Ne vlerësojmë se Princi i Kurorës së Arabisë Saudite Muhamed bin Salman miratoi operacionin në Stamboll të Turqisë për kapjen ose vrasjen e gazetarit Saudit Jamal Khashoggi“, thuhej në raportin e publikar në internet të zyrës së Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.
“Ne e bazojmë këtë vlerësim tek kontrolli që Princi i Kurorës ka tek vendimmarrja e Mbretërisë, përfshirja e drejtpërdrejtë në operacion e një këshilltari kryesor, punonjësve që sigurojnë mbrojtjen e Muhamed bin Salman si dhe mbështetjen e Princit të Kurorës për përdorimin e masave të dhunshme për të heshtur disidentët jashtë vendit, përfshirë Khashoggin”, shtohej në raport.
Ndryshe nga refuzimi i paraardhësit të tij Donald Trump për ta publikuar raportin në kundërshtim me një ligj të vitit 2019, Presidenti Joe Biden ia hoqi atij klasifikimin “sekret” , duke reflektuar një gatishmëri të re të SHBA-së për të sfiduar mbretërinë për çështje nga të drejtat e njeriut tek lufta në Jemen.
Sidoqoftë, zoti Biden po mban një balancë delikate me synimin për të ruajtur lidhjet me mbretërinë ndërsa ai kërkon të ringjallë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me rivalin e saj rajonal Iranin dhe për të adresuar sfida të tjera përfshirë luftën ndaj ekstremizmit islamik dhe avancimin e lidhjeve arabo-izraelite.
Uashingtoni i projektoi zhvillimet mbi këtë çështje me synimin për të zbutur acarimet, me zotin Biden që zhvilloi një bisedë telefonike të enjten me babanë 85-vjeçar të Princit të Kurorës, Mbretin Salman, bisedë që të dyja palët thanë se riafirmoi aleancën e tyre të vjetër dhe premtuan bashkëpunim.
Raporti i agjencive të Zbulimit përgatitur nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, i bëri jehonë një versioni sekret të një raporti mbi vrasjen e zotit Khashoggi që zoti Trump e ndau me anëtarët e Kongresit në fund të 2018.
Refuzimi në atë kohë i zotit Trump ndaj kërkesave të ligjvënësve dhe grupeve të të drejtave të njeriut për të lëshuar një variant të deklasifikuar pasqyroi dëshirën për të ruajtur bashkëpunimin me Riadin në mes të tensioneve në rritje me Iranin dhe për të nxitur shitjet e armëve amerikane ndaj mbretërisë.
Drejtoresha e re e Zbulimit Kombëtar vendosur nga zoti Biden, Avril Haines, është zotuar të respektojë një ligj mbi mbrojtjen të vitit 2019 që i kërkonte zyrës së saj të lëshonte brenda 30 ditësh një raport të deklasifikuar mbi vrasjen e gazetarit Khashoggi. 59 vjeçari Jamal Khashoggi, një gazetar saudit dhe kolumnist i “Washington Postit”, u josh në konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018 dhe u vra nga një ekip operativësh të lidhur me Princin e Kurorës. Ata më pas e copëtuan trupin e tij. Eshtrat e gazetarit nuk u gjetën kurrë./VOA