Në Riçmond, kryeqytet i shtetit Virxhinia, protestuesit rrëzuan të mërkurën vonë një statujë të presidentit të Konfederatës gjatë luftës civile, një tjetër monument që prishet në vazhdën e protestave mbarëkombëtare kundër padrejtësive racore.
Pamjet e postuara në mediat sociale tregonin statujën e Jefferson Davis, president i Konfederatës pro-skllavopronare gjatë Luftës Civile amerikane të viteve 1861-65, që tërhiqej nga një kamion ndërsa njerëzit e pranishëm brohorisnin.
Piedestali i statujës ishte i mbuluar me mbishkrime.
Ajo qëndronte në rrugën e monumenteve të qytetit ku rreshtohen statujat e disa figurave të njohura të Konfederatës.
Riçmondi ka qenë kryeqytet i Konfederatës gjatë pothuajse gjithë periudhës së Luftës Civile.
Vala globale e protestave antiraciste ka rihapur një fushatë për të hequr statuja dhe të tjera simbole që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës.
Shumë jugorë i mbrojnë këto monumente si nderim për të rënët në luftë dhe si pjesë e historisë së vendit. Ata e kundërshtojnë me forcë heqjen e tyre, megjithëse ato lidhen me skllavërinë dhe racizmin.
Të hënën, një gjykatës në Riçmond lëshoi një urdhër 10-ditor kundër vendimit të Guvernatorit Ralph Northam për të hequr një statujë të gjeneralit të Konfederatës, Robert E. Lee në këtë qytet.
Më herët të mërkurën në Portsmuth të Virxhinias, protestuesit u hoqën kokat dhe përdhosën statujat që ishin pjesë e monumenteve të Konfederatës.
Një grup protestuesish rrëzuan po të mërkurën një statujë të eksploruesit italian Kristofor Kolombi në Sejt Pol të Minesotës. Një tjetër monument i Kolombit i ngritur në Riçmond në vitin 1927 u vandalizua dhe u hodh në një liqen.
Në orët e para të së mërkurës në Boston, iu hoq koka statujës së Kolombit në Boston.
Edhe pse Kristofor Kolombi u përshëndet për zbulimin e Botës së Re dhe hapjen e saj për ardhjen e evropianëve, disa studiues të ditëve të sotme flasin për një histori më komplekse, që përfshin skllavërimin dhe nënshtrimin e banorëve vendas.