Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin për të zgjedhur “rrugë diplomatike dhe paqësore”, teksa diplomati i lartë amerikan viziton Ukrainën, në kohën e shqetësimeve se Rusia mund të pushtojë këtë republikë ish-sovjetike.
“Unë besoj shumë fuqishëm se mund të mbajmë këtë çështje në nivel diplomatik dhe paqësor, mirëpo kjo gjë do të jetë në dorën e presidentit Putin”, ka thënë Blinken pas takimit me stafin e Ambasadës amerikane në Kiev më 19 janar.
“Ne e dimë se ka plane për të rritur numrin e forcave edhe më shumë në një periudhë të shkurtër, dhe kjo gjë i jep kapacitet presidentit Putin që për një periudhë të shkurtër të çojë përpara agresionin kundër Ukrainës”, ka paralajmëruar ai.
Më herët, një zyrtar i lartë amerikan, ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden ka miratuar muajin e kaluar 200 milionë dollarë shtesë si ndihmë për sigurinë në Kiev, duke thënë se Uashington mbetet “i përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
Zyrtari, i cili ka folur në kushte anonimiteti, nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e paketës së ndihmës.
Blinken është takuar në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për rritje të ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës në këtë “kohë të vështirë”.
Si përgjigje ndaj informatës për ndihma, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos furnizojë Ukrainën me armë, derisa situatën rreth sigurisë në Evropë e ka konsideruar “kritike”, ka thënë agjencia e lajmeve Interfax.
Më 20 janar, Blinken niset drejt Berlinit, për të biseduar me zyrtarë të Perëndimit rreth unitetit në këtë çështje.
Më 21 janar, diplomati i lartë amerikan do të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov në Gjenevë.
Të dy kanë folur përmes telefonit më 18 janar.
Meqë Rusia ka mbledhur rreth 100,000 trupa afër kufirit me Ukrainën dhe një numër forcash për stërvitje të shpejta në Bjellorusi, Perëndimi është i alarmuar për rrezikun e një konflikti të ri.
“Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme. Ne jemi në një pikë kur Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo çast”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki para gazetarëve më 18 janar./rel