Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të mbajnë bisedime në janar mbi kontrollin e armëve bërthamore dhe tensionet përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se dy palët do të takohen më 10 janar, pasuar nga bisedimet Rusi-NATO më 12 janar dhe një takim më 13 janar mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
“Rusia mund të paraqesë shqetësimet e saj dhe ne do të paraqesim shqetësimet tona për aktivitetet e Rusisë,” tha zëdhënësi. “Do të ketë drejtime ku mund të shënojmë përparim, dhe tema ku nuk do të pajtohemi. Kështu funksionon diplomacia.”
Qeveritë perëndimore janë alarmuar nga grumbullimi i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën, duke shprehur shqetësimin për planet e mundshme për një ndërhyrje ruse. Udhëheqësi rus Vladimir Putin ka mohuar se ekzistojnë plane të tilla dhe ka kërkuar garanci kundër zgjerimit të NATO-s pranë territorit të Rusisë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha përsa u takon interesave të Ukrainës, bisedimet SHBA-Rusi nuk do të marrin asnjë vendim për Ukrainën.
“Qasja e Presidentit Biden për Ukrainën ka qenë e qartë dhe e pandryshuar: bashkimi i aleancës në dy drejtime – parandalim dhe diplomaci. Ne jemi të bashkuar si aleancë (e NATO-s) për pasojat me të cilat do të përballet Rusia nëse ndërhyn në Ukrainë,” tha zëdhënësi.