Kërcënimet e për shkëputje të Republikës Serbe nga Bosnja dhe riarmatosja e Serbisë kanë rritur shqetësimet se Ballkani mund të shkojë drejt konfliktit.
Kërcënimet nga udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik, për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina, po shtojnë shqetësimin në rritje rajonal dhe ndërkombëtar për zhvillimet në Ballkan.
Kërcënimet e zotit Dodik, të kombinuara me një program të madh të riarmatosjes nga Serbia fqinje po ushqejnë shqetësimet se Ballkani mund të shkojë drejt konfliktit.
Serbia filloi negociatat muajin e kaluar me Izraelin për blerjen e raketave antitank dhe disa zyrtarë të Bashkimit Evropian dyshojnë se Beogradi mund të jetë në proces të vendosjes së kontakteve me Ankaranë për të diskutuar blerjen e llojit të dronëve të armatosur të prodhimit turk të përdorur në mënyre efektive nga Azerbajxhani në luftimet e fundit me Armeninë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq thotë se fqinjët e tij ballkanikë nuk duhet të shqetësohen nga riarmatosja, të cilin ai e konsideron si një përmirësim të forcave të armatosura të vendit të tij dhe thotë se Beogradi nuk ka qëllime për të ndërmarrë sulme. Në fillim të këtij viti, ai tha: “Të gjithë po riarmatosen, edhe ne do të riarmatosemi. Nëse të gjithë të tjerët e bëjnë atë, edhe ne duhet ta bëjmë këtë.”
Alarmi në rritje
Por fqinjët e Serbisë janë të shqetësuar nga programi i saj i riarmatosjes, i cili ka çuar në rritjen me 70 për qind nga Beogradi të shpenzimeve në fushën e të mbrojtjes që nga viti 2015. Dhe ata mendojnë se kjo po bëhet në frymën e retorikës nacionaliste në rritje të zotit Vuçiç.
Beogradi ka ofruar gjithashtu mbështetje të fortë politike për zotin Dodik.
Javën e kaluar Christian Schmidt, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, paralajmëroi Këshillin e Sigurimit të OKB-së se Ballkani i dëmtuar nga lufta po përballet me kërcënimin e tij më të madh që nga spastrimi etnik dhe luftërat e fillimit të viteve 1990. “Perspektivat e ndarjes dhe konfliktit të mëtejshëm janë shumë reale”, tha ai.
Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të frenojë çdo veprim separatist të kërcënuar nga serbët e Bosnjës.
Alarmi po rritet edhe në kryeqytetet e Evropës Perëndimore, me zyrtarët që vunë në dukje se blerjet e armëve nga zoti Vuçiç i kanë shërbyer thellimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kinën dhe Rusinë, e cila është simpatizuese e ambicieve të zotit Dodik për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja dhe bashkimin e saj me Serbinë.
Sipas zyrtarëve britanikë, Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, e ka vendosur Ballkanin në rendin e ditës për takimin e muajit të ardhshëm të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga. Gjermania ka ushtruar presion ndaj vendeve anëtare të BE-së për të përgatitur sanksione kundër zotit Dodik. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha të shtunën se Berlini dëshiron të shohë “masa (sanksione) individuale kundër atyre që vënë në dyshim integritetin territorial” të Bosnjës.
Maas shtoi: “Ne nuk mund të pranojmë vazhdimin e kësaj politike të papërgjegjshme pa ndërmarrë veprime”. Ai akuzoi Republikën Serbe se po “punon në mënyrë aktive për të shkatërruar Bosnjën dhe Hercegovinën si një shtet të tërë”.
Ish-Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague paralajmëroi të martën se “Historia ka treguar shumë herë se ne e neglizhojmë Ballkanin Perëndimor në dëm të interesave tona”. Në një artikull për për gazetën The Times, ai tha “Për vite të tëra, udhëheqësi i Republikës Serbe, me shumicë serbe, Milorad Dodik, ka minuar shtetin e Bosnje-Hercegovinës me mbështetjen aktive ruse dhe serbe. Në javët e fundit gjendja është bërë e rëndë. Dodik po i afrohet shkëputjes nga Bosnja”.
Mosmarrëveshjet e pazgjidhura
Ai dhe të tjerët kanë frikë se mosmarrëveshjet e pazgjidhura nga luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe tensionet e ndezura midis Kroacisë, e cila gjithashtu është duke u riarmatosur, dhe Serbisë po rrezikojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ne mesin e këtyre problemeve në Ballkan janë edhe mosmarrëveshjet për statusin e Kosovës, ish-provincës serbe, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një lufte që shkaktoi vrasjen e më shumë se 13,000 njerëzve, kryesisht shqiptarë.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës rifilluan kohët e fundit, por një mosmarrëveshje ndërkufitare në shtator, e nxitur nga vendimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të mos njohur targat serbe të makinave, bëri që Beogradi të dislokonte tanke në kufirin e tij me Kosovën.
Udhëheqësi serb i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë dhe paralajmëroi se nëse nuk e bën këtë, “ne do të dimë si ta mbrojmë vendin tonë, nuk ka dyshim për këtë”. Qindra serbë të Kosovës mbyllën një rrugë kyçe kufitare dhe zyrtarët e Kosovës dërguan njësi policore shtesë për të mbrojtur pikën kufitare.
Por komentet e zotit Dodik për shkëputje janë shqetësimi më i madh për fuqitë perëndimore, thonë diplomatët amerikanë dhe evropianë. Ata kanë frikë se përpjekja e zotit Dodik për të shkëputur Republikën Serbe nga Bosnja, do të mund të shkaktonte një konflikt të ri në Ballkan, cili do të mund të rindezte shumë lehtë konfliktin midis Serbisë dhe Kroacisë, si dhe atë midis Serbisë dhe Kosovës, duke e zhytur Ballkanin Perëndimor përsëri në një luftë të ashpër ndëretnike, të ngjashme me atë të viteve 1990 që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë.
Marrëveshja e Dejtonit e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1995 e bëri Bosnjën një shtet multietnik nën protektoratin ndërkombëtar, me marrëveshje komplekse kushtetuese për ndarjen e pushtetit midis tre grupeve kryesore etnike që e përbëjnë atë. Ajo ka dy entitete gjysmë autonome: Federatën e Bosnje-Hercegovinës (të përbërë nga boshnjakët dhe kroatët) dhe Republikën Serbe. Por udhëheqësi i Republikës Serbe, Milorad Dodik ka kërcënuar se do të tërhiqet nga institucionet e nivelit shtetëror të Bosnjës, duke përfshirë ushtrinë dhe ka militarizuar policinë e tij, e cila mund të shërbejë si një forcë ushtarake e serbëve të Bosnjës.Ai ka thënë gjithashtu se dëshiron të krijojë një gjyqësor të veçantë.
62-vjeçari Dodik muajin e kaluar paralajmëroi se do të përshpejtojë planet e tij të shkëputjes nga Bosnja, nëse ndaj tij vendosen sanksione nga vendet perëndimore. Sipas informacioneve të rrjedhura, zoti Dodik i ka thënë Zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në lidhje me sanksionet: “Nëse doni të flisni me mua, atëherë mos më kërcënoni”.
Milorad Dodik ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje ushtarake e NATO-s që synon ta pengojë atë nga ndarja e Bosnjës do të kundërshtohej nga “miqtë” e tij, që është parë si një referencë për Serbinë e riarmatosur dhe Rusinë. Zoti Vuçiq u duk muajin e kaluar sikur po përpiqej të frenonte zotin Dodikun, duke thënë: “Është e rëndësishme të ruhet paqja dhe të tregohet se Republika Serbe nuk është burimi i problemit, por se ne të gjithë jemi gati të bisedojmë në rajon”.
Por ai shtoi se Serbia nuk do të bashkohet në asnjë përpjekje për të vendosur sanksione kundër Republikës Serbe të Bosnjës.