SHBA-së i mungon uniteti brenda vendit mes sfidave moderne, tha ish-sekretari amerikan i Shtetit Henry Kissinger gjatë veprimtarisë kushtuar 112-vjetorit të ish-presidentit amerikan Ronald Reagan.
“Sot ne përsëri vuajmë nga ndarja e brendshme dhe çrregullimi ndërkombëtar rreth argumenteve se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë. E kemi të vështirë të mbledhim kohezionin e brendshëm të nevojshëm për të përballuar sfidat që na presin,” tha Kissinger.
Ai përmendi “ambiciet e Kinës” dhe situatën në Lindjen e Mesme, ku, sipas fjalëve të tij, ekziston rreziku i “zhvillimit të armëve më shkatërruese në botë”. Ai përmendi gjithashtu krizën ukrainase që “nuk tregon shenja uljeje” dhe preku çështjen e zhvillimit të inteligjencës artificiale që “po transformon vetë ndërgjegjen njerëzore”.
“Secili prej këtyre zhvillimeve aktuale kërkon një kombinim të forcës dhe pajtimit,” tha Kissinger, duke shtuar se Reagan “e kuptoi më mirë se kushdo se si të integronte elementët e pushtetit dhe elementët e pajtimit”.