Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se Shqipëria mbështet sanksionet e vendosura nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC).
“Ne mbështesim sanksionet e vendosura nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC). Shqipëria përkrah fuqimisht integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për të minuar atë dhe që kërcënon paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Në deklaratën e ministres Xhaçka theksohet se e ardhmja e rajonit qëndron larg politikës së ndarjes dhe konfliktit.
“E ardhmja e rajonit tonë qëndron në bashkëpunim dhe integrim, larg politikës së ndarjes dhe konfliktit”, deklaron ajo.
Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja vendosi sanksione të reja ndaj liderit të serbëve të Bosnjës dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik për aktivitete destabilizuese dhe korruptive në vend.