Të mërkurën Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zgjatën e traktatit e vetëm mes tyre, i cili kufizon rezervat e armëve bërthamore, dy ditë para skadimit të tij.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara do të shfrytëzojnë pesë vitet e traktatit të rinovuar, New Start (Fillimi i Ri) për të bërë përpjekje në kufizimin e të gjitha llojeve të armëve bërthamore të Rusisë. Kjo ndodh pas vendimit të administratës së Presidentit Trump për t’u tërhequr nga dy marrëveshje të tjera të këtij lloji, si pjesë e një tërheqjeje më të gjerë nga marrëveshjet ndërkombëtare.
Javën e kaluar dy vendet njoftuan planet për të zgjatur marrëveshjen, edhe pse administrata e zotit Biden ka shtuar kritikat ndaj Rusisë lidhur me burgimin e udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny, përfshirjen e saj në një sulm kibernetik masiv ndaj agjencive amerikane dhe çështje të tjera.
“Kufizimet e verifikueshme mbi armët bërthamore interkontinentale të Rusisë janë tepër të rëndësishme, sidomos gjatë kohës së tensioneve. Zgjatja e Traktatit New Start i bën Shtetet e Bashkuara, aleatët, partnerët dhe botën më të sigurt”, thuhet në deklaratën e Sekretarit Blinken. “Një konkurrencë bërthamore e pakufizuar do të ishte një rrezik për të gjithë.”
Traktati, i nënshkruar në vitin 2010 nga Presidenti Barack Obama dhe Presidenti rus Dmitry Medvedev, kufizon numrin e armëve bërthamore strategjike të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres mirëpriti zgjatjen e traktatit, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric. “Ky është një hap i parë drejt ringjalljes së regjimit të kontrollit të armëve bërthamore.”
Administrata e Presidentit Trump bëri një përpjekje të vonuar për të zgjatur traktatin, por Rusia i hodhi poshtë kushtet e saj.
Traktati pritej të skadonte të premten. Të dyja dhomat e parlamentit rus votuan unanimisht muajin e kaluar për zgjatjen dhe Presidenti Vladimir Putin nënshkroi projektligjin.
Kjo pasoi një bisedë telefonike mes Presidentit Joe Biden dhe homologut të tij rus Putin gjatë së cilët ata ranë dakord mbi zgjatjen, pjesë e një raundi të shpejtë të diplomacisë nga administrata e re amerikane që filloi mandatin më pak se një muaj më parë. Zgjatja nuk ka nevojë për miratimin zyrtar të kongresit në Shtetet e Bashkuara.
Administrata e Presidentit Biden do të punojë gjithashtu në marrjen e masave për kontrollin e arsenalin të vogël të raketave me mbushje bërthamore, por gjithsesi në rritje të Kinës, tha Sekretari Blinken./voa