NATO ka ngritur alarmin për krizën në Ukrainë, duke paralajmëruar për “një rrezik real për një konflikt të ri të armatosur në Evropë” dhe ka premtuar të përforcojë krahun e saj lindor.
Duke folur të premten nga një bazë ajrore në Rumani, ku Shtetet e Bashkuara kanë vendosur përkohësisht ushtarë, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca e udhëhequr nga Uashingtoni do të konsiderojë mbajtjen e një pranie afatgjatë në Evropën Lindore në muajt e ardhshëm.
Ai ritheksoi frikën e fuqive perëndimore për luftë, të cilat mbeten të rritura ndërsa përpjekjet diplomatike për të zbutur tensionet dobësohen ndërsa Rusia mban më shumë se 100,000 trupa të stacionuara pranë Ukrainës dhe kryen stërvitje ushtarake në Bjellorusi.
Ndërkohë, Moska akuzoi NATO-n për përdorimin e krizës si një “pretekst” për rritjen e pranisë së saj ushtarake pranë kufijve të Rusisë.
Stoltenberg i ka dërguar një letër ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, duke ftuar Moskën të fillojë diskutimet për kontrollin e armëve dhe transparencën ushtarake.
SHBA, me aleatët e saj evropianë, e kanë akuzuar Rusinë se po përgatit terrenin për një pushtim të Ukrainës, pasi përqendroi më shumë se 100,000 trupa dhe artileri të konsiderueshme dhe tanke në kufi.
Përveç kësaj, të paktën 30,000 trupa ruse po marrin pjesë aktualisht në një stërvitje të përbashkët ushtarake në Bjellorusi.
Moska ka mohuar përgatitjen për një ofensivë ushtarake dhe tha se trupat e saj janë në kufirin ukrainas dhe Bjellorusinë për stërvitje të rregullta.