Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca me shqetësim po përcjell situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Duke folur në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, njeriu i parë i aleancës veriatlantike konfirmoi se janë në kontakt të përhershëm si me Prishtinën, ashtu edhe Beogradin, sidomos tani kur në Kosovë ka nisur fushata zgjedhore.
“Ne jemi në kontakt natyrisht me Kosovën, por edhe me Serbinë, për t’u siguruar që zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë në fillim të muajit shkurt, nuk do të çojnë në destabilizim. Kjo gjë është kyçe” , deklaroi Rutte.
Shefi i organizatës më të madhe ushtarake në botë ka nënvizuar domosdoshmërinë që NATO të përcjellë sa më afër situatën në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të mbajë lidhje të ngushta me këtë pjesë të kontinentit.
Ai shprehu shqetësimin e thellë për situatën e përgjithshme të sigurisë në Evropë në dritën e fushatave destabilizuese të Rusisë. Mark Rutte vlerësoi se kontinenti nuk është në luftë, por gjithsesi nuk mund të thuhet se është në paqe.