Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndalimin e luftimeve në lindje të Sirisë.
“Dua të shpreh shqetësimin tim të thellë për përshkallëzimin e konfliktit në lindje të Sirisë. Është absolutisht e rëndësishme të qetësohet situata”, u tha Guterres gazetarëve në Kopenhagë.
Turqia ka nisur të mërkurën një operacion ushtarak kundër luftëtarëve kurdë në verilindje të Sirisë, duke bombarduar qytete dhe fshatra nga ajri.
Operacioni filloi pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga zona.
Të enjten, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i hodhi poshtë kritikat ndërkombëtare, duke thënë se ofensiva ka për qëllim “të eliminojë terrorin” përgjatë kufijve të Turqisë.
“Operacionet ushtarake duhet të respektojnë gjithmonë ligjin ndërkombëtar humantar. Unë jam i shqetësuar jo vetëm për viktimat, por edhe për shpërnguljet që po ndodhin”, tha Guterres.
Turqia, tash e sa muaj, ka kërcënuar se do të nisë operacionin ushtarak në kufirin e saj me Sirinë, duke thënë se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” atje, ku edhe do të dërgonte miliona refugjatë sirianë.
Turqia i konsideron milicitë kurde në Siri si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë.
Këto milici, megjithatë, e mohojnë çdo lidhje të drejtpërdrejtë organizative me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
Milicitë kurde kanë qenë aleate të forcave amerikane në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri./ Burimi: REL