Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi se bota po hyn në një “epokë kaosi” dhe se paqja mbetet elementi i munguar mes konflikteve të përshkallëzuara, me një Këshill të Sigurimit thellësisht të ndarë, të paaftë për të trajtuar çështje kritike si lufta Izrael-Hamas.
Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, të mërkurën e 7 shkurtit me një listë të fushave prioritare për veprim, shefi i OKB-së nënvizoi se OKB-ja u themelua në kërkim të paqes.
“Paqja është arsyeja jonë e ekzistencës. Megjithatë, ndërsa skanoj peizazhin e botës së sotme, e vetmja gjë që mungon në mënyrë dramatike është paqja,” theksoi ai.
Me luftën në Gaza që hyn në muajin e saj të pestë, Guterres paralajmëroi se nëse forcat e armatosura izraelite vazhdojnë në qytetin jugor të Rafahut, kjo do të “rrisë në mënyrë eksponenciale atë që tashmë është një makth humanitar me pasoja rajonale”.
Forcat izraelite, në fushatën e tyre për të shkatërruar Hamasin pas sulmit të tij të paprecedentë më 7 tetor, kanë bombarduar pa pushim Rripin e Gazës dhe kanë kryer një pushtim tokësor, duke zhvendosur mbi një milion njerëz.
“Është koha për një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe lirimin e pakushtëzuar të të gjithë pengjeve”, tha Guterres .
Në fjalimin e tij, Guterres bëri thirrje gjithashtu për reforma në Këshillin e Sigurimit, i cili nuk ka qenë në gjendje të bie dakord për një qëndrim të përbashkët për luftën në Gaza, pavarësisht thirrjeve nga agjenci të shumta të OKB-së për një armëpushim urgjent.
“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – platforma kryesore për çështjet e paqes globale – është bllokuar nga çarjet gjeopolitike”, tha ai.
“Kjo nuk është hera e parë që Këshilli ndahet – por është më e keqja. Mosfunksionimi i sotëm është më i thellë dhe më i rrezikshëm.”
Ndarjet midis pesë anëtarëve të përhershëm të këshillit –si Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara – kanë bllokuar me veto nderhyrjet për një sërë situatash, duke përfshirë luftërat në Ukrainë dhe Gaza.
Ai tha se ndryshe nga Lufta e Ftohtë, kur “mekanizmat e mirë-krijuar ndihmuan në menaxhimin e marrëdhënieve të superfuqive”, ato mekanizma mungojnë “në botën e sotme shumëpolare”.
“Bota jonë po hyn në një epokë kaosi…, “Ne po shohim rezultatet: një i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm, i lirë për të gjithë, me pandëshkueshmëri totale,” vazhdoi ai.
Në një sfond kaq të errët, Guterres inkurajoi liderët botërorë që të shfrytëzojnë mundësinë e “Samitit të së Ardhmes”, që do të mbahet në shtator në Nju Jork, në periferi të Asamblesë së Përgjithshme vjetore për të “formuar multilateralizmin për vitet në vijim”.
Përmbushja e detyrimit për brezat e ardhshëm
Shefi i OKB-së shprehu gjithashtu shqetësim rreth rritjes së gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, ekstremizmit dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut në nivel global.
Ai bëri thirrje për një kontratë të rinovuar sociale të bazuar në besimin, drejtësinë dhe përfshirjen, të ankoruar në të drejtat e njeriut, duke përfshirë thirrjen e tij për një kod sjelljeje të ardhshme për integritetin e informacionit.
Duke trajtuar ndikimin e teknologjive të reja, ai vuri në dukje gjithashtu punën e Trupit Këshillimor për Inteligjencën Artificiale, i cili pasqyron rolin qendror të mbledhjes së organizatës, duke bashkuar qeveritë, kompanitë private, akademitë dhe shoqërinë civile.
Guterres theksoi ndërvarësinë e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe theksoi se per arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) është thelbësore për ndërtimin e paqes dhe prosperitetit.
Nje tjeter prioritet i shpalosur per vitin 2024 nga Antonio Guterres eshte kriza klimatike, e cila sipas tij mbetet sfida më urgjente në botë.
Guterres vuri në dukje rënien e pashmangshme të epokës së karburanteve fosile dhe revolucionin e pandalshëm të energjisë së rinovueshme. Duke kërkuar veprim këtë vit për të parandaluar një katastrofë klimatike, ai bëri thirrje për trefishimin e kapacitetit global të energjisë së rinovueshme, dyfishimin e efikasitetit të energjisë deri në vitin 2030 dhe eksplorimin e burimeve novatore të financimit të klimës.
Guterres, i cili e ka bërë prioritet adresimin e ndryshimeve klimatike që nga marrja e detyrës në vitin 2017, përsëriti se kriza klimatike “mbetet sfida përcaktuese e kohës sonë” dhe bëri thirrje që njerëzimi “të bëjë paqe me planetin”, dhe të ndalojnë së zhvilluari një luftë me natyrën, lufte nga e cila vetem ne mund te humbim.
Guterres bëri thirrje gjithashtu për reformën e sistemit financiar ndërkombëtar, duke vënë në dukje se vendet më të varfra në botë po mbyten në borxhe.
Ai vuri në dukje sfidat moderne, duke përfshirë përhapjen e shpejtë të dezinformatave si dhe nevojën për të siguruar që inteligjenca artificiale të përdoret në dobi të njerëzimit.
“AI(Inteligjenca artificiale) do të prekë të gjithë njerëzimin, kështu që ne kemi nevojë për një qasje universale,” tha ai.
Ai tha se duhet të miratohen ligje adekuate dhe standarde etike dhe duhet të jenë gjerësisht të disponueshme.
Guterres, perpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kërkoi edhe njehere një angazhim kolektiv si detyrim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke pohuar përkushtimin e tij të palëkundur për të nxitur paqen.
“Paqja mund të arrijë mrekulli që luftërat nuk i bëjnë kurrë. Luftërat shkatërrojnë. Paqja ndërton. Por në botën e sotme të trazuar, ndërtimi i paqes është një akt i ndërgjegjshëm, i guximshëm dhe madje radikal. Është përgjegjësia më e madhe e njerëzimit. Kjo përgjegjësi na takon të gjithëve – individualisht dhe kolektivisht. Në këtë moment të vështirë dhe të ndarë, le ta përmbushim atë detyrim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Duke filluar këtu. Duke filluar tani”, theksoi sekretari i pergjithshem i OKB-se.
/Argumentum.al