Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, i cili muajin e kaluar ndërmjetësoi një marrëveshje për t’i dhënë fund një rebelimi të armatosur në Rusi, thotë se lideri mercenar rus Yevgeny Prigozhin nuk ishte më në Bjellorusi.
Lukashenko tha më 27 qershor se Prigozhin kishte mbërritur në Bjellorusi si pjesë e marrëveshjes.
Shefi mercenar rus Yevgeny Prigozhin është kthyer në Rusi, ka thënë presidenti bjellorus, pavarësisht një marrëveshjeje paqeje me Kremlinin, sipas së cilës Prigozhin kishte rënë dakord të transferohej në Bjellorusi.
“Sa për Prigozhin, ai është në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë”, tha Alexander Lukashenko të enjten. “Ku është Prigozhin këtë mëngjes? Ndoshta ai u nis për në Moskë.
Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Lukashenko, Prigozhin braktisi atë që ai e quajti “marshim për drejtësi” nga mijëra rekrutët e tij në Moskë në këmbim të kalimit të sigurt për në mërgim në Bjellorusi. Akuzat penale kundër Prigozhin u hoqën javën e kaluar si pjesë e marrëveshjes.
Lukashenko tha se Vladimir Putin nuk do ta “fshinte” Prigozhin sepse presidenti rus nuk ishte “keqdashës dhe hakmarrës”, duke sugjeruar se kreu i mercenarëve ishte i sigurt nga shërbimet e sigurisë së Kremlinit.
Diktatori bjellorus shtoi se ai planifikoi të diskutonte të ardhmen e Wagnerit gjatë një takimi të ardhshëm me Putinin. “A do të përfundojë Wagner në Bjellorusi apo jo, dhe në çfarë sasie – ne do ta kuptojmë këtë në të ardhmen e afërt,” tha Lukashenko.
Prigozhin, 62, një ish i dënuar që u bë mercenari më i fuqishëm i Rusisë, u pa për herë të fundit në publik më 24 qershor kur u largua nga Rostov-on-Don, një qytet në Rusinë jugore që trupat e tij e kishin pushtuar për pak kohë.
/Argumentum.al