Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, pohon në një intervistë për “Monitor” se ndikim përkeqësimin e renditjes per biznes ka dhënë rishikimi i të dhënave nga viti i kaluar, ndryshimi i metodologjisë për mbrojtjen e investitorëve të vegjël, mospasja e një burse, si dhe fakti që vendet e tjera kanë ecur më shumë në përmirësimin e mjedisit rregullator për bizneset. Në kahun e kundërt, Shqipëria renditet mirë në “fillimin e një biznesi”, “tregtimin përtej kufijve”, “zgjidhjen e falimentimit” dhe “marrjen e kredisë”.
Ministrja e Financave përmendi faktin se disa ndryshime në metodologji për disa tregues kanë ndikuar në rezultatet e Shqipërisë në raportin e “Të bësh biznes 2020”. Cilat janë ndryshimet kryesore metodologjike në raport?
Disa rishikime të të dhënave nga viti i kaluar, përmirësimet në mjedisin rregullator të biznesit në ekonomitë e tjera dhe një fokus i ripërtërirë në qeverisjen e korporatave për kompanitë e listuara në grup-indikatorët e mbrojtjes së investitorëve të vegjël kanë ndikuar në renditjen e Shqipërisë. Sipas këtij indikatori, nëse vendi nuk ka një bursë aktive me të paktën 10 kompani të listuara joshtetërore, nuk jepet asnjë pikë.
Sa e ka ndikuar kjo renditjen e Shqipërisë?
Ndryshimet në treguesin për mbrojtjen e investitorëve të vegjël kanë ndikuar negativisht në renditjen e Shqipërisë.
Sa penalizohet Shqipëria në renditje nga mungesa e një tregu kapitali funksional?
Tregjet e kapitalit mund të luajnë një rol të fortë në rritjen ekonomike, duke mobilizuar kursimet dhe duke kanalizuar financat afatshkurtra dhe afatgjata nga investitorë të ndryshëm tek emetues të ndryshëm. Ato mund të promovojnë transparencë, duke ofruar informacione mbi cilësinë e kredisë së firmave dhe vlerën e tregut. Ato gjithashtu luajnë një rol në rritjen e qëndrueshmërisë së një sistemi financiar. Duke pasur parasysh këto përfitime, zhvillimi i tregjeve lokale të kapitalit është pjesë e axhendës së reformës së sektorit financiar në Shqipëri.
Ngritja e bursës dhe të pasurit e kompanive të listuara joshtetërore nuk duhet të jetë përparësia më e madhe. Rekomandohet një qasje më e gjerë. Vendet, veçanërisht ato të vogla, duhet të përqendrohen në përmbushjen e parakushteve themelore makro, zhvillimin e bazës institucionale për investitorët, krijimin e një mjedisi biznesi mbështetës dhe transparent që u mundëson kompanive rritje, si dhe zhvillimin e tregut të borxhit qeveritar.
Si e shpjegoni që Shqipëria renditet gjithnjë në fund të Europës dhe rajonit?
Raporti “Të bërit biznes” siguron renditjen e shteteve për 10 tregues të ndryshëm. Në disa raste, Shqipëria ka ecur më mirë sesa mesatarja e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe/ose vendeve në Europë dhe të Azisë Qendrore. Për shembull, për indikatorin e “fillimit të një biznesi”, Shqipëria renditet në vendin e 53-të, dhe vetëm Kosova nga vendet e Ballkanit Perëndimor ka një renditje më të mirë, ndërsa renditja mesatare për Europën dhe Azinë Qendrore është 57. Po kështu, Shqipëria është renditur mirë për treguesit “tregtimi përtej kufijve”, “zgjidhja e falimentimit” dhe “marrja e kredisë”. Rezultatet e ulëta në treguesit e tjerë penalizojnë rezultatin e agreguar për vendin në raportin e “Të bërit biznes”.
Lejet e ndërtimit janë rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit, megjithatë Shqipëria renditet nga fundi për këtë tregues. Pse ndodh kjo?
Disa vite më parë, qeveria ndërmori reforma të rëndësishme në përmirësimin e planifikimit urban, thjeshtimin e procesit të aplikimit për marrjen e lejeve të ndërtimit dhe mundësinë e regjistrimit në internet. Megjithatë, duhen më shumë përpjekje për të ulur numrin e procedurave dhe për të shkurtuar kohën për të marrë lejet e ndërtimit.
Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të përmirësuar pozicionin në raportin e “Të bërit biznes”?
Reformat në fushat e mbuluara nga treguesit e raportit e “Të bërit biznes”, ku Shqipëria nuk paraqitet mirë, do të ndihmojnë vendin të përmirësojë renditjen e tij të përgjithshme relative.