Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë.
Kallas u prit në një takim në Kryeministri nga Kryeministri Edi Rama. Në këtë takim Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian shoqërohej nga ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.
Për palën shqiptare në takim ishin të pranishëm po ashtu zv/kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka.
Përveç takimeve me zyrtarët e lartë të vendit, Kallas do të marrë pjesë në forumin e dialogut Shqipëri-BE për politikën e sigurinë dhe më pas në ceremoninë e marrëveshjes me Bankën Europiane të Investimeve.
Rama: Shqipëria, 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, ndërsa solli në vëmendje edhe kalendarin shumë ambicioz të dakordësuar me Komisionin Europian për mbylljen e negociatave për anëtarësim brenda vitit 2027.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, Kryeministri vlerësoi se mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk ka asnjë çështje të hapur.
“Kemi pasur një takim si gjithmonë shumë pozitiv. Ashtu siç tha edhe Presidentja mes nesh dhe BE-së nuk ka asnjë problem apo çështje të hapur. Përkundrazi, kemi një linjëzim të plotë në të gjitha aspektet, gjë që shprehet më së miri edhe në politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë e cila është 100% e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së”, tha Rama.
Kryeministri informoi se pjesë e bisedës me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së është sfida e madhe e procesit drejt anëtarësimit në BE, si dhe kalendari shumë ambicioz i dakordësuar me Komisionin për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.
Po ashtu, Rama tha se temë e bisedës ishte edhe rajoni dhe problematikat në rajon, në një moment kur ne kemi të domosdoshëm unitetin dhe stabilitetin e të gjithë rajonit.
“Fatmirësisht të gjitha vendet kanë synim të shpallur strategjik anëtarësimin me BE dhe ky destinacion është një pikë referimi jashtëzakonisht e dobishme dhe ndihmuese për të kuptuar edhe politikën e ditës dhe hapat që të gjithë së bashku duhet të hedhim në të përditshmen tonë, në mënyrë që jo thjesht secili prej nesh të anëtarësohet në BE, por gjithë ky rajon të bëhet pjesë organike e familjes së bashkuar europiane”, shtoi Rama.
Kallas: Viti 2030, objektiv realist për integrimin e Shqipërisë

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas u shpreh sot gjatë konferencës së shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë se objektivi për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane deri në vitin 2030 është një objektiv realist, por që bazohet në shtetin e së drejtës dhe kushtëzohet nga fakti nëse të dyja palët gjatë këtij rrugëtimi bëjnë mirë “detyrat e shtëpisë”.
Duke iu përgjigjur interesimit të medias nëse kushtëzohet integrimi i Shqipërisë në BE nga reforma të caktuara, një prej tyre ajo e ndjekjes së korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë, Kallas tha se “viti 2030 është një objektiv realist, në rast se ne të gjithë do të ndërmarrim hapat e duhur gjatë rrugës. Por, jo vetëm reformat që duhen miratuar, por edhe reformat e miratuara që duhen të vihen në zbatim”.
“Dhe sundimi i ligjit është skajshmërisht i rëndësishëm, pasi shteti i së drejtës është një nga themelet e BE, por edhe themeli i begatisë së një vendi sepse në rast se investuesit kanë besim te sistemi juaj ligjor ata kanë besim të investojnë në ekonominë tuaj. Kjo është në të mirën e Shqipërisë, është realiste në rast se të gjithë bëjmë detyrat e shtëpisë”, tha Kallas.
Kryeministri Edi Rama në konferencën me Kaja Kallas foli edhe samitin e Komunitetit Politik Europian që do të mbahet në Tiranë më 16 maj.
“Dua të bëj një përmbledhje duke u nisur aty ku Kaja mbylli fjalën e saj. Ne jemi duke u përgatitur për samitin e Komunitetit Politik Europian që do bëhet në Tiranë më datë 16 maj, ku do të vijnë të gjithë udhëheqësit e kontinentit demokratik europian, që nga Britania te Azerbajxhani, Suedia, Turqia, për të trajtuar temat e këtij samiti të radhës. Kjo është diçka e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe rajonin, ka një arsye përse ndodh në Shqipëri, besoj që është një vlerësim shumë i madh, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe për ne si aktorë këtu në këtë rajon që është gjithmonë edhe më i rëndësishëm për BE”, tha Rama.
Vizita zyrtare në Shqipëri vjen si pjesë e turit ballkanik që përfshin takime në Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë.
Kjo është vizita e parë e Kallas që nga marrja e detyrës si Përfaqësuese e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së.
/Argumentum.al