Pas më shumë se dy vite rezistence, Teatri Kombëtar u shemb në oret e para të mëngjesit të sotëm.
Forca të shumta të policisë rrethuan zonën duke nxjerrë nga Teatri një pjesë të aktorëve që ishin brenda si dhe kanë ushtruar dhunë edhe ndaj mediave.
Policia rrethoi të gjithë perimetrin e Teatrit duke u dhënë mundësinë fadromave të nisin punën për shembjen e ndërtesës.
Forcat e policisë kanë nxjerrë me dhunë nga godina e teatrit aktorin Neritan Liçaj teksa edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u shoqërua për në komisariat.
Pas hyrjes të forcave të policisë brenda godinës së Teatrit Kombëtar ka dalë regjizori Edmond Budina para medias dhe ka thënë se forcat e policisë kanë hyrë me armë dhe me dhunë brenda mjediseve duke dhunuar në mënyrë të tmerrshme njerëzit. Ky është shtet mafioz, ndaj duhet që populli të ngrihet me forcë kundër këtij regjimi fashist.
Më tej Budina tha se ku është ky ambasadori i BE Soreca që na mashtroi?
Zoti Soreca na kishit dhënë fjalën që do të reagonit, turp i madh, ambasadorja amerikane që bëri një show me shokun Edi, unë i akuzoj të gjithë që këtu kemi një bashkëpunim për të vrarë njerëz. Prandaj them që ky është shtet kriminal, i bëj thirrje presidentit, që është momenti të shpërndahet ai parlament ilegjitim”, u shpreh Budina.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Basha tha se ky veprim i bërë nga Edi Rama shpjegohet me tre fjalë: dhunë, babëzi dhe hajdutëri. “Kjo që ndodhi sot shpjegohet me tre fjalë. Dhunë, babëzi dhe hajdutëri është kjo që ndodhi sot. Përgjegjësi i vetëm për këtë situatë, për prishjen e teatrit, për dhunimin e mediave dhe dhunimin e protestuesve është Edi Rama.
Në fillim policia ka ushtruar dhunë ndaj gazetarëve pastaj ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë dhunuar dhe arrestuar nga policia”- tha Basha.