Nga Dr.Jorgji KOTE
Dy Samitet në Novi Sad dhe në Ohër kanë shkaktuar me të drejtë shumë bujë, zhurmë dhe debate publike. Nuk ka si të ndodhë ndryshe për tema të tilla të nxehta dhe me pasoja; nuk do harruar se jemi Ballkan, jo Benelux apo Balltik. Padyshim, në parim, nisma të tilla rajonale janë të mirëpritura; edhe pse gjatë 20 viteve të fundit ato “kanë mbirë si kërpudha pas shiut”. Problemi kryesor këtu është se këto nisma lançohen pa një përgatitje paraprake serioze, pa analiza tërësore dhe debate ekspertësh mbi kostot dhe humbjet, për sot e për nesër; duke anashkaluar me papërgjegjshmëri të habitshme pasojat në aspektin politik, diplomatik, social, ekonomik, etj. Veç kësaj, për një vlerësim të drejtë të këtyre dy Samiteve duhet qëndruar larg të parit “bardhë e zi”, mohimit apo dhe fetishizimit të ngjarjeve të kësaj natyre. Ndaj, po e shtjelloj nga këndvështrimi i realpolitikës së “pamëshirshme”“Mini-Shengenin ballkanik” me shtatë pikëpyetjet e tij të mëdha.
Së pari, kushdo që e njeh dhe është marrë me marrëdhënie ndërkombëtare, ku kam pasur rastin të jem aktiv në tri dekadat e fundit, e di mirë se një vend me politikë dhe diplomaci serioze, kur lançon dhe mbështet një nismë, aq më tepër rajonale, në radhë të parë analizon dhe vlerëson me kujdes TIMING ose momentin kohor; dmth sa e përshtatshme është një nismë apo samit në momentin e dhënë, a mos është afër, mos bie ndesh apo koincidon me ngjarje të rëndësishme në vendin dhe rajonin tonë? Sepse, një moment kohor i zgjedhur keq bëhet shkas për aludime dhe insinuata të ndryshme. Konkretisht, Samiti tripalësh në Novi Sad më 10 tetor u zhvillua 7 ditë përpara samitit të BE-së dhe vetëm 4 ditë pas zgjedhjeve historike në Kosovë! Kurse Samiti i Ohrit tre javë pas «Jo»-së së BE-së për negociatat, dy javë pas nënshkrimit nga Serbia të Traktatit të Bashkëpunimit me Unionin Euroaziatik dhe stërvitjeve të përbashkëta me Rusinë, ku u përdorën për herë të parë armatime moderne të kësaj të fundit. Ndaj, më 31 tetor, SHBA dërguan në Beograd zyrtarin e tyre më të lartë përkatës për t’i treguar Serbisë se nuk mund të vazhdojë më politikën e qëndrimit në «dy karrike»
Atëherë, çfarë e pengon dikë t’i shohë këto dy samite si mundësi të « arta » për Beogradin, duke lënë në hije këto momente dhe sidomos zgjedhjet në Kosovë ? Në këto situata, a nuk mund të shtyheshin të paktën « me lezet diplomatik » të dy këto takime? Në shtyrjet pa fund në rajonin tonë, nuk do bëhej kiameti.
Së dyti, pas asaj shtyrjeje dhe demarsheve të rastit në kryeqytetet tona, mund të krijoheshin kushtet që të përfaqësoheshin të gjashtë vendet e Rajonit. Në fakt, nuk është i qartë »yryshi» drejt Mini- Shengenit, sidomos nga Serbia, kur kemi CEFTA aktive qysh nga viti 2006 dhe që këtë vit e kryeson Shqipëria!?
Së treti, është tejet e habitshme se si nënvleftësohet/injorohet sfondi historik dhe ngarkesat negative të trashëgimisë jugosllave lidhur me këtë nismë, sidomos në Ballkan, ku ndikimi i të kaluarës është dhe më i qenësishëm. Tentativat jugosllave për krijimin e Federatës Ballkanike 70 vite më parë nëpërmjet bashkimeve doganore, tregtare, monetare, etj. vazhdojnë të mbeten tema intriguese dhe të pashmangshme për politikën dhe diplomacinë. Aq më tepër, kur Presidenti Vuçiç e ka pohuar publikisht se me Mini- Shengenin synohet pak a shumë rikrijimi i ish – Jugosllavisë plus Shqipërinë. Recidivë të ngjashëm historike po shfaqen dhe në rajone të tjera rreth nesh, ndaj nuk ka pse të çuditemi nga këto synime.
Së katërti, ky sfond historik lidhet me disa ndjeshmëri të mëdha politike, publike dhe njerëzore, sidomos në Kosovë, mbasi aty po krijohet qeveria e re; mirëpo, kësaj të fundit, krahas 101 halleve e telasheve të tjera tani do t’i duhet të ndeshet dhe me Mini- Shengenin përballë dilemës « të shkojë apo të mos shkojë në Tiranë më 21 dhjetor». Veç kësaj, Mini-Shengeni e devijon orientimin dhe veprimin e qeverisë së re të Kosovës nga objektivat parësore madhore, sidomos dialogu me Serbinë, lufta ndaj korrupsionit e në të tjera fusha. Aq më tepër kur Kosova humbi mbi një vit me tezat e kufirit.
Së pesti, analiza në fjalë duhet të evidentojë qartë avantazhet përkatëse në aspektin politik, ekonomik dhe të imazhit, d.m.th. kush del më i fituar në këtë mes, për shkak të kontrasteve në zhvillimin ekonomik dhe tregtar në rajon. Për këtë qëllim, veç aspektit ekonomik dhe tregtar, nevojitet krahasimi i përfitimeve politike dhe të imazhit nga kjo nismë, sepse bëhet fjalë për Serbinë, e cila ndodhet vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve të reja dhe me plot probleme të brendshme. Lind pyetja e natyrshme: A nuk do ta shfrytëzonte ajo këtë nismë brenda vendit për marketing politik dhe për të rritur kuotat elektorale të Vuçiç, veçse në dëm të Kosovës? Po jashtë vendit, a nuk i japim pa të drejtë goxha « kulaç » Serbisë kur ajo na tregon vetëm « kërbaç » si dhe « aksesorët » e duhur për zbukurimin e imazhit të saj ndërkombëtar, si gjoja vend i hapur, i dialogut dhe me Shqipërinë, i tregtisë së lirë, ndryshe nga Kosova që aplikon taksa 100 për qind e që po e izolon veten me fjalët e vetë Kryeministrit shqiptar në Ohër ? A nuk spostohet vëmendja ndërkombëtare ndaj agresivitetit serb lidhur me tërheqjen e njohjeve të Kosovës? Atëherë, a nuk është zelli serb për Mini-Shengenin një zëvendësues efektiv ndaj dialogut të munguar Kosovë – Serbi, sipas parimit « business as usual » ?
Po vende të caktuara anëtare të BE-së, a mund ta shohin atë si një Alternativë « B » pas Jo-së së 18 tetorit ? Edhe pse do thënë që në deklaratën e përbashkët është theksuar qysh në fillim përparësia e integrimit europian. Mirëpo nga ana tjetër në takimin në Novi Sad Rama dhe Vuçiç folën për Ballkanin për Ballkanasit. Kurse në Ohër ra në sy tirada retorike « a do të presim ne derisa BE-ja që të……. ? ». Mirëpo, nëse përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve madhore janë pozitive për Serbinë dhe negative për Kosovën, atëherë përse duhet t’i japim «municion» apo «dhurata» Serbisë në fushatat e saj kundër Kosovës? Sepse, sado të mëdha të jenë përfitimet ekonomike dhe tregtare, sërish ato janë «mini» përballë humbjeve të pamatshme politike dhe publike për Kosovën.
Pastaj, përse duhet të bashkëpunojmë me përparësi me Serbinë për nisma të tilla dhe jo me Kosovën? Aq më tepër kur me këtë të fundit, me gjithë demarshet dhe mbledhjet e përbashkëta të qeverive ka aq shumë probleme dhe pengesa dypalëshe. Dhe kryesorja, kemi një Marrëveshje qeveritare për bashkërendim në politikën e jashtme dhe diplomacinë që në këtë rast është shkelur « me të dy këmbët» !!!.
Dihet se nënvleftësimi dhe injorimi i këtyre aktorëve/faktorëve ndikon në uljen e besueshmërinë së kësaj nisme dhe në mungesën e konsensusit të nevojshëm. Edhe pse argumentet mbi dobinë e Shengenit Ballkanik në pamje të parë të bindin, ato humbasin vlerën dhe zveniten kur hyn në detaje, ku « fshihet djalli ». Ndaj, Shengeni i vogël po kundërshtohet ashpër nga opozita, ekspertë biznesi dhe pjesë të shoqërisë civile në Shqipëri dhe pothuajse nga gjithë spektri politik në Kosovë. Kjo rrezikon krijimin e një të çare të re « mes vedi » kur na duhet si asnjëherë kohezion politik dhe diplomatik. E pra, pa këtë konsensus dhe besueshmëri mbarëkombëtare, do të jetë tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur që Mini-Shengeni të ketë sukses, me gjithë mbështetjen e natyrshme në parim nga aleatët.
Shqetësimi tjetër madhor ka të bëjë me mungesën e komunikimit cilësor dhe pozitiv nga ana jonë, duke filluar nga gjuha e përdorur në Konferencat e Shtypit. Kështu, do të ishte shumë më mirë që në vend të qortimit për vetëizolimin e Kosovës në prani të Vuçiç, të përdorej një gjuhë më e qetë, më fine dhe pohuese; po ashtu dhe në retorikën ndaj BE-së; në fund të fundit jemi vend i vogël dhe me halle të mëdha nga çdo pikëpamje, ku përmasat fizike të liderëve nuk kanë kurrfarë roli politik. Po ashtu, taktika « merre ose lere » ( take it or leave it) dhe e « mbylljes së gojës » nuk ka fare vend me Kosovën, sidomos për aspekte të tilla madhore. Përkundrazi, komunikimi dhe kultura politike evropiane kërkojnë etikë, respekt ndaj mendimit ndryshe, durim dhe kohën e vet por pa nxitim, sepse siç e kemi vërtetuar disa herë “kush nxiton, vonon”./gsh