Në Kosovë u konfirmua të dielën viktima e parë nga koronavirusi.Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se viktima është një pacient 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.
“Pacienti i lindur më 1938, fshati Dumnicë, Komuna e Podujevës, është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020, në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas”.
“Pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore”, thuhet në njoftim. Deri tani, në Kosovë janë shënuar 31 raste me virusin COVID-19.
Ndërsa situata në Maqedoni duket se po precipiton më shpejt. Numri i të prekurve me coronavirus në Maqedoninë e Veriut ka mbërritur në 114 raste, me 29 raste të reja vetëm gjatë ditës së sotme.
Ministri i Shëndetësisë në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se në vendin tonë tashmë kemi rastin e parë të vdekjes nga virusi korona. Bëhet fjalë për një grua 57 vjeçare nga Kumanova.
“Kemi rastin e parë të vdekjes nga koronavirusi. Është diagnostifikuar pas vdekjes mbrëmë vonë në Kumanovë. Bëhet fjalë për grua të moshës 57 vjeçe. Sa i përket pranimit dhe tretmanit, dua të them që kolegët kanë vepruar në bazë të protokollit. Me kohë janë bërë dy teste, që të dy testet kanë treguar rezultat negativ, ajo është trajtuar në izolim. Periudha e izolimit ka ndodhur javën e kaluar. Është marrë bris edhe pasi është konstatuar vdekja dhe ka rezultuar pozitiv”, tha mes tjerash Filipçe.
Ai njoftoi se për momentin në Klinikën Infektive po kurohet edhe djali i viktimës i cili është i moshës 33 vjeçe. “Është hospitalizuar edhe djali i viktimës dy tre ditë pas saj, gjatë javës së kaluar. Ai është 33 vjeç ndërsa gjatë ditës së djeshme ka pasur komplikime dhe është izoluar në Klinikën e Pulmologjisë ndërsa më pas sipas protokollit është transportuar në Klinikën Infektive”, theksoi Filpçe.
argumentum.al
© Argumentum