Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nëse nuk do të dixhitalizimi i shërbimeve, tërmeti dhe pandemia nuk do ishte përballuar siç ka ndodhur deri më tani. Ai ka bërë një pasqyrim të shifrave, ku tha se nëpërmjet shërbimeve online shqiptarët kanë kursyer 4 mln euro dhe 472 vjet pritje në radhë.
“Nuk do kishim përballuar nëse nuk do ishim në fazën e këtij revolucioni, përfytyroni vetëm për një cast se çfarë do mund të bënim nëse në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti më parë, nuk do kishim mundësi t’u shërbenim qytetarëve në nevojë për të dalë nga shtëpia. Parafytyroni nëse sikur kjo ngjarje shumë e rëndë, do të na kishte gjetur në kohën kur, ky shtet kishte vetëm 1% të shërbimeve online, dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve. Ndërkohë që sot, nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion kemi 1207 shërbime dhe nga 50 mijë përdorues kemi 1.87 mln përdorues. Nga 51 mijë aplikime, për shërbimin online për 2013 sot në 2021 kemi 7.7 mln. Nëse në 2013 kishte vetëm 6 regjistra elektronikë, me total 680 mijë transaksione sot ka 55 data bazë me 145 transaksione, ndërveprime, 211 herë më shumë. Nga ana tjetër, kemi bërë një llogari dhe pa këtë revolucion deri në këtë fazë ku ka ardhur ne do të kishim konsumuar 472 vjet pritje në radha, janë shkurtuar 472 vjet kohë pritje në radha, si kohë e harxhuar. Vetëm gjatë pandemisë janë shërbyer 1.2 mln biznese, janë kursyer 293 vite pritje dhe në total qytetarëve u janë kursyer 4 mln euro që do kishin shkuar për tarifat minimale për dokumente në radhë pa llogaritur kursimet e bakshisheve dhe ryshfet që ky sistem i asgjëson komplet. 95% e shërbimeve janë online“, tha Rama.