Genc Mlloja
Megjithë përpjekjet e vazhdueshme konstruktive të Kinës për të zhvilluar në mënyrë paqësore marrëdhëniet me SHBA si me vendet e tjera të botës të zhvilluara apo në zhvillim Uashingtoni vazhdon kursin e vet të minimit të tyre, duke krijuar situata tensioni njëra pas tjetrës nga më të ndryshmet dhe madje duke abuzuar edhe me gjoja kërcënimin kinez. Akti më i fundit destruktiv regjistrohet lidhur me planin e administratës amerikane për ti shitur armë Tajvanit në shkelje flagrante të konsensusit të arritur midis krerëve të dy vendeve në samitin e fundit të Balit, ku Presidenti Biden i deklaroi Presidentit Xi Jinping se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin “pavarësinë e Tajvanit”, nuk mbështesin “dy Kina” ose “një Kinë, një Tajvan”, si dhe të përmbajtjes së tre komunikatave Kinë-SHBA mbi çështjen e Tajvanit.
Konkretisht bëhet fjalë për planin e parë për vitin 2023, që parashikon një marrëveshje me vlerë prej 619 milionë dollarësh të miratuar nga administrata e presidentit amerikan për ti shitur Tajvanit raketa e pajisje për avionë luftarakë. Madje shtypi amerikan si CNN jepte hollësira specifike për llojet e armatimeve, që përfshijnë municione për avionët F-16 si dhe raketa të llojeve të ndryshme.
Ky veprim demonstrativ i Uashingtonit në planin ushtarak për armatosjen e mëtejshme të Tajvanit në fillim të vitit 2023, që është edhe kohë kur shtohen ethet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale ne SHBA, është vazhdimësi e taktikës amerikane për të minuar sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës duke përdorur ‘kartën e Tajvanit’, çka në mënyrë të pashmangshme dëmton më tej frymën e marrëdhënieve Kinë-SHBA dhe kërcënon paqen dhe stabilitetin nëpër ngushticat e Tajvanit.
Si në raste të mëparshme Kina ka dënuar ashpër këtë veprim të administratës amerikane. Mao Ning, një zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Jashtme tha në një konferencë të rregullt për shtyp më 2 mars se shitjet e armëve të SHBA në rajonin e Tajvanit të Kinës shkelin seriozisht parimin e një Kine dhe përcaktimet e tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, sidomos Komunikatën e 17 gushtit.
“Ne i nxisim SHBA që t’i përmbahet parimit të një Kine dhe tre komunikatave të përbashkëta Kinë-SHBA, të ndalojë shitjen e armëve dhe kontaktet ushtarake me Tajvanin dhe të ndalojë krijimin e faktorëve që mund të çojnë në tensione në ngushticat e Tajvanit. Kina do të vazhdojë të marrë masa të vendosura dhe të forta për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe interesat e sigurisë”, tha zëdhënësi.
Nga ana e saj Ma Xiaoguang, zëdhënëse për Zyrën e Çështjeve të Tajvanit në Këshillin e Shtetit, tha në një deklaratë po më 2 mars se SHBA duhet të ndalojë së luajturi me zjarrin për çështjen e Tajvanit dhe duhet ta trajtojë atë me shumë kujdes. Përpjekjet për t’i rezistuar ribashkimit me forcë dhe për të kërkuar “pavarësi” me ndihmën e SHBA-së janë të destinuara të dështojnë, tha Ma.
Kurse ekspertë ushtarakë kinezë nxjerrin në dritë fakte që tregojnë se armatimet e parashikuara për t’iu shitur Tajvanit nuk janë armë mbrojtëse, përkundrazi ata kanë karakter sulmues fakt që është përcjellë gjerësisht edhe nga propaganda mediatike amerikane.
Song Zhongping, një ekspert ushtarak kinez dhe komentator televiziv, i tha Global Times se raketat janë armë sulmuese, që do të përdoren në avionët luftarakë F-16 të ishullit, duke synuar instalimet e radarëve dhe avionët luftarakë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze (PLA). Shtetet e Bashkuara po insistojnë në inkurajimin e autoriteteve të Tajvanit që t’i rezistojnë ribashkimit me forcë, gjë që po i shton benzinë zjarrit në marrëdhëniet ndërmjet ngushticave dhe po e rrezikon më tej paqen, tha Song.
Por krahas qëndrimeve diplomatike dhe opinioneve të ekspertëve Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze si dhe në raste të mëparshme ka demonstruar forcën e saj duke i dërguar mesazhe të prera Uashingtonit se çështja e Tajvanit është piketa e kuqe dhe nuk duhet shkelur se ka të bëjë me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. Është njëlloj sikur të luash me zjarrin. E përballë situatave të tilla Kina i ka marrë të gjitha masat mbrojtëse dhe sikurse pohojnë analistët ushtarakë kinezë PLA ka një avantazh dërrmues ushtarak ndaj forcave të armatosura në ishullin e Tajvanit. Pjesë e veprimeve të saj ushtarake në terren ishin edhe veprimet e rreth 29 avionëve dhe katër anijeve të PLA rreth ishullit të Tajvanit midis datave 1 dhe 2 mars kur 21 prej avionëve hynë në zonën e vetëshpallur të identifikimit të mbrojtjes ajrore jugperëndimore të ishullit. Këtë njoftim e shpërndante autoriteti i mbrojtjes së ishullit më 2 mars.
Ky zhvillim më i fundit që lidhet me cënimin flagrant të sovranitetit të një prej fuqive më të mëdha në botë sikurse është Kina tensionon më tej skenarin luftënxitës amerikan ndaj sigurisë në mbarë botën, e cila aktualisht po përjeton pasojat e luftës në Ukrainë kur ajo ka hyrë tashmë në vitin e dytë të saj me perspektiva të errëta për ti parë fundin. Dhe luftimet midis forcave ruse dhe ukrainase vazhdojnë të ashpra me humbje jetë njerëzish dhe shkatërrime masive, e në këtë përballje ushtarake një rol të veçantë po luajnë SHBA dhe NATO, aleancë e kryesuar prej saj, me armatimet më moderne, që kanë dërguar në Ukraine gjatë vitit të kaluar sasia e të cilave, sipas njoftimeve zyrtare, do të shtohet më tej këtë vit.
Kur çdo gjë bëhet në dritë të diellit lidhur me armatosjen e Ukrainës administrata amerikane guxon të bëjë aludime lidhur me furnizime ushtarake kineze të Rusisë, kur dihet dhe është pranuar botërisht se Kina nuk i ka dërguar ndihma ushtarake as Rusisë as Ukrainës, sepse në fakt Pekini zyrtar i është përmbajtur fort promovimit të paqes dhe zgjidhjeve politike përmes diskutimeve të palëve ndërluftuese. Dhe e vërteta është se të dy palët e kanë vlerësuar një qëndrim të tillë të Kinës dhe prandaj shumica e njerëzimit shikon një rreze shprese në kontributin kinez në zgjidhjen e konfliktit.
Kurse, nga ana tjetër, me të drejtë lind pyetja: a mundet SHBA të kontribuojë në promovimin e dialogut për një marrëveshje paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës, kur ajo mban ndezur flakët e luftës gjatë gjithë konfliktit me furnizimet me armatime të Ukrainës? Po kështu, si mund të ndihmojë Uashingtoni për të ulur në tryezë të bisedimeve Ukrainën dhe Rusinë kur këtë të fundit e trajton si armike? E për të vazhduar me bëmat famëkeqe luftënxitëse të pafund amerikane, që po e bëjnë gjithnjë më të papranueshme politikën e saj luftënxitëse në tokat e të tjerëve e jo në tokën e saj midis popujve spikat vazhdimi i armatosjes së një grupi ekstremist separatist në ishullin e Tajvanit.
Pikërisht kjo politikë hegjemoniste që në vend të ndihmave humanitare ushqimore apo mjekësore u imponon vendeve të tjera që e pasojne të blejnë plumba, armët vrastare, që veç konflikte gjakatare kanë ndezur në të katër anët e botës prej dekadash që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Nuk ka asnjë mëdyshmje se Kina me pontencialin e saj ushtarak mbrojtës nuk do të lejojë që luftënxitësit në Pentagon ta kthejnë ishullin e Tajvanit si Ukrainën e sotme ashtu sikurse edhe kanë pretenduar, por do të marrin përgjigjen e merituar si në shumë raste në shkallë botërore. Dhe më i fundit ishte Afganistani kur shpura amerikane e vetëshpallur më e fuqishme në botë braktisi frontin duke ikur fshehtas natën pa hënë duke lënë pas një katraurë të vërtetë pas dy dekadash pushtim.
Prandaj mbështetja ndaj të ashtuquajturit ‘pishtari i demokracisë’ amerikane ka ardhur duke u zvenitur në mbarë botën dhe e shikoj me vend ti referohem vlerësimit të bërë nga studiuesi i shquar politik e ekonomik Les Nemethy, themelues dhe president i fondacionit Euro-Phoenix në një intervistë botuar në gazetën Albanian Daily News më 6 mars 2023. Sipas tij, vetëm vendet e OECD-së mbështesin qëndrimin e SHBA-së për Ukrainën, ndërsa vendet në zhvillim, duke përfshirë Kinën, Indinë, Indonezinë, Pakistanin, etj. nuk e mbështesin qëndrimin amerikan, që do të thotë se vetëm afërsisht një e treta e popullsisë botërore mbështet pozicionin e SHBA-së. Sipas tij, izolimi i Shteteve të Bashkuara në skenën botërore po rritet e shumë lexues nuk do të jenë aq të moshuar sa të mos kujtojnë lëvizjen e vendeve të paangazhuara në vitet 1960 dhe 70, të cilat thithën shumë oksigjen nga hapësira e SHBA-së për manovrime në botën në zhvillim.
Në këtë kontekst është me vlerë të evidentohet fakti se sa i ndryshëm është qëndrimi i organizatave ndërkombëtare dhe vendeve të ndryshme ndërmjet Kinës dhe SHBA sa i përket sigurisë dhe paqës në botë dhe konkretisht lidhur me luftën në Ukrainë. Duke iu referuar dokumentit me titull “Qëndrimi i Kinës mbi zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës” publikuar më 24 shkurt 2023 nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës me rastin e njëvjetorit të konfliktit Rusi-Ukrainë, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, u shpreh se projekti i Kinës është një kontribut i rëndësishëm, veçanërisht kundërshtimi i përdorimit ose kërcënimit të armëve bërthamore është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Këtë dokument e vlerësuan edhe analistë të vendeve të ndryshme europiane.
Kështu për shembull ish-drejtori i Departamentit të Punëve Europiane dhe Ndërkombëtare të Shtetit të Hesenit të Gjermanisë, dr. Michael Borchmann, u shpreh se dokumenti i Kinës ka paraqitur sugjerime të qarta për t’i dhënë fund krizës së Ukrainës. “Nuk dëshirojmë të shohim ndarje të reja të Europës, as kundërvënie të reja. Ne duam garantimin e paqes. Dua të ritheksoj shprehjen e kancelarit të ndjerë (gjerman) Helmut Schmidt: ‘Më mirë 100 orë bisedime të kota sesa një minutë të shtëna’”.
Kurse ish-konsulli i përgjithshëm i Polonisë në Shangai Sylwester Szafarz tha se intensifikimi i konkurrencës për “sfera ndikimi” ka çuar në rritjen e adventurizmit të SHBA-së në përmasë botërore, sidomos në Azi-Paqësor dhe Europën Qendrore e Lindore. “SHBA-ja e ka provokuar Rusinë nëpërmjet Ukrainës dhe e ka provokuar Kinën nëpërmjet Tajvanit. Midis tyre ka lidhje të dukshme bashkekzistuese. Me anë të metodave të tilla, SHBA-ja synon rifitimin e statusit të humbur, si edhe forcimin e ndikimit të vet në arenën ndërkombëtare”, tha z. Szafarz.
Ndërkohë Zheng Jianbang, kryetar i Komitetit Qendror të Komitetit Revolucionar të Kuomintang Kinez (RCCK), tha më 5 mars se RCCK e konsideron gjithmonë përparimin e ribashkimit paqësor të Kinës si fokusin e punës së saj.
Zheng e bëri këtë koment në një konferencë shtypi, të cituar nga Xinhua, në margjinat e sesionit të parë të Komitetit të 14-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (CPPCC), organi më i lartë këshillimor politik i Kinës.
RCCK, e themeluar në janar 1948, është një nga tetë partitë jokomuniste në Kinë që marrin pjesë në çështjet shtetërore nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës. Zheng u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror të 14-të të RCCK-së në dhjetor 2022.
Kryetari i kësaj partie Zheng vuri në dukje se RCCK ka marrëdhënie historike me Tajvanin dhe do ta përdorë këtë avantazh për të ndihmuar të rinjtë e Tajvanit të zhvillohen në kontinentin kinez, të përmirësojë shkëmbimin dhe integrimin mes njerëzve përgjatë ngushticës së Tajvanit dhe të krijojë lidhje më të ngushta midis njerëzve në të dyja anët e ngushticës.
Përballë qëndrimit mbarëkombëtar të popullit kinez në mbështetje të plotë të ribashkimit të vendit të vet gjëja më normale do të ishte që SHBA ti përmbahet frymës së klauzolave të dokumenteve zyrtare të vulosura prej saj lidhur me marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës dhe kësisoj të ndalojë provokimet për çështjen e Tajvanit sikurse është rasti më i fundit i planit për ti shitur armatime ishullit tajvanez. Vetëm në këtë mënyrë administrata amerikane mund të bind Kinën se është e sinqertë në përmirësimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA, duke hequr dorë nga luajtja e ‘kartës së Tajvanit’ për të frenuar Kinën dhe për të penguar ribashkimin e këtij vendi të madh. Do të ishte një gabim tjetër i politikës amerikane ndaj Kinës, por edhe ndaj paqës e sigurisë ndërkombëtare nëse ajo udhëhiqet nga mentaliteti i vjetër hegjemonist, duke menduar se nëse vazhdon me provokacionin e saj arrogant të riarmatosjes së Tajvanit Kina do të rri duarkryq.
Përkundrazi politikë bërësit në Uashington duhet ta kenë parasysh zotimin e Presidentit Xi Jinping në seancën e hapjes së Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës më 16 tetor 2022 kur deklaroi se zgjidhja e çështjes së Tajvanit është një çështje e kinezëve, një çështje që duhet të zgjidhet nga kinezët. “Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për ribashkim paqësor me sinqeritetin më të madh dhe përpjekjet maksimale, por nuk do të premtojmë kurrë se do të heqim dorë nga përdorimi i forcës dhe ne rezervojmë mundësinë e marrjes së të gjitha masave të nevojshme. Kjo është e drejtuar vetëm ndaj ndërhyrjes së forcave të jashtme dhe atyre pak separatistëve që kërkojnë ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe aktiviteteve të tyre separatiste; kjo nuk është aspak e drejtuar ndaj bashkatdhetarëve tanë tajvanezë”, tha Xi. Sipas Presidentit, rrotat e historisë po rrotullohen drejt ribashkimit të Kinës dhe përtëritjes së kombit kinez. “Ribashkimi i plotë i vendit tonë duhet të realizohet dhe pa dyshim që mund të realizohet!” është mesazhi më kuptimplotë, që SHBA e pasuesit e tyre duhet ta kenë mirë parasysh në veprimet e mëtejshme./CRI