Parlamenti i Maqedonisë u mblodh për të diskutuar mbi ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë në Preambulë pakicën bullgare, një kusht ky nga Bashkimi Evropian që nëse miratohet do të mundësonte vazhdimin e fazës së dytë të bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE.
Por, për këtë nevojiten 2/3 e votave në parlament dhe shumica parlamentare nuk i ka, ndërsa pa votat e VMRO-DPMNE-së së opozitës ky ndryshim nuk mund të realizohet. VMRO-ja thotë se procesi po bëhet sipas diktatit bullgar. Ajo akuzon pushtetin për tradhëti ndaj interesave kombëtare maqedonase.
Ndërkaq, kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili është dhe kryetar i Lidhjes Social Demokrate thotë se 80 votat e nevojshme nuk i duhen kësaj qeverisjeje për të mbijetuar por i duhen integrimit dhe rrugës evropiane të vendit.
“Ky vendim ka një dimension të lartë shtetëror dhe për këtë duhet arsye, vizion dhe mençuri. Ju sigurojmë se ky vendim është më i miri i mundshëm; nuk rrezikon, por hapë perspektivë dhe shmang izolimin; ofron shansin e fundit dhe pengon vendnumërimin, padrejtësinë, kriminalitetin dhe korrupsionin”, tha zoti Kovaçevski, gjatë prezentimit të tekstit për ndryshimin e Kushtetutës.
Fjalimi i tij u përcoll me duartrokitje nga shumica parlamentare.
“Nëse ndryshimi i Kushtetutës do të ishte një faktor euro-integrues, ne sot do të kryesonim me Bashkimin Evropian, por nuk është kështu”, u shpreh deputetja e VMRO-së Gordana Siljanovska.
Opozita maqedonase ngul këmbë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme si opsion i vetëm i çuarjes përpara të proceseve. Kryetari i saj Hristijan Mickovski është shprehur në një intervistë të fundit televizive se “edhe nëse Maqedonia do ta plotësonte kushtin e Bullgarisë, askush nuk garanton, sipas tij, se vendi do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”.
Por, kjo retorikë e VMRO-së kundërshtohet nga Lidhja Social Demokrate dhe partitë shqiptare në pushtet:
Bashkimi Demokratik për Integrim thotë se seanca plenare për ndryshmet kushtetuese do të jetë përcaktuese për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi tha se në bazë të rregullores së punës së parlamentit për propozimin e fillimit të ndryshimit të Kushtetutës mbahet diskutim në tërësi që mund të zgjasë më së shumti dhjetë ditë pune.
Por, njohësit e rrethanave mendojnë se do të ketë zvarritje për muaj të tërë të procesit, megjithëse Bashkimi Evropian pret që pakica bullgare të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut deri në muajin nëntor, në mënyrë që vendi të vazhdojë fazën e dytë të bisedimeve për anëtarësim.
Shumicës parlamentare, e cila besohet se për këtë ndryshim të kushtetutës do të ketë mbështetjen e nëntë ligjvënësve shqiptarë të opozitës apo të pavarur – i duhen edhe tetë vota të deputetëve të VMRO-së që aktualisht duket një gjë e paarritshme.
Nga ana tjetër, disa deputetë shqiptarë kërkojnë që gjatë këtij procesi të hiqet edhe terminologjia e “20 përqindëshit” që i referohet gjuhës shqipe dhe shqiptarëve në Kushtetutë e që shikohet si përçmuese nga shqiptarët, por shumica parlamentare është shprehur qysh më herët se çështje parësore tani është futja e pakicës bullgare në Preambulë.
“Ka qenë një ditë e gjatë sot në Parlament, por edhe këtu në Qeveri. Sot me votimin e rendit të ditës ka nisur procesi i ndryshimeve kushtetuese. Sot në Kuvend u bë e qartë se kush me të vërtetë dëshiron që Republika e Maqedonisë së Veriut të bëhet një shtet i begatë i BE-së dhe kush dëshiron të bllokojë të ardhmen evropiane. Sot u vërtetua se ideologjia e vetme e VMRO-DPMEN-it është bllokada dhe izolimi, dhe qytetarët me orientim pro-evropian nuk do ta harrojnë dhe do ta falin. VMRO-DPMNE tregoi se nuk kanë pasur argumente dhe se nuk ka pasur ide për diskutim dhe se nuk kanë zhvilluar debat. Me shumë lehtësi tregojnë se janë të gatshëm të bllokojnë të ardhmen evropiane të qytetarëve. Nëse ata nuk dinë të debatojnë dhe të debatojnë në shtëpi, si mund të presim që ata të debatojnë jashtë dhe me komunitetin ndërkombëtar.
Qëllimi i tyre është të bllokojnë dhe shpëtojnë karrierat e tyre politike. Është e qartë si dita që qytetarët duan të jetojnë në Bashkimin Evropian. Mbi 80 për qind e qytetarëve duan të jetojnë në BE dhe këtë e tregojnë të gjitha anketat
. Ata duan që fëmijët e tyre të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndërtojnë Bashkimin Evropian këtu. Republika e Maqedonisë së Veriut praktikon vlerat evropiane dhe meriton të jetë anëtare e plotë e BE-së pas anëtarësimit në NATO. Para nesh është një shans unik për të konfirmuar rrugën evropiane, për të përshpejtuar integrimin evropian dhe për të arritur këtë objektiv evropian deri në vitin 2030. Kjo është e ardhmja jonë, integrimi, jo izolimi. Të gjithë e mbajmë mend se si VMRO-DPMNE votoi kundër anëtarësimit në NATO. Nuk do të lejojmë që e ardhmja e qytetarëve të bllokohet nga VMRO-DPMNE. Ne vazhdojmë të sigurojmë një shumicë për të vazhduar në rrugën evropiane”, tha Kovaçevski në një konferencë për shtyp.
Kujtojme se ndryshimet e fundit kushtetuese u bënë më 11 janar të vitit 2019, kur ligjvënësi miratoi amendamentet XXXIII, XXXIV, XXXV, XXXVI të Kushtetutës, të cilat hynë në fuqi me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes Përfundimtare për Zgjidhjen e Diferencave të përshkruara në Rezolutat 817. (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për përfundimin e vlefshmërisë së Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe për krijimin e një partneriteti strategjik ndërmjet palëve dhe ratifikimin e Protokollit të Aderimit në NATO nga faqja e Parë e Marrëveshjes Përfundimtare.
Me to ndryshohet emri i shtetit nga “Republika e Maqedonisë” në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, bëhen ndryshime në Preambulë, garantohet sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia politike e shteteve fqinje dhe kujdesi për diasporën.
/Argumentum.al