Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë përfundoi takimin e 30-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm me njoftimin nga kryesuesi në largim, për “shpëtimin e organizatës” pas bllokadës që i kishte bërë Rusia.
Megjithatë, Federata Ruse vazhdon ta bllokojë buxhetin e OSBE-së, ndonëse lejoi që kryesimi i radhës t’i kalojë Maltës. Kjo bëhet me konsensus nga të gjitha 57 vendet anëtare të organizatës.
“Nuk ka pasur një pazar me Rusinë për këtë”, theksoi Bujar Osmani, kryesues aktual i OSBE-së.
Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Shmidt shjegoi rrethanat nëse nuk miratohet buxheti deri në fund të dhjetorit. “Atëherë sipas rregullave financiare të organiztës, ajo funksionon në bazë të alokimit të fondeve të përkohshme nga buxheti i fundit dhe ky është ai i vitit 2021”, tha ajo.
Drejtuesit e OSBE-së nuk mund të thonë nëse kjo do të ndikojë në sigurinë e përgjithshme, që është një nga parimet dhe veprimtaritë kryesore të organizatës, por me siguri do të ketë ndikim tek misionet e saj. OSBE-ja ka misione të mëdha në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë në Maqedoninë e Veriut dhe në disa shtete të tjera.
Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani i pyetur në një konferencë shtypi për rolin e organizatës në zhvillimet në mes Serbisë dhe Kosovës tha se vendi i tij ishte organizator i dialogut në Ohër midis Serbisë dhe Kosovës që rezultoi në marrëveshjen e Ohrit, e cila vlerësohet si mënyra e vetme e arritjes së marrëveshjes që ka për bazë, siç tha, njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se takimi i OSBE-së në Shkup ndodhi në një kohë të jashtëzakonshme.
“Kur jemi dëshmitarë të një lufte të hapur kundër Ukrainës dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj konceptit të multilateralizmit, ndërsa janë shtuar vuajtjet e njerëzve”, tha ai.
Ministri i jashëtm i Maltës, Ian Borg, i cili do të marrë kryesimin e radhës të OSBE-së tha se duhet përqendruar tek përfundimi i luftës dhe konfliktit.
“Lufta dhe agresioni i Rusisë kundër Ukrainës duhet të ndërpritet”, shtoi ai. Zoti Borg theksoi përkushtimin mbi përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive në muajt e ardhshëm “në frymën dhe parimet e Aktit Final të Helsinkit”, deklaroi ai.
Vendi i tij do të marrë Presidencën e OSBE-së më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Maqedonia e Veriut, ndërkohë është vlerësuar për rolin dhe drejtimin e organizatës, së fundmi dhe nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Nga ana tjetër, Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov duke folur të premten në një konferencë shtypi në Shkup tha se mbetet indiferent ndaj të ardhmes së organizatës.
Zoti Lavrov erdhi në takimin e 30-të Ministror të OSBE-së pasi qeveria në Shkup i hoqi masat kufizuese për uljen e aeroplanit të të tij. Kjo ishte hera e parë që ai merr pjesë në një tribunë në një vend evropian, duke përjashtuar Bjellorusinë, aleate e ngushtë e Moskës, që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.
Për këtë shkak, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba e bojkotoi konferencën, njësoj siç vepruan edhe homologët e tij të Polonisë dhe të vendeve baltike.