Keshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut vendosi njëzëri të marten për ta shkarkuar nga posti kryetarin e Gjykatës së Lartë, Jovo Vangellovski “për shkak të punës joprofesionale dhe të pandërgjegjshme”, siç thuhet në një njoftim për media të Këshillit. Kërkesa për shkarkimin e tij ishte ngritur që para dy vjetësh për shkak të vendimit për heqjen e masës së paraburgimit një biznesmeni, i cili më pas u arratis.
Zoti Vangellovski mund ta ankimojë vendimin e Këshillit gjyqësor, por për ankesën e tij eventuale përsëri duhet të mblidhet Këshilli gjyqësor prej nëntë anëtarësh i përbërë nga tre gjykatës të Gjykatës së lartë, nga një prej gjykatave rajonale të Apelit dhe dy gjykatës nga gjykata prej nga vjen vetë Jovo Vangellovski.
Ai nuk mori pjesë në seancën e Këshillit gjyqësor. Ai e ushtroi detyrën e kryetarit të Gjykatës së lartë në dy mandate, nga 2008 – 2012 dhe nga viti 2017 deri më tani.
Gjykata e lartë nën drejtimin e tij i shpalli si të paligjshme të gjitha hetimet dhe aktakuzat nga Prokuroria e Posaçme të ngritura pas qershorit të vitit 2017. Kundërshtarët politik të VMRO-DPMNE-së e kanë akuzuar gjykatësin si dorë e zgjatur e pushtetit të kaluar që bllokonte lëndët dhe akuzat e ngritura kundër zyrtarëve dhe njerëzve të afërt me këtë parti.
Këshilli Gjyqësor emëroi Faik Arsllanin për kryetar në detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës së Lartë.
Autoritetet maqedonase, nga ana tjetër po përpiqen të bëjnë reforma në gjyqësor duke u përgatitur për miratimin e ligjit për Prokurorinë publike. Me këtë ligj do të vendosej edhe për të ardhmen e Prokurorisë së Posaçme që u themelua rreth katër vjet më parë për të hetuar kriminalitetin dhe korrupsionin në radhët e politikanëve dhe personaliteteve të profileve të larta në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut./VOA