Përvjetori i 151-të i lindjes së Goce Dellçevit, figurës historike për të cilën kanë pretendime Shkupi dhe Sofja, është shënuar të shtunën afër varrit të tij në Shkup, nën masa të rrepta të sigurisë dhe kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.
Goce Dellçev ka udhëhequr një rezistencë maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në periudhën e vitit 1900.
Delegacioni shtetëror maqedonas dhe ai bullgar kanë nderuar figurën e tij, duke dërguar lule te varri i Dellçevit.
Zyrtarët bullgarë, që kanë paralajmëruar se do të jenë prezentë në ceremoninë përkujtimore, kanë pritur disa orë në kufirin me Maqedoninë e Veriut si pasojë e atyre që janë konsideruar probleme teknike në sistemin e kontrollit kufitar.
Por, zyrtarët bullgarë kanë dyshuar se bëhet fjalë për “gabim të qëllimshëm” për të penguar shkuarjen e bullgarëve në Shkup.
Tre shtetas bullgarë ndalohen në kufi me Maqedoninë e Veriut
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se autoritetet maqedonase kanë ndaluar të shtunën tre shtetas bullgarë në pikën kufitare me Bullgarinë, Deve Bair, për prishje të rendit publik.
Ata kanë qenë duke pritur për të hyrë në Maqedoninë e Veriut për të nderuar figurën Dellçevit.
“Ata fillimisht janë sjellë në mënyrë të paturpshme dhe të pahijshme me fjalët më nënçmuese dhe më pas kanë tentuar të sulmojnë fizikisht punonjësit e policisë, të cilët po kryenin veprime zyrtare, me ç ‘rast janë ndaluar dhe po punohet për zbardhjen e plotë të rastit”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Autoritetet maqedonase kanë bërë thirrje gjatë ditës për festë paqësore dhe dinjitoze të këtij përvjetori.
“Porositë e Dellçevit për unitet dhe kohezion, kur bëhet fjalë për interesat kombëtare dhe qëllimet strategjike shtetërore, janë po aq të rëndësishme edhe sot dhe janë obligim i shenjtë për të gjithë. Ne sot po e ndërtojmë Republikën e Maqedonisë së Veriut në një shoqëri për të gjithë qytetarët. Pas aleancës më të madhe të sigurisë, NATO, që tashmë është një realitet, ne po e integrojmë vendin edhe në familjen e kombeve dhe shteteve evropiane, si një anëtar i plotë dhe i barabartë i Bashkimit Evropian”, ka thënë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në një postim në Facebook.
Me një pankartë me mbishkrimin “Goce është Maqedoni” në manifestim ka marrë pjesë edhe një delegacion i parisë maqedonase në opozitë, VMRO DPMNE.
Kryetari i saj, Hristijan Mickoski, ka thënë se nuk është kundër që Goce Dellçevi të përkujtohet dhe nga shtetas të Bullgarisë, por vetëm si “revolucionar maqedonas”.
“Politikanët tuaj po na kthejnë në mesjetë, nuk po na çojnë në shekullin e 21-të. Në vend që të flasim për inteligjencën artificiale, shkëmbimin e teknologjive, ata na kthejnë në mesjetë. Për të fituar pikë të vogla, politikanët bullgarë, po i bëjnë vetes atë që nuk duhet të bëjnë. Ata bëhen interpretues të cirkut të estradës nga politikanët”, ka thënë Mickoski duke kritikuar edhe Qeverinë maqedonase për “kaos, vjedhje dhe ndasi të thella në shoqëri”.
Tensionet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë rritur në nëntor të vitit të kaluar kur pjesëtarë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, hapën në Manastir dhe Ohër klube bullgare me emrat: “Car Borisi i Tretë” dhe “Vanço Mijallkov”, të cilët kanë sunduar Bullgarinë në periudhën e Perandorisë Osmane, me synimin e “bashkimin e tokave maqedonase me Bullgarinë”.
Një pjesëtar i këtij klubi, më 16 janar, është sulmuar fizikisht, gjë që rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, duke çuar në tërheqjen e ambasadorit bullgar nga Shkupi.
Dy shtetet fqinje, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, që nga viti 2017 – kur kanë nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë – nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet historike.
Mes tjerash, shtetet kanë mospajtime për prejardhjen e shumë personaliteteve historike, përfshirë edhe Goce Dellçevin, dhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase, pasi bullgarët pretendojnë se ato kanë “rrënjë bullgare”.