Në Shqipëri, muaji Shkurt shënoi të dhënat më negative të pandemisë që nga fillimi i saj në mars të vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se numri i viktimave u ngjit në kuotën e 423 personave të cilët humbën jetën në spitale, niveli më i lartë i rregjistruar deri më tani, ose i barabartë me 23 përiqnd të totalit të përgjithshëm të vdekjeve. Krahasuar me janarin, rritja është prej gati 49 përqind. Ndërsa si mesatare ditore, është akoma më e lartë, për shkak të diferencave mes dy muajve: 6.6 vdekje në ditë në Janar dhe 15.1 në Shkurt. Numri i viktimave është ndjeshëm më i rritur edhe se muaji dhjetor, kur pandemia shënoi një tjetër kulm të saj me 364 persona që kishin humbur jetën.
Gjatë muajit shkurt, vdekjet nga COVID 19 erdhën duke u rritur progresivisht nga java në javë me 79 viktima javën e parë, duke vijuar me 95 në javën pasuese, 114 në javën e tretë e duke u mbyllur me 135 viktima në javën e fundit. Në këtë javë mesatarja e jetëve të humbura ka qenë mbi 18 vdekje në ditë. Në 24 orët e fundit sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë kanë humbur jetën 20 qytetarë: 9 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Berati, 2 qytetarë nga Fieri, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Peqini, 1 qytetar nga Kurbini, 1 qytetar nga Rrogozhina, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Delvina, të moshave 48-85 vjeç.
Gjatë muajit Shkurt edhe rastet e reja u rritën ndjeshëm. Ndërsa testimet u shtuan me 11.7 përqind (108.499 tamponë), numri i atyre që u konfirmuan pozitivë ndaj koronavirusit shkoi në 28.939 të prekur (42.5 përqind më shumë se muaji Janar) ose më shumë se një e katërta e totalit të të prekurve që nga nisja e pandemisë. Mesatarja ditore kapërceu nga 653 të infektuar në Janar, në 1033 të infektuar.
Edhe pozitiviteti (raporti mes rasteve të konfirmuara dhe testimeve) u rrit ndjeshëm në 26.7 përqind në Shkurt, nga 20.9 përqind që ishte një muaj më parë. Vetëm në Dhjetor, pozitiviteti ishte më i lartë, kur u rregjistrua kuota prej 27.3 përqind. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Java e dytë e Shkurtit ishte ajo me numrin më të lartë të rasteve 7561 të prekur, ndërsa në gjysmën e dytë, shifrat erdhën duke u ulur paralelisht me reduktimin e testimeve. Në javën e fundit u rregjistruan 6.646 të prekur me një mesatare ditore prej 949 rastesh, ose 10.7 përqind më pak se java parerendëse (16 Shkurt – 22 Shkurt). Pozitiviteti ishte në nivelin e 25.8 përqind, poshte mesatares mujore. Në 24 orët e fundit u rregjistrua dhe numri më i ulët i rasteve, 764 të prekur. Por duket se kjo shifër i dedikohet më shumë, reduktimit të ndjeshëm të testimeve, 2714 tamponë, ndërkohë që mesatarja javore ka qenë prej 3678 tamponësh në ditë. Për rrjedhojë dhe pozitiviteti në 24 orët e fundit kërceu mbi kuotën e 28 përqind.
Gjatë muajit Shkurt, një përkeqësim të ndjeshëm pësoi dhe situata në spitale ku të shtruarit thuajse u dyfishuan. Më 31 Janar në të 4 spitalet COVID kishte 343 të shtruar, ndërsa më 28 Shkurt 662 pacientë. Autoritetet e detyruan që gjatë këtij muaji. të vënë në dispozicion dhe tre spitale të tjera rajonale. Po ashtu, shtim të fortë pësuan dhe të sëmurët në gjendje të rëndë. Në fund të Janarit në terapi intensive ishin 13 pacientë, ndërsa 6 të tjerë të intubuar, ndërkohë që në fundit të Shkurtit në terapi intensive ishin 35 pacientë ndërsa 14 të tjerë të intubuar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri pasditen e së hënës në të 7 spitalet e vendit ku trajtohen të sëmirët me Koronavirus kishte 659 pacientë nga të cilët 32 në terapi intensive dhe 11 të tjerë të intubuar.
Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri janë rregjistruar afro 108 mijë të prekur. Më shumë se 1 e treta e tyre janë ende aktivë. Ndërsa në spitalet COVID kanë humbur jetën 1.816 persona./VOA