Agjencia e Prokurimit Publik i ka tërhequr vëmendjen institucioneve në lidhje me tenderët që po zhvillojnë gjatë situatës së krijuara nga COVID-19. Sipas APP-së, autoritetet kontraktore duhet të shmangin përdorimin e procedurës me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit. Sipas kësaj procedure, autoriteti kontraktor i përzgjedh vetë operatorët ekonomikë dhe negocion kushtet e kontratës me një ose më shumë prej tyre, çka shpesh herë çon në mungesën e konkurrencës.
Për këtë arsye, për të mbuluar nevojat që mund të kenë në të ardhmen APP rekomandon përdorimin e marrëveshjeve kuadër, si i vetmi mekanizëm që siguron përmbushjen e nevojave në kohën dhe sasinë e dëshiruar. Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik një nga qëllimet kryesore të përcaktuar edhe në ligj është mirëpërdorimi i fondeve publike, dhe në këtë kuadër rekomandohen të gjithë autoritetetet kontraktore, që pas mbulimit të nevojave emergjente për të përballuar COVID-19, të marrin njëkohësisht masa për planifikimin e nevojave të reja që do të kenë për mallra, punë apo shërbime për përballimin e situatës në periudhë afatgjatë.
Agjencia nuk jep detaje mbi arsyet e këtij njoftimi dhe nëse ai bazohet në praktikat që po ndjekin aktualisht autoritetet publike, por thekson se për prokurimin e nevojave për përballimin e situatës së shkaktuar nga pandemia, institucionet duhet të veprojnë sipas legjislacionit në fuqi. Aktualisht, zhvillimi i tenderëve për nevoja që nuk lidhen me COVID-19 është pezulluar, ndërkohë që institucionet po zhvillojë proceduar vetëm për tenderët e lidhur e COVID-19. Pezullim nuk ka patur edhe për tenderët që zhvillohen në kuadër të programit të rindërtimit.