Ministria e Mbrojtjes në Rusi ka bërë të ditur se mbrojtja ajrore ruse ka kapur dhe ka shkatërruar gjithsej 158 drona ukrainase që kanë sulmuar objektiva në rrethinën e Moskës. Sipas informacioneve ruse, forcat e armatosura ukrainase kanë sulmuar termocentralet dhe rafineritë, në veçanti në rrethinën e Moskës. Në një rafineri ka shpërthyer zjarri. Burimet ruse pohojnë se “shpërthime të forta mund të dëgjohen pranë termocentralit Konakovo në rajonin Tver, në veriperëndim të Moskës”. Termocentrali është një nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike në Rusinë qendrore. Sipas këtyre burimeve, nuk ka pasur të lënduar. Këto të dhëna akoma nuk janë konfirmuar nga burime të tjera të pavarura.
Selenskyj: Duhet sulmuar aeroportet ruse
Pas sulmeve të fundit ajrore ruse kundër qyteteve të Ukrainës, presidenti Volodymyr Selenskyj ka rinovuar apelin e tij drejtuar Perëndimit që të lejojë përdorimin e armëve perëndimore për sulme në brendësi të Rusisë. Sipas tij, sulmet ajrore ruse mund të ndalen “vetëm me sulme kundër bazave ajrore ruse në thellësi të territorit rus” si dhe me sulme ndaj “logjistikës në terrorin rus”. Lidhur me këto çështje po zhvillohen konsultime me autoritetet në Uashington. Mediat ukrainase njojftojnë madje se Kievi i ka dhënë palës amerikane edhe një listë të objektivave të mundshme që duhet goditur në Rusi, me armë me rreze të gjata veprimi të prodhimit amerikan ose perëndimor.
Sulmet mbi rajonet e tjera
Ukraina ka sulmuar Moskën dhe rajonet e tjera ruse me dronë, pohojnë autoritetet ruse. Sipas tyre, përveç sulmeve në Moskë, të paktën dymbëdhjetë dronë të nisur nga Ukraina u shkatërruan edhe mbi rajonin kufitar Bryansk në Rusinë jugperëndimore.
Por informacionet për rrjedhën e luftës, për bombardimet dhe viktimat e njërës apo palës tjetër, të ofruara nga pala ruse dhe ukrainase për momentin nuk mund të verifikohen drejtpërdrejt nga ndonjë autoritet i pavarur. Sidoqoftë, autoritetet ruse thonë se dy drone janë rrëzuar edhe mbi rajonin e Kurskut, në pjesën që Ukraina akoma nuk e ka okupuar, sepse atje në disa pjesë kaherë janë futur forca ukrainase.