Me një kompromis, Angela Merkel kapërceu veton e Polonisë dhe Hungarisë duke shpëtuar kështu buxhetin e BE-së. Kompromisi mund të ketë qenë i nevojshëm, por ai është politikisht i gabuar, mendon Barbara Wesel
Sigurisht, në aktin final të një presidence të vështirë, Angela Merkel nuk donte të lejonte që nën udhëheqjen e saj, të prishej uniteti i BE-së. Instinkti i kancelares gjermane është zakonisht për të ruajtur familjen, duke përfshirë edhe delet e zeza që ka brenda. Këtë e arriti. Por me një kompromis tipik evropian, i cili nuk është as shumë i mirë, por edhe as shumë i keq. Poloninë dhe Hungarinë i zbriti nga pema ku ishin ngjitur.
BE, dyqani i vetë-shërbimit?
Rezultati është se mekanizmi i shtetit të së drejtës nuk do të jetë i zbatueshëm. Po, a nuk do të ishte ky mekanizëm, që u miratua pas aq shumë vitesh me debate të ashpra, armë e vërtetë për të luftuar tendencat anti-demokratike në qeveritë polake dhe hungareze.
Në verë, Holanda dhe vende të tjera e miratuan borxhin e përbashkët të rimëkëmbjes nga pandemia, me kusht që t’i jepej fund dyqanit të vetëshërbimit për anti-demokratët.
Tani, edhe këto vende e miratuan kompromisin se pa një buxhet, BE-ja do të ishte bërë e paaftë për të vepruar në kohë korone. Për vite me radhë ata kishin shtruar pyetur veten se përse duhej të financonin klikën e korruptuar të hungarezit Victor Orban me taksat e shtetasve të tyre. Tani, me veton e tyre, autokratët prapë ia dolën t’i vënë disa frena ligjore rregullores së re, e cila do të vijojë t’u garantojë atyre edhe për disa vite mosndëshkimin. Thirrja triumfuese e tyre ishte e painjorueshme. Ishte gjithmonë e qartë se Orbani dhe miqtë e tij polakë nga partia PiS vetëm te paratë mund t’i prekje. Gjykata Evropiane e Drejtësisë i ka dënuar disa herë, por ata i injorojnë vendimet e gjyqtarëve. I vetmi mekanizëm që mund t’i ndalte ata ishte ai i parave të BE-së.
Drejt autokratizmit
Pse duhet të tolerojmë një Viktor Orban, me gënjeshtrat e tij propagandistike, fyerjet dhe sulmet antisemitike? Ai dhe kreu aktual i Polonisë po e shtyjnë BE-në drejt kufijve politikë. Zgjerimi i BE-së në vitin 2004 u bë me bindjen se këto vende detyrimisht do të ecnin në rrugën e demokracisë, por kjo është realizuar vetëm pjesërisht.
Në të gjitha këto vende ka probleme tranzicioni, në të gjitha korrupsioni është i lartë dhe lufta për një gjyqësor të pavarur ende nuk është fituar. Por Polonia dhe Hungaria, janë duke marrë një rrugë tjetër. Qeveritë e këtyre vendeve po bëhen regjime autokratike.
Ata e kanë dobësuar në maksimum shtypin e lirë, gjyqësorin e pavarur dhe po i kufizojnë sistematikisht të drejtat civile. Në Varshavë aktualisht janë vënë edhe kundër grave dhe komunitetit LGBT. Ka rezistencë, por mund ta shohim në shembullin dramatik të Bjellorusisë se sa e vështirë bëhet protesta kur policia niset të rrahë protestuesit. BE nuk mund të tolerojë vende të tilla në radhët e saj. Nuk mund të bëjë sikur nuk i sheh, sepse ata po gërryejnë themelet e përbashkëta. Sepsis fillon nga njëra anë dhe përhapet në pjesën tjetër të gjymtyrëve. Demokracitë liberale po kalojnë kohë të vështira, por ne nuk duhet të lejojmë që ato të kalben nga brenda./dw