Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Dr. Jorgji KOTE
Një vit e gjysëm pas zgjedhjeve të 4 Marsit 2018 dhe tërheqjes tre javë më parë të kryepopulistit të Lega Nord, Matteo Salvini, 5 Shtatori e gjeti më në fund Italinë fqinje dhe mike me një qeveri të re; të përbërë nga Lëvizja Pesë Yje dhe social-demokratët e PD-së. Një koalicion ky i paimagjinueshëm më parë, për shkak të divergjencave deri tani të papajtueshme ndërmjet tyre, por i detyruar nga tentativat e Salvinit; ky i fundit, pas fitores në zgjedhjet evropiane me dyfishim të rezultatit krahasuar me një vit më parë, donte të provokonte zgjedhje të reja të parakohshme, me synimin që ta merrte të gjithë « tepsinë » e pushtetit për vehte.
Krijimi i qeverisë së re italiane Conte 2 është dëshmi tjetër bindëse se në politikë, e sidomos në demokraci kurrë nuk thuhet « Jo » sepse gjithçka është e mundshme në terrenin konkret. Kush nuk e kupton këtë realitet, siç thotë populli « mbetet me gisht në gojë » ose « shkon për lesh dhe kthehet i qethur » siç ndodhi me Legistët e veriut. Por do thënë se ishte dhe vizioni i presidentit të shquar evropianist Mattarela, kryeministrit të moderuar Conte dhe lidershipit të këtyre dy forcave politike që nuk e lanë Italinë të rrëshqiste më tej në moçalin dhe llumin e populizmit dhe ekstremizmit të djathtë.
Por tani ata duhet të tregojnë se Italia mund të bëhet një vend me stabilitet qeveritar dhe institucional dhe jo të mbetet « laborator eksperimentesh negative » Sfida është shumë e madhe. Sidomos po të kihet parasysh se Italia « përbën rekord » lidhur me numrin e madh të kryeministrave dhe kabineteve qeveritare gjatë 73 viteve të ekzistencës së kësaj republike. Në këtë aspekt, ajo nuk mund të krahasohet me asnjë vend, qoftë dhe ato të ish-lindjes dhe vendit tonë.
Ky kontrast bie dhe më shumë në sy kur shohim Gjermaninë, që shquhet për stabilitetin institucional gjatë 70 viteve të fundit. Të dyja janë vende të mëdha perendimore, me popullsi pothuasje të njëjtë, humbëse të Luftës së II Botërore, bashkëthemeluese të BE-së, me ekonomi të fuqishme dhe lidere në botë, të drejtuara më shumë nga forcat e qendrës së djathtë dhe me liderë të kalibrit evropian, me letërsi, muzikë, art dhe muzikë me jehonë planetare, etj. Të dyja në situata tejet të vështira pas lufte, madje Gjermania e ndarë në dy sisteme të kundërta për 40 vite rresht deri 30 vite më parë kur u shemb dhe Muri i Berlinit.
Në fakt, Gjermania ia kalon çdo vendi tjetër evropian, madje dhe Francës e SHBA-ve, ndonëse atje presidenti nuk mund të ketë më shumë se dy mandate. Ja dhe Britania e Madhe, bie fjala, në tre vitet e fundit ka ndryshuar tre kryeministra!
Por le të kthehemi te Italia, fqinji ynë perendimor përtej detit. Le të krahasojmë jetëgjatësinë politike të Kancelarit të parë gjerman, Konrad Adenauer me Alcide De Gasperi, themeluesin e Italisë moderne, ashtu si Adenauer, një ndër baballarët e Evropës së Bashkuar. Adenauer u bë Kancelar në moshën 73 vjeçare më 1949 dhe qeverisi plot 14 vjet. Ia kaloi pasardhësi i tij i CDU-së, Helmut Kohl, me 16 vjet, ndonëse në kohëra shumë të turbullta ; ndërsa « nxënësja « e tyre politike, Angela Merkel drejton qeverinë gjermane prej 14 vitesh ; po qe se nuk « rrëzohet » këtë vjeshtë, ndonëse jo për faj të saj, ajo mund të barazojë rekordin e Kohl.
Po në Itali? Ndryshe nga Adenauer, bashkëkohësi i tij, Alcide De Gasperi, qëndroi si kryeministër tetë vjet, por dhe këto të ndara në tetë kabinete qeveritare të kryesuara po prej tij. Periudha më e gjatë e qeverisë së De Gasperi-t ishte deri 2 vjet, kurse « rekordin » e theu në korrik 1953, kur qëndroi vetëm 12 ditë për t’u larguar përfundimisht nga politika aktive derisa ndërroi jetë një vit më vonë në moshën 74 vjeçare.
Mirëpo, kur ky evropianist i shquar e pati aq të vështirë të qeverisë në periudha të gjata kohore, mendoni se sa të pamundur e kanë patur pasardhësit e tij të çdo krahu. Ja, dhe Berluskoni, është më jetëgjati si kryeministër italian me nëntë vjet, por ama me katër mandate të ndryshme.
Për pasojë, nëse Gjermania ka patur pas Luftës së II Botërore vetëm tetë kancelarë dhe një prej tyre grua, Italia është qeverisur në të njëjtën periudhë kohore nga 29 kryeministra dhe pa asnjë kryeministre grua! Aq sa është e pamundur t’u mbash mend emrat të gjithëve, edhe pse shumë prej tyre kanë qenë dhe mbeten personalitete të mëdha me jehonë evropiane e më gjerë. Imagjinoni emra të ndritur e tingëllues të politikës italiane si Andreoti mitik, por që ndenji vetëm shtatë vjet kryeministër, dhe ato të ndarë në shtatë kabinete ! Kurse mitiku tjetër, Aldo Moro qeverisi 6 vjet në pesë kabinete derisa më 1978 u rrëmbye dhe ekzekutua barbarisht nga bandat ekstremiste të majta. Edhe kryeministrat social-de=motratë nuk kanë qëndruar më gjatë. Kështu, Craxi 3 vjet në dy kabinete qeveritare, Romano Prodi vetëm dy vjet në dy kabinete, D’Alema, Letta, Amado nga një vit në dy tre kabinete e deri te Mateo Renzi social demorati më i fundit as tre vjet në dy kabinete.
Më me fat duket kryeministri i tanishëm Giuseppe Conte që ka bërë një vit e gjysëm dhe tani u rizgjodh sërish ligjërisht me mandat deri në vitin 2021.
Ky kontrast italo-gjerman ka vijuar dhe pas ribashkimit evropian. Kështu, pas vitit 1990, Gjermania ka ndryshuar vetëm tre kancelarë, kurse Italia 12 kryeministra. Vetëm gjatë 14 viteve të kancelarisë së saj të deritanishme Merkel është takuar me 7 kryeministra italianë. Nga 10 kabinete qeveritare me ndryshime të rastësishme që ka patur Gjermania në 70 vitet e fundit, Italia sapo krijoi Kabinetin e 67 qeveritar, rekord me vehte !
Mirëpo kjo paqendrueshmëri e dukshme politike dhe institucionale ka qenë faktor përcaktues dhe për të gjitha fushat e tjera, duke filluar nga demokracia e deri te ekonomia. Pikërisht këtu qëndron një ndër sekretet më të mëdha të suksesit të lidershipit të lartpërmendur gjerman.
E kundërta ka ndodhur në Itali e cila ka qenë dhe mbetet « kopsht eksperimental » për disa dukuri negative sociale në kontinent. Nëse flasim për Brexit, në fakt elementët e parë të tij i hodhi në tregun politik Lega Nord me idenë e saj të coptimit të Italisë, Berluskoni i parapriu Trumpit si populist, neofashizmi që po shfaqet në Evropë i ka bazat sërish te Italia, ashtu sikurse korrupsioni, mafia etj. Një bashkëjetësë e çuditshme me traditat e këtij djepi të kulturës, artit, dhe letërsisë me jehonë planetare dhe vend mikpritës i qindra mijra refugjatëve nga shumë vende të botës, sidomos nga vendi ynë.
Ndaj, urojmë që koalicioni i ri qeveritar italia të jetë sa më jetëgjatë, për të « prishur dhe syrin e keq politik » dhe për t’i çelur rrugën stabilitetit të qëndrueshëm politik, qeveritar dhe institucional. Tejet e rëndësishme në kushtet kur BE-ja po përballet me sfida shumë serioze dhe të mëdha, ku kontributi i Italisë mike është i mirëpritur dhe i pazëvendësueshëm./argumentum.al
© Argumentum.