Krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim (AMI) ishte një ndër vendimet e para që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndërmori menjëherë sapo nisi punën në mandatin e tij të tretë elektoral.
Një “ministri Propagande”, kështu e quajnë skeptikët vendimin për strukturën AMI, që është në vazhdën e një marrëdhënieje aspak të lehtë dhe dashamirëse të kreut të qeverisë shqiptare ndaj njerëzve të medias dhe fjalës së lirë, të cilët prej vitesh i konsideron dhe i quan “kazan mediatik”. “Objektivi i AMI është rritja e transparencës dhe kapacitetit informues ndaj publikut dhe medias, si edhe informimi i Këshillit të Ministrave mbi problematikën e shprehur në lajmet e ditës” – thotë Kryeministria në një reagim për Deutsche Welle.
Ermal Hasimja, ekspert i Shkencave Politike dhe Shkencave të Komunikimit, mendon se me këtë nismë qeveria është zyrtarisht brenda kuadrit ligjor. Por megjithatë ka ende vend për skepticizëm. “Ajo që i trembemi të gjithë është përdorimi i kësaj Agjencie, si instrument që fuqizon aftësitë e qeverisë për të ushtruar presion mbi mediat. Dhe në fakt kjo agjenci i rrit vërtet aftësitë monitoruese dhe kontrolluese të qeverisë në komunikimin politik. Por asgjë nuk ndryshon në thelb nga funksionimi i deritanishëm: qeveria thjesht i ka dhënë një trajtë më zyrtare dhe institucionale një përpjekjeje të vazhdueshme për të monitoruar dhe orientuar sa më shumë që të jetë e mundur median”, analizon Hasimja për DW.
Për gazetaren Lindita Çela, nga OCCRP, Rrjeti Investigativ që raporton kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, lajmi për krjimin e një agjencie të tillë mbetet shqetësues. “Kjo, jo për faktin se misioni kryesor i saj është që të përcjellë në publik propagandën e qeverisë, por sepse më rezulton problematike arroganca e qeverisë për të vendosur krijimin e një strukture gjigante kontrolli me fondet e taksapaguesve shqiptarë” – argumenton Çela për DW.
Këtë vit Shqipëria u rendit e 83-ta në raportin e “Reporterëve pa kufij”, përsa i përket lirisë së shtypit. Ngritja e kësaj Agjencie pason nisma të kahershme të qeverisë Rama, që synojnë të kufizojnë liritë e gazetarëve, sipas Çelës. “Qeveria e shtoi trysninë mbi median në vitin 2020, duke kërcënuar përsëri me miratimin e një ligji kundër shpifjes, pavarësisht kritikave nga organizatat e lirisë së shtypit dhe këshillimit kundër tij nga Komisioni i Venecias” – u tha në raport.
Model europian?
Por si u arrit deri tek kjo Agjenci? E pyetur nga DW se cili model u ndoq për krijimin e një agjencie të tillë, Zyra e Shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se “Agjencia për Media dhe Informim (AMI) është ndërtuar duke ndjekur modelet dhe eksperiencat e disa vendeve të ndryshme, ndër të cilat atë të Zyrës për Shtypin dhe Informimin të Qeverisë Federale Gjermane”.
Zyra Federale e Shtypit (Bundespresseamt) pranë qeverisë federale gjermane ka një strukturë të tillë që nga viti 1949, kur Gjermania qeverisej nga Kancelari Konrad Adenauer. Qëllimi i saj është informimi dhe transparenca, jo mbikqyrja e kontrolli i medias. Sot ajo drejtohet nga një zëdhënës qeverie dhe dy zëvendësa të tij. Në detyrat dhe funksionet e Bundespresseamt theksohen koncepte dhe fjalë kyçe si: demokraci apo liria e shprehjes mbi bazën e nenit 5 dhe 20 të Ligjit Themeltar, se: Çdo qytetare dhe qytetar ka të drejtën e informimit.
Në Vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e Agjencisë për Media dhe Informim, AMI, mungojnë terma të tilla. Për Hasimen, e veçanta e Shqipërisë në raport me një vend normal demokratik është se këto marrëdhënie publike zhvillohen në një klimë kooptimi (bashkëjetese) dhe bashkëpunimi klientelist me një pjesë të mirë të mediave dhe me standarde të mjerueshme profesionale gazetarie. “Në disa raste qeveria është përpjekur, edhe me sukses, të kufizojë e kontrollojë lirinë e medias për aq sa kjo i shpëton prej duarsh përmes preteksteve për shmangien e shpifjes apo të drejtave të autorit. Në këtë kontekst problemi nuk është tek një strukturë e re formale, por te potenciali që kjo strukturë të përdoret për të fuqizuar aftësitë kufizuese e kontrolluese të qeverisë në kurriz të lirisë së shprehjes” – thotë ai.
Marrëdhënia e kryeministrit, Edi Rama me median shqiptare është e tensionuar, sidomos pasi e quajti atë “kazan mediatik”
Pikat e debatueshme
Kjo agjenci do të udhëhiqet nga “Drejtori i Përgjithshëm i agjencisë, i cili emërohet, lirohet apo shkarkohet nga detyra nga kryeministri”. Mes pikave të debatueshme në radhët e gazetarëve shqiptarë është edhe ajo e dhënies së shkresave për informacion.
Për Çelën, pika “n”, ku thuhet se “Agjencia siguron përgjigje për shkresat dhe kërkesat për informacion në lidhje me çështjet e informimit dhe komunikimit mediatik apo çështje të tjera në fushën e saj të përgjegjësisë”, do ta ndërlikonte më shumë situatën. “Në punën time kam mbi dhjetëra raste që më është refuzuar dhënia e informacionit, për të cilën kam hapur edhe procese gjyqësore”. Ajo thotë se me krijimin e agjencisë gjithçka do të jetë më e vështirë, pasi do të jenë punonjësit e saj të cilët vendosin për të dhënë ose jo informacionin e kërkuar prej saj.
Cënim i lirisë së shprehjes
Shqetësimet e deritanishme të gazetarëve shqiptarë lidhen me faktin se sa dhe si do të ndikojë kjo agjenci në punën e tyre të përditshme. “Mendoj se me krijimin e kësaj Agjencie, ushtrimi i profesionit tim do jetë tepër i vështirë. Shteti që ka për detyrë të garantojë zbatimin e ligjit krijon një superstrukturë për të penguar median e lirë dhe të pavarur, e për të rilindur Ministrinë e Propagandës” – shprehet Çela.
Në Shqipëri, autoriteti që merret drejtpërsëdrejti me të drejtën e informimit është Komisionieri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Qeveria nuk e sheh këtë si përplasje kompetencash. Në reagimin e saj për DW zyra e shtypit e Kryeministrisë, thotë se “Marrëdhënia e gazetarëve dhe medias me zëdhënësit e Ministrive dhe të Qeverisë nuk ndryshon dhe është konform të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare, ndaj nuk ka asnjë mbivendosje me punën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit që ju përmendni”.
Liria e shprehjes ka qenë që në krye të herës dhe vijon të mbetet ndër kriteret kryesorë për të cilën Shqipëria duhet të bëjë kujdes në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. “Në kushtet e Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt integrimit, kjo strukturë e re me shumë gjasa do të ngjallë frikëra të reja legjitime tek institucionet evropiane, por shumë më tepër në aspektin politik sesa ligjor. Gjithmonë, brenda kontekstit aktual shqiptar, ngritja e një strukture të tillë dërgon sinjale problematike në BE përsa i përket mënyrës sesi qeveria e koncepton marrëdhënien me lirinë e shprehjes” – nënvizon Hasimja. /DW