Në Portin e Durrësit, u nënshkrua sot, Marrëveshja e Mirëkuptimit mes shoqërisë Fincantieri dhe shoqërisë shqiptare “KAYO”, e cila shënon nisjen e bashkëpunimit për sipërmarrjen e përbashkët në industrinë ushtarake navale. Po ashtu u nënshkrua Letra e Qëllimit për kalimin e anijes ushtarake patrulluese “Libra” në përdorim të Forcës Detare Shqiptare.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu vizitoi anijen Libra dhe mori pjesë në nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit.
Kryeministri tha se ky akt është dëshmi e miqësisë dhe bashkëpunimit mes vendeve, i cili po hyn në një epokë të re, duke prodhuar energji të reja.
Teksa falenderoi miqtë italianë, Kryeministri Rama tha se marrëdhënia me Italinë mike përmes këtij bashkëpunimi bëhet akoma edhe më e rëndësishme, akoma edhe më strategjike, dhe më e lidhur me interesat e përbashkëta të të dy vendeve, të dy kombeve tona.

“Sigurisht kjo anije, është një dëshmi shumë e dukshme dhe e prekshme e gjithë asaj që po bëjmë bashkërisht dhe dua të siguroj të gjithë se, ajo që po bëjmë së bashku, është shumë më tepër se sa kjo anije dhe është shumë më tepër sesa aspekti material sepse po punojmë vërtetë për të krijuar një sinergji të rëndësishme ndërmjet këtyre dy anëve të Adriatikut dhe për të bërë bashkë ide të reja dhe energji të reja, për të shkuar përpara dhe për të transformuar gjithnjë e më shumë këtë miqësi shumë të lashtë, në diçka të mirë për të dy popujt tanë dhe për të dy shtetet tona.
Dhe siç tha edhe ministri, miku im i mirë dhe jam i nderuar për miqësinë e tij, jetojmë në kohëra mjaftueshmërisht të reja dhe me sfida që nuk i imagjinonim deri disa vite më parë.
Dhe për këtë, është shumë e qartë për të gjithë se duhet të bashkojmë gjithçka që është e mundur të bashkohet dhe aty ku nuk ka shumë rëndësi nëse je i madh apo nëse je i vogël, por ka rëndësi të shtosh diçka dhe kështu besoj se kjo marrëdhënie me Italinë bëhet akoma edhe më e rëndësishme, akoma edhë më strategjike, akoma edhe më e lidhur me interesat e përbashkëta të të dy vendeve, të dy kombeve tona.
Dua të falenderoj veçanërisht edhe të gjithë skuadrën ushtarake që ka ardhur nga Italia për këtë demostrim të një bujarie të madhe, të një miqësie të madhe, të një respekti të thellë; dua të falenderoj veçanërisht kreun e palës ushtarake për mikpritjen dhe për kujtimin e bukur që do ta marr me vete për “xhevahirin’’ këtu afër, të anijes së marinës italiane. Nuk ndodh çdo ditë që të kesh një mundësi të tillë dhe faleminderit, Guido që më tregove një tjetër muze Italian, por këtë herë në det dhe jo në tokë. Është vërtetë një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe dua të shpresoj që ushtarakët tanë, që kreu i forcave të marinës shqiptare të jenë të gëzuar. E di që “oreksi vjen duke ngrënë’’, por ndërkohë duhet shijuar “kjo pjatë e madhe bujarie dhe mirësie’’ nga ana e Italisë.” – u shpreh kryeministri Rama në përshëndetjen e tij.
Anija “Libra” i kalon FA, Ministri Crosetto: Pikënisje e një bashkëpunimi gjithnjë e më të fortë

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto deklaroi sot se Italia dhe Shqipëria do të forcojnë më tej bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston në të gjitha fushat, veçanërisht në mbrojtje.
Crosetto mori pjesë sot në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Fincantier dhe shoqërisë shqiptare KAYO për sipërmarrjen e përbashkët në industrinë ushtarake navale, dhe nënshkrimin e Letrës së Qëllimit për kalimin e anijes ushtarake patrulluese “Libra” në përdorim të Forcës Detare Shqiptare.
Në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Crosetto tha se “ky i sotmi është një moment i rëndësishëm për ne, sepse është dëshmi konkrete e Italisë ndaj Shqipërisë dhe shpreh gatishmërinë dhe vullnetin tonë të mirë për të bashkëpunuar me Shqipërinë sa i përket mbrojtjes dhe çështjeve me karakter ekonomik”.
“Dhurimi i anijes “Libra” nuk përbën një pikëmbërritje, sikurse e tha më parë ministri Vengu, por një pikënisje e një bashkëpunimi gjithnjë e më të fortë që ekziston mes vendeve tona. Gjithashtu edhe të bashkëpunimit mes forcave tona të armatosura dhe të gjithë sistemit industrial”, nënvizoi Crosseto.
Ministri italian u shpreh se “jetojmë në kohë të vështira ndaj kombet duhet të ndërgjegjësohen që duhet të bashkëpunojnë më ngushtë së bashku. Prej ditës së sotme ne do të rrisim nivelin tonë të bashkëpunimit, i cili nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të rritet dhe të forcohet më tej. Kjo nën gjurmët dhe nën udhëheqjen e kryeministrit Rama dhe kryeministres Meloni për të forcuar këtë bashkëpunim të shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve tona në të gjitha fushat”.
/Argumentum.al