Shqipëria dhe Izraeli do të nënshkruajnë një marrëveshje të re bashkëpunimi në fushën e Mbrojtjes.
Kjo u bë e ditur nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili në vijim të vizitës në Izrael, u prit në një takim zyrtar nga ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benjamin Gantz.
Peleshi dhe Gantz diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e sigurisë.
Ministri Peleshi bëri një përshkrim të përgjithshëm të synimeve që ka vendi ynë për të ndërtuar dhe çuar në një nivel konkurrues kapacitetet në fushën e inovacionit teknologjik, duke ndjekur edhe modelin e Izraelit, si një nga pesë vendet liderë të botës në këtë aspekt.
Gjatë takimit, Peleshi shprehu vlerësimin e tij për Izraelin si një partner shumë i rëndësishëm i NATO-s në rajonin MENA (Middle East and Northern Africa), si edhe për politikën konstruktive të ndjekur në Forumin e Dialogut të Mesdheut.
Ministri Peleshi falënderoi homologun Gantz për vendimin historik të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit, që u pasua edhe me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e ambasadave përkatëse.