Kalimi nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas tani bëhet vetëm me një ndalim në doganë, duke shënuar nisjen zyrtare të marrëveshjes për një pikë të përbashkët kufitare. Në doganën e Morinit policitë e dy vendeve operojnë brenda të njëjtit stacion.
Kontrollet e dyfishta dhe dorëzimi i dokumenteve në dy sportele ka marrë fund. Procedurat janë thjeshtuar duke shmangur radhët e panevojshme dhe qëndrimet për orë të tëra.
Më parë kjo procedurë kryhej gjatë sezonit turistik, periudhë që përkon me kulmin e lëvizjeve në dy anët e kufirit, ndërsa implementimi i saj tashmë do të jetë i shtrirë përgjatë gjithë kohës.
Kalimi vetëm me një kontroll i kufirit Shqipëri-Kosovë erdhi pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy qeverive, Nëntorin e kaluar në Pejë. Referuar këtij vendimi, Kryeministri Rama tha se lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë ajo e modelit Shengen të vendeve të Bashkimit Europian. Në mbledhjen e dy qeverive u ra dakord që brenda gjashtë muajve, Shqipëria e Kosova të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut dhe tarifat doganore.