Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mirëpriti sot në Tiranë zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz.
Në një konferencë të përbashkët për mediet, Xhaçka u shpreh se, “biseduam sot për përmbushjen e detyrave të lëna nga takimi i dy kryeministrave Rama dhe Kurti në Prishtinë më 27 shtator, si dhe për mbledhjet e përbashkëta qeveritare të deritanishme”.
Ngritja e një Sekretariati të përbashkët është kyç për realizimin e marrëveshjeve, tha Xhaçka, e cila shtoi se, përparësi është anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare.
“Ngritja e një Sekretariati të përbashkët si një strukturë operative do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe të atyre që me gjasë do të nënshkruhen nga tani e tutje”, tha Xhaçka.
Në mënyrë të veçantë, shtoi Xhaçka, “u angazhuam për zbatimin e plotë të marrëveshjes mes dy ministrive të Jashtme mbi bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme nëpërmjet harmonizimit të veprimeve dhe aksioneve të diplomacisë për arritjen e objektivave strategjikë kombëtarë, ku përparësi mbetet anëtarësimi i Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe në organizatat ndërkombëtare”.
Xhaçka theksoi se, “ky bashkërendim i aksionit diplomatik do të mbështetet nga shtimi i përfaqësive të përbashkëta, posaçërisht në zona si Afrika dhe Azia, apo edhe nga ndërthurja e punës së diplomatëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në ambasadat ekzistuese”.
Gjithashtu Xhaçka nënvizoi se, “koordinimi në kuadër të diplomacisë ekonomike është nevojë parësore për të dy vendet”.
Po ashtu, Xhaçka u shpreh se, “vendosëm të promovojmë konkursin fotografik “Colors of Albanians”, duke shtuar se, “Konkursi do të hapet në nëntor në Shqipëri, për t’u mbyllur më pas në Kosovë”.
Xhaçka theksoi se, “Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krahun e Kosovës, mbështetja më e fortë dhe avokatja më e pa kompromis e Kosovës. Për ne Kosova, e ardhmja e Kosovës dhe e ardhmja e Shqipërisë janë të lidhura ngushtë dhe ne do të bëjmë çdo gjë që Shqipëria mund të bëjë për të avancuar interesat e Kosovës”.
“Shqipëria do të ngrejë zërin për Kosovën, pa u lodhur, siç ka bërë gjithmonë. Dhe ashtu siç ndodh edhe sot, edhe me BE-në, ku siç besoj e dini, kemi lobuar, por edhe kemi kritikuar hapur padrejtësinë që i është bërë Kosovës nga Brukseli, duke mos e mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave”, tha Xhaçka.
Ajo shtoi se, “ne e kemi mbështetur Kosovën edhe kur askush nuk kujtohej për tragjedinë e Kosovës dhe kjo për faktin e thjeshtë që duke mbështetur Kosovën ne mbështesim Shqipërinë dhe shqiptarët”.
“E kemi mbështetur vendosjen e reciprocitetit për targat si një e drejtë legjitime e Kosovës dhe kemi mbështetur operacionin antikrim në veri si një e drejtë sovrane e Kosovës. Por ne besojmë po ashtu, siç besojnë edhe partnerët tanë të rëndësishëm strategjikë, pa të cilët le të flasim hapur, Kosova nuk do të ishte sot as e lirë, as e pavarur, se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit dhe i takon autoriteteve të Kosovës që edhe këtu të udhëheqin me forcën e shembullit në këtë drejtim”, tha Xhaçka.
Ministrja Xhaçka nënvizoi se, “realizimi i dialogut duhet të jetë një marrëveshje e detyrueshme ligjore që patjetër mundëson njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe gjithçka tjetër që pritet për interesat shtetërore të Kosovës”.
Gërvalla: Kosova e ka shumë të qartë orientimin drejt BE dhe NATO-s
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz në fjalën e saj gjatë konferencës së përbashkët për mediet me ministren Xhaçka, theksoi se, “jemi takuar disa herë në forume të ndryshme ndërkombëtare”.
“Bisedat tona kanë qenë të shkëlqyeshme, kanë qenë biseda përmbajtësore, të cilat kanë vetëm një synim, thellimin e marrëdhënieve tona bilaterale dhe proceset rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat Kosovën, por edhe Shqipërinë dhe gjithë rajonin mund ta vendosin në një dritë shumë më pozitive se ç’është parë deri më tani”, tha Gërvalla.
“Jo vetëm sot në këtë bisedë, por edhe gjatë javëve dhe muajve në vijim ne do të bisedojmë shumë konkretisht përmes ekipeve tona. Do të bëjmë një bilanc të mirë të bashkëpunimit tonë të deri tanishëm dhe do të bëjmë një strategji të qartë se ku duam ta shohim Kosovën dhe Shqipërinë së bashku, vitin e ardhshëm, apo vitet në vijim”, tha Gërvalla.
Ajo nënvizoi se, “nuk kemi tema për të cilat nuk mund të bisedojmë. Nuk ka tema të cilat nuk mund t’i prekim në bisedat tona. Prandaj si në çdo familje të madhe duhet të bisedojmë edhe për ato të cilat janë shqetësuese”.
“Gjatë javëve të fundit dhe muajve të fundit gjuha e fqinjit tonë verior, Serbisë, ndaj Kosovës është ashpërsuar shumë. Por nuk është ashpërsuar vetëm gjuha e Serbisë ndaj Kosovës, por është ashpërsuar shumë gjuha e Serbisë edhe ndaj fqinjëve të tjerë si Malit të Zi dhe Bosnjës”, tha Gërvalla.
“Duhet të jemi shumë të ndërgjegjshëm dhe shumë të kujdesshëm që këtë paqe të brishtë, të cilën e kemi në rajon, ta forcojmë dhe të gjithë së bashku të ndikojmë që të mos cenohet paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë”, u shpreh Gërvalla.
Ajo shtoi se, “kemi nevojë për një koordinim më të mirë të të 5 shteteve të rajonit karshi fqinjit tonë Serbisë dhe kemi nevojë për një bashkëpunim më përmbajtësor, jo sipërfaqësor, po më përmbajtësor në të gjitha proceset rajonale”.
“Jemi në bisedime për nënshkrimin e marrëveshjeve rajonale dhe besojmë që edhe Shqipëria, edhe Kosova, me qasjen e tyre të hapur ndaj Procesit të Berlinit, me qasjen e tyre të vendosur për një bashkëpunim substancial përmbajtësor në rajon, do të mund të shtyjmë përpara këto marrëveshje për cilat jemi dakordësuar me kohë”, theksoi Gërvalla.
Ajo shtoi se, “Kosova e ka shumë të qartë orientimin BE dhe NATO dhe është skeptike ndaj koncepteve konkurruese ndaj BE-së dhe këtë gjë e theksojmë në çdo forum. Ndërkohë që edhe në çdo forum ndërkombëtar dhe në çdo bisedë me partnerët tanë në BE e theksojmë faktin që e shohim si padrejtësi të madhe faktin që Shqipëria ende nuk ka arritur të bëjë një hap përpara drejt negociatave me BE-në”.
“Kosova në çështjen e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar është e vendosur në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik, ku natyrisht që është edhe Shqipëria, të bëjë një hap më tej në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në njohje të reja. Dhe do të jemi një partner i besueshëm. Do të jemi një partner racional, me të cilin do të mund të bisedohet objektivisht gjatë muajve dhe viteve në vijim”, tha Gërvalla.
Sa i përket dialogut, Gërvalla nënvizoi se, “Kosova është e përcaktuar për një dialog, në të cilin Kosova nuk është objekt, por është subjekt. Dialogu me Serbinë në Bruksel nuk është rreth statusit të Kosovës, por është një dialog rreth statusit të marrëdhënieve që kemi me Serbinë dhe mbi këtë bazë, Kosova është e gatshme të zhvillojë procesin e negociatave, i cili duhet të ketë si përfundim logjik njohjen e ndërsjelltë të pavarësisë së Kosovës dhe të Serbisë nga ana jonë”.
“Shqipëria dhe Kosova kanë tepër çështje, për të cilat do të duhet të bisedojmë dhe do të duhet të bashkëpunonim. Vetëm një prej tyre është edhe mërgata e përbashkët që kemi. Edhe Shqipëria edhe Kosova, kemi një mërgatë shumë të pasur në numër, por edhe të pasur në njerëz, të pasur në dije, të pasur kulturë, të pasur në ekonomi. Dhe ne jemi të përcaktuar në Kosovë që edhe me Republikën e Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë së Veriut të koordinojmë veprimet tona kur kemi të bëjmë me një organizim më të mirë të mërgatës tonë, me një ofrim të shërbimeve më të mira konsullore. Por në të njëjtën kohë edhe me ofrimin e një mësimi më cilësor në gjuhën shqipe për pjesëtarët e mërgatës tonë dhe të gjeneratave që vijnë”, tha Gërvalla./ata