Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën rritje gjatë 4 muajve të parë të këtij viti, duke arritur në gati 6 miliardë lekë nga 4.2 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2020-s.
Referuar statistikave të publikuara nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës llogariten gjatë periudhës janar-prill 1.5 miliardë lekë nga 1 miliardë lekë që ishin në 2020-ën.
Ndërkohë, rritje të ndjeshme kanë patur edhe importet nga SHBA. Sipas të dhënave importet arritën në 4.3 miliardë lekë gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti, nga 3.2 miliardë lekë që ishin në 2020-ën.
Shqipëria eksporton drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës një gamë të gjerë produktesh, kryesisht produkte ushqimore, bimë mjekësore dhe metale.
Madje, Shqipëria konsiderohet një tregtues i rëndësishëm i bimëve mjekësore në tregun amerikan. Rritja e eksporteve është favorizuar edhe nga heqja e taksës doganore. Që prej vitit 2012, Shqipëria ka hyrë në listën e 128 vendeve që mund të përfitojnë nga një sistem preferencial që eliminon taksën doganore për një listë të gjatë produktesh.
Në fillim të muajit tetor të vitit 2020 u nënshkrua në Tiranë memorandumi për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri.
Memorandumi do të ketë ndikim pozitiv sa i përket edhe eksporteve shqiptare, duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar.
Përmes këtij memorandumi po realizohet edhe një ëndërr 50-vjeçare, që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjetike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.