Në Shqipëri, Struktura e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ishte dhe gjatë vitit 2024 protagonist i zhvillimeve në vend, me një seri vendimesh dhe hetimesh që vunë në shënjestër mjaft zyrtarë dhe të niveleve më të larta, shkruan Zëri i Amerikës.
ME SYTË NGA SPAK
Një numër i lartë politikanësh, zyrtarësh e funksionarësh shtetërorë, hynë në godinën ku ndodhet Prokuroria dhe Gjykata e posaçme. Disa thjeshtë si dëshmitarë, disa të tjerë si të dyshuar. Por shumica do të dalin prej andej me akuza mbi shpinë apo dënime. Mes tyre dhe ish presidenti Ilir Meta.
Në daljet e tij të shpeshta publike, zoti Meta do të shfaqet gati mospërfillës ndaj hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, që përfshijnë atë vetë, pasurinë e tij e të familjes. “Kam qenë gjithë jetën në hetim”, do deklarojë ai në një konferencë shtypi me gazetarët.
Por ndërsa duket se hetimet po avancojnë, dhe në pyetje merret edhe vjehrra e tij (11 prill), zoti Meta intensifikon sulmet dhe epitetet fyese ndaj drejtuesit të Prokurorisë, Altin Dumani : “Unë jam Ilir Meta, o superbudallenj, e supertorollakë, kudo që jeni në politikë e në SPAK”.
Po në këtë kohë zoti Meta do të ndërmarrë një lëvizje për spastrime në nivelet drejtuese të partisë. Goditja kryesore, nën motivin e luftës kundër nepotizimit, do të bjerë mbi bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, e cila mbetet jashtë strukturave drejtuese. Raportet mes tyre, janë në pikën që nuk druhen më ta fshehin krizën as në publik. Më 19 prill, ata do të përplasen hapur gjatë mbledhjes së Komitetit drejtues të Partisë së Lirisë. “Kam dhimbje kur shikoj se si shkërmoqet imazhi i Ilir Metës. Kam dhimbje kur shikoj se si një burrë Shteti firmos një letër paçavure të ndërtuar nga një administrator godine”, do të shprehej në mbledhje zonja Kryemadhi. Por zoti Meta do të këmbëngulë në dëmet që sipas tij, nepotizimi i ka sjellë partisë: “Nepotizimi ka përzënë gjysmën e atyre që na votuan”.
Marrëdhëniet mes tyre prej kohësh kanë pësuar një krisje të fortë. Në qershor zoti Meta do të qëndrojë për afro tre orë në Prokurorinë e Posaçme për çështjen e pasurisë. Një ditë më parë, për të njejtën çështje atje kishte qenë dhe zonja Kryemadhi. Në dalje ai do të deklarojë se ishte pyetur për çështje që nuk lidheshin me të, por “që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve, të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK-ut”.
Pak orë më pas, nga selia e partisë, ai do t’ia linte përgjegjësinë zonjës Kryemadhi: “As çështje pronash, as çështje financiare, nuk kam patur asnjë përgjegjësi. Të gjitha përgjegjësitë në mirëbesim i ka patur Monika”.
Ndarja mes tyre nuk është vetëm politike. Pak ditë më vonë ai do të kërkojë dhe divorcin në gjykatë duke sqaruar se “nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. Por, për të përmbushur, kauzat që unë mbroj, dhe për të cilat, kjo marrëdhënie ishte kthyer në një pengesë serioze”
Më 21 tetor, zoti Meta do të arrestohet, në hyrje të Tiranës. Pamjet që tregojnë se si ai nxirret me forcë nga automjeti ku ndodhej, provokuan debate të forta. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, do të flasë për “një akt të pashembullt terrorist”. Ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha do të shprehej se “persekutimi i Ilir Metës, është politik, politik dhe vetëm poitik”.
Por policia do të deklarojë se zoti Meta “ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese” në drejtim të përfaqësuesve të policisë dhe drejtësisë, ndaj “është nxjerrë nga automjeti dhe është shoqëruar forcërisht”.
Ish presidenti i vendit dyshohet për tre vepra penale, “korrupsion” në 3 raste, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”. Ai do të mohojë në mënyrë kategorike të ketë shkelur ligjet, duke e konsideruar veten një objektiv politik të Prokurorisë.
Për të njejtat dyshime, ndaj zonjës Kryemadhi, do të vendoset detyrim paraqitje. Ndërsa një muaj më pas, vila ku ajo banon, në një zonë residenciale të Tiranës, do të vihet nën sekuestro.
BERISHA, MUAJT E GJATE TË IZOLIMIT
Mbështetësit besnikë të zotit Berisha poshtë pallatit ku ai banon, shoqëruan çdo pasdite qëndrimin e tij në arrest shtëpie. “Ju jeni misionarët e kësaj luftë, që nga kjo rrugicë do të shtrohet në të gjithë rrugët e rrugicat e Shqipërisë”, do t’u deklaronte e bija e tij Argita Malltezi, përkrahësve të ish kryeministrit më 2 janar.
Beteja e ish kryeministrit me Drejtësinë do të vijojë e pandërprerë gjatë gjithë vitit, duke shfrytëzuar çdo mekanizëm juridik. Kërkesat e tij të përsëritura për ndryshimin e masës së sigurisë, do të rrëzohen në të gjitha shkallët e gjyqësorit, sikundër dhe ajo për pjesmarrjen e tij në punimet e parlamentit.
Zoti Berisha do të thirret dy herë në Prokurorinë e Posaçme. Më 23 janar, shkon për t’u marrë në pyetje. Në momentin e mbërritjes, ai pritet mes brohoritjeve të mbështetësve të tij duke deklaruar se “jam sot këtu për të denoncuar Edi Ramën, dhe grupin e organizuar kriminal në këtë ndërtesë”.
Pas afro 90 minutash ai do të dalë duke deklaruar se dyshimet e ngritura ndaj tij se duke shfrytëzuar pushtetin favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi janë vetëm “shpifje, trillime, mashtrime, falsifikime.”
Ai do të rikthehet në Prokurorinë e Posaçme në 11 shtator. I rrethuar sërish, nga mbështetës të tij, dhe nën brohoritjet e tyre ai do të deklarojë se “po shkoj të marr akuzën politike, dhe të njihem me materialet që kanë manipuluar”.
Zotit Berisha iu komunikua akuza e korrupsionit. Një muaj më pas Prokuroria e Posaçme do të dërgojë kërkesën për gjykim.
Më 21 nëntor ai do të humbasë një tjetër përballje me Drejtësinë, ndërsa Gjykata Kushtetuese, i dha të drejtë Prokurorisë së Posaçme për masën fillestare të sigurisë, lëshuar pa kërkuar autorizimin e parlamentit.
Por pak ditë më pas, më 27 nëntor, Gjykata e Posaçme do t’i heqë atij arrestin në shtëpi, një vendim të cilin ai e konsideron si një fitore, ndërsa flet para simpatizantëve të tij, të mbledhur për ta pritur në selinë e Partisë: “Sot nuk fitoi Sali Berisha. Sot ka fituar e vërteta, sot ka fituar ligji dhe kushtetuta”.
GODITJET QË TRONDITËN BASHKINË E TIRANËS
Goditjen e parë kryebashkiaku Erion Veliaj do ta marrë në fund të vitit të kaluar, kur, në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, do të arrestohej drejtori më i rëndësishëm Bashkisë Taulant Tusha.
Ndërsa në fund të muajit mars, të njejtin fat do të kenë dhe dy ish Drejtorë të tjerë të cilët dyshohet se ishin pronarët realë të kompanisë së ndërtimit, “5D” e cila kishte përfituar nga fondet publike të Bashkisë. Një urdhër i dytë arresti del dhe për Tushen, ndërsa masa më të lehta do të jepen për 4 drejtuesë apo ish drejtuesë të agjencive në varësi të Bashkisë
Zoti Veliaj do të reagojë një javë më vonë, më 6 prill: “Asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur me ta dhe askënd tjetër”, do të deklaronte ai në një mesazh të gjatë publik.
Nën akuzat e opozitës për përfshirjen e tij dhe në inceneratorin e Tiranës ai do të deklarojë se me atë projekt “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i këtij qyteti”.
Ndërkohë Partia Demokratike ka nisur protestat përpara Bashkisë për të kërkuar dorëheqjen e tij. Ato do të jenë të përjavshme e do të vijnë duke u përshkallëzuar, nga përplasjet e dhunshme te hedhja e molotovëve e djegia e gomave në javët e muajt që pasojnë, derisa fillojnë të zbehen.
Në fund të muajit prill, zoti Veliaj do të thirret në Prokurorinë e Posaçme. Pas 7 orësh, ai do të dalë i qeshur. Si për të relativizuar dhe arsyet e kohës tejet të gjatë të qëndrimit, ai do të shprehej se kishte qenë aty si bashkëpunëtor me prokurorët dhe hetuesit, të cilët madje i quajti kolegë. “Patëm një shterrim total të çështjes së inceneratorëve”. Ai do ta distancojë Bashkinë nga procesi i inceneratorëve.
Por deklaratat një ditë më pas të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, në dalje nga Prokuroria për të njejtën çështje, do të ngrenë shumë hamendësime: “Kjo është një dosje që ka bërë pis, të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet”.
Një shkresë e Prokurorisë drejtuar Bankave do të zbulojë se ndaj zoti Veliaj dhe familjarëve të tij të ngushtë po zhvillohet një hetim pasuror.
Në fillim të dhjetorit oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do t’i sekuestrojnë celularin bashkëshortes së tij, Ajola Xoxes. Kontrolle do të ushtrohen dhe në zyrat e kompanive të saj dhe të vëllait të kryebashkiakut. Të gjitha në kuadër të një procedimi penal për “Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendorë”, por që siç do mësohet më pas, nuk do të jetë e vetmja vepër penale. Zoti Veliaj do të reagojë në mbrëmje duke u shprehur se mbështet çdo hap procedurial të Prokurorisë.
Ndaj tij nuk ka një akuzë. Në ditët e fundit të vitit, më 26 dhjetor, ai do të paraqitet sërish në Prokuroinë e Posaçme. Pas 5 orësh qëndrim, ai del prej andej pa bërë komente, por do të flasë shkurtimisht pak orë më vonë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, duke deklaruar se ndaj tij ka një kallëzim anonim dhe “duke qenë se kryetari i Bashkisë ka në otërim të gjithë rregjistrin civil, dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar, kam qenë bashkëpunues”.
Të nesërmen Prokuroria e Posaçme do të bëjë të ditur, se hetimi që ka përfshirë kryebashkiakun, po kryhet dhe për veprat penale “Korrupsion aktiv”, “Pastrim parash” e “Fshehje të pasurisë”.
Pozita e tij edhe politike ka marrë tashmë tronditje të forta. Më herët, ai do të shmangej dhe nga drejtimi politik i partisë socialiste në Tiranë, si dhe do të lihej jashtë një angazhimi në vijë të parë, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
BEQAJ, JO VETËM STERILIZIMI
Nën masën Detyrim paraqitje, për rastin e konçensionit të Sterilizimit ish ministri i Shëndetësisë, do të shfaqej çdo të premte në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Ish zëvendësi i tij Klodian Rrjepaj është në burg e po ashtu dhe sipërmarrësi Ilir Rrapaj, cili zotëronte 40 përqind të aksioneve të konsorciumit që kishte fituar konçensionin. Aksione të cilat do të vihen nën sekuestër (8 shkurt) së bashku me dy kompani, automjete dhe llogari rrjedhëse të tij
Në përfundim të hetimeve, në 18 mars, zotit Beqaj do t’i komunikohet akuza për shpërdorim detyre. Ai do të deklarojë: “Unë, të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë”.
Por më parë, atij do t’i duhet të përballojë një tjetër hetim që çon në arrestimin e tij në fillim të muajit korrik, nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë. Urdhëra arresti do lëshohen dhe për disa të tjerë, mes të cilëve dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i tij.
Një muaj më pas, në 21 gusht, atij dhe personave të përfshirë në këtë çështje do u sekuestrohen llogari e depozita bankare si dhe aksione në një restorant në Tiranë. Në tetor, po ashtu do t’i sekuestrohet dhe një apartament në zonën e Lungomares në Vlorë.
Një tjetër goditje të fortë do ta marrë në ditët e fundit të vitit, kur me kërkesën e Gjykatës akuza për shpërdorim detyre, në rastin e sterilizimit do të ndryshojë në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, bashkë me Rrapajn dhe Rrjepajn
RADHA NË DYERT E SPAK
Në dyert e Prokurorisë së Posaçme nuk do të mungojnë as deputetët, ndonëse në pozita të ndryshme. Ndërsa demokrati Asllan Dogjani do të akuzohet për deklarim të rremë të pasurisë, lidhur me blerjen e një apartamenti vite më parë, kolegu i tij socialist Plarent Ndreca, do të duhet të përgjigjet në gjyq për shkeljet e procedurave të një tenderi, në kohën kur ai ishte Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
Por rasti më i rëndë do të jetë ai i socialistit tjetër Ergys Çyrbja. Fillimisht ai jep dorëheqjen në mënyrë të papritur më 10 tetor, dy ditë pasi kishte qenë në Prokurorinë e Posaçme. Të nesërmen atij i komunikohet akuza e Shpërdorimit të detyrës, kur kishte drejtuar Hipotekën e Durrësit. Por pak ditë më vonë ai do të arrestohet, nën akuza të rënda. Hetimet zbulojnë lidhje të tij me elementë të krimit të organizuar, favorizim të tyre në këmbim të votave, por jo vetëm. Falë mbështetjes së tyre ai do të katapultohej në vendet e para të listës së kandidatëve socialistë në Durrës.
Kryebashkiakë dhe ish drejtuesë Bashkisë do të zënë numrin me të madh të zyrtarëve që do të përfundojnë në dosjet e SPAK, kryesisht për shpërdorim detyre apo korrupsion. Mes tyre do të bjerë në sy dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, i cili do të vihet nën hetim, ndonëse për një çështje që nuk lidhet me detyrën e tij aktuale.
Për disa të tjerë, me llogari të hapura që një vit më parë, do të jepen dhe dënimet, si për ish kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici, në të dy shkallët e gjykimit, apo Vangjush Dakon, i cili u dënua në shkallë të parë.
Në çështjen e inceneratorëve, për rastin e Elbasani, Apeli rëndon akuzat për ish ministrin Lefter Koka dhe shpall fajtor ish deputetin Bllako. Për atë të Fierit Apeli e kthen për rigjykim me një tjetër trupë gjyqësore, ndërsa për Tiranën, përfundojnë hetimet për pjesën më të madhe të të akuzuarve. Dosja në vetvete nuk është ende e mbyllur./VOA