U zhvillua sot takimi i nivelit të lartë me praninë e ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, për procesin e thellimit të reformave të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, me temë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e reformave”
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në takimin e nivelit të lartë ”Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”, të organizuar nga Kuvendi se është përmbyllur një fazë e parë shumë e rëndësishme themelore për zbatimin e planit për integrimin europian Shqipëria 2030 në BE.
“Puna e bërë dhe dokumenti analitik prej 700 faqesh janë pjesë e gjysmës së dytë të këtij viti, ndërkohë që gjysma e parë e vitit është konsumuar me frymën e skepticizmit të dyshimeve dhe kundërshtive pa diskutim edhe të akuzave po këto janë një element që nuk dua ta përfshij”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “kundërshtitë, dyshimet hezitimet, kanë qenë shumë shqetësuese për mua personalisht, kanë qenë shqetësuese sepse ne nuk e kemi luksin të humbasim kohë për gjëra që janë të qarta për ne si drita e diellit. Por nga ana tjetër kanë qenë edhe një provë shumë kokëfortë e faktit që pjesa dërrmuese e mbështetësve të sinqertë të rrugës evropiane të Shqipërisë dhe këtu përfshi të gjithë që nga dashamirësit deri tek kritikët nuk e kanë idenë se çfarë është kjo fazë e negociatave për anëtarësimin në BE”.
“Sepse përtej asaj që duket e lexohet sipërfaqësisht kjo fazë është një fazë marramendëse sa i përket detyrave konkrete që duhet të kryejë Republika e Shqipërisë, jo qeveria thjesht i gjithë sistemi shtetëror i Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se “gjashtë muaj në ndërkohë që ambicia jonë të anëtarësojmë Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade shtuar këtu edhe planin e dakordësuar shumë agresiv së bashku me Komisionin Evropian që Shqipëria t’i përfundojë të gjitha detyrat brenda vitit 2027 na i bëjnë të pamundur të jetojmë qetësisht me skepticizmat dyshimet, dhe lëre pastaj me akuzat apo edhe me përpjekjet për ta penguar procesin”.
“Natyrisht u gjet një fjalë magjike e ditëve tona që 6 muaj të shkonin dëm. Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë një plan të errët për të bllokuar SPAK-un dhe për të kthyer përmbys reformën në drejtësi, prandaj bëjnë mbledhje sekrete me një grup njerëzish në PS dhe po thurin njëkomplot dhe natyrisht kur përmend SPAK dhe drejtësinë ka shumë sensibilitet dhe shumë forca që angazhohen për të dalë menjëherë në mbrojtje”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se nuk mund ta evitonte këtë çështje pasi do t’i kujtojë të gjithëve duke filluar nga aleatët strategjikë e duke vazhduar me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces si ekspertë të shoqërisë civile që u përballën me akuza dhe dëgjuan gjëra që nuk i kishin imagjinuar se do t’i dëgjonin.
“Por nga ana tjetër, çfarë nuk të vret të forcon dhe konsiderojini akuzat si hudhra që do të pengojnë syrin e keq që do u marri mësysh dhe duke vazhduar me të gjithë të tjerët që PS e Shqipërisë, forca që qeveris vendin prej vitit 2013 është forca udhëheqëse e reformës në drejtësi”, tha Rama.
“Pa forcën udhëheqëse të reformës në drejtësi dhe bindjen absolute dhe vullnetin e hekurt të PS jo Amerika, jo Europa, por të gjithë të tjerët të bëheshin bashkë nuk do ta kishin bërë të mundur reformën në drejtësi. Pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë kjo reformë do të kishte pasur një rrugë komplet tjetër dhe do të ishte e pamundur. Ne nuk kemi kohë as për të humbur as për të pritur ata”, tha Rama
Fjala e plotë e Kryeministrit Rama
Mirëmbrëma të gjithëve! Fatmiri, kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar që është dhe sebepi i këtij takimi të niveli të lartë, me praninë e të gjitha shkëlqesive të qytetit tha që ky është një proces që ka filluar një vit më parë dhe unë dua ta rimarr këtë konstatim korrekt për sa i përket fillimit të procesit për të thënë që puna e bërë dhe dokumenti analitik prej rreth 700 faqesh janë pjesë e gjysmës së dytë të këtij viti. Ndërkohë që gjysma e parë e vitit është konsumuar me frymën e skepticizmit, të dyshimeve dhe të kundërshtive pa diskutim pastaj edhe të akuzave, po ato janë një element që nuk dua ta përfshij këtu lidhur me pikërisht këtë, që ne sot jemi këtu për të diskutuar pasi është përmbyllur një fazë e parë shumë e rëndësishme themelore për këtë proces dhe kundërshtitë, dyshimet, hezitimet kanë qenë vërtetë shumë shqetësuese për mua personalisht. Kanë qenë shqetësuese sepse ne nuk e kemi luksin të humbasim kohë për gjëra që janë të qarta për ne si drita e diellit, por nga ana tjetër kanë qenë edhe një provë shumë kokëfortë e faktit që pjesa dërrmuese e mbështetësve të sinqertë të rrugës europiane të Shqipërisë dhe këtu përfshij të gjithë që nga dashamirësit deri tek kritikët, nuk e kanë idenë se çfarë është kjo fazë e negociatave për anëtarësimin në BE. Fare! Sepse përtej asaj që duket dhe asaj që lexohet sipërfaqësisht kjo fazë është një fazë marramendëse përsa i përket detyrave konkrete që duhet të kryejë Republika e Shqipërisë, jo qeveria thjeshtë, por Republika e Shqipërisë, i gjithë sistemi shtetëror i Republikës së Shqipërisë. Dhe 6 muaj, në ndërkohë që ambicia jonë është të anëtarësojmë Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade, shtuar këtu dhe plani i dakordësuar shumë agresiv së bashku me Komisionin Europian që Shqipërinë ti përfundojë të gjitha detyrat brenda vitit 2027, na e bëjnë të pamundur të jetojmë qetësisht me skepticizmat, dyshimet, ngurrimet dhe lëre pastaj me akuzat apo edhe me përpjekjet për ta penguar procesin.
Natyrisht u gjet një fjalë magjike e ditëve tona që 6 muaj të shkonin dem. Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë një plan të errët për të bllokuar SPAK-un dhe për të kthyer përmbys reformën në drejtësi, prandaj bëjnë mbledhje sekrete me një grup njerëzish në Partinë Socialiste dhe po thurin një komplot. Dhe natyrisht që kur përmend SPAK-un dhe kur përmend drejtësinë ka shumë sensibilitet dhe ka shumë forca që angazhohen për të dalë menjëherë në mbrojtje dhe unë nuk e kisha të mundur ta evitoja këtë çështje këtu sepse dua tua u kujtoj të gjithëve, duke filluar nga miqtë tanë të paçmuar aleatët tanë strategjik, duke vazhduar me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë proces si ekspertë të shoqërisë civile dhe që i falënderoj përzemërsisht dhe iu them mirë se vini në klubin tonë të gjithë atyre që hëngrën të shara dhe u përballën me akuza dhe dëgjuan gjëra që nuk e kishin imagjinuar që do i dëgjonin, por nga ana tjetër, mos kini asnjë merak se çfarë nuk të vret të forcon dhe konsiderojini akuzat si hudhra që do ju pengojnë syrin e keq që t’ju marri sysh. Dhe duke vazhduar pastaj me gjithë të tjerët që Partia Socialiste e Shqipërisë, forca që qeveris vendin prej vitit 2013 është forca udhëheqëse e reformës në drejtësi dhe pa forcën udhëheqëse të reformës në drejtësi dhe pa bindjen absolute dhe vullnetin e hekurt të Partisë Socialiste, jo Amerika, jo Europa, por të gjithë të tjerët të bëheshin bashkë nuk do ta kishin bërë dot të mundur reformën në drejtësi.
Thënë kjo, pa diskutim që pa mbështetjen e aleateve tanë strategjikë, kjo reformë do të kishte pasur një rrugë komplet tjetër dhe do të ishte e pamundur, por kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë sepse e përsëris, ne nuk kemi kohë as për të humbur as për të pritur ata që kanë një agjendë tjetër dhe që kanë plan tjetër dhe që nuk iu intereson anëtarësimi në BE qoftë dhe për arsyen e thjeshtë se duan ta bëjnë vetë. Pa hyrë në të tjera gjëra.
Duke u kthyer tek koha dhe duke u kthyer tek arsyeja themelore e krijimit të këtij Komisioni, në 700 faqe të analizës sot që flasim nuk ka asnjë fjalë për drejtësinë dhe për pushtetin gjyqësor por ju them që, që Shqipëria të anëtarësohet në BE duhet të performojnë me të njëjtën shpejtësi, duhet të performojnë me të njëjtën bindje dhe duhet të performojnë me të njëjtin efikasitet 157 institucione të Republikës së Shqipërisë, të cilat kanë detyra specifike dhe 32 prej të cilave në këtë proces të negociatave që ka të bëjë me kapitullin e themeloreve nuk kanë asnjë varësi nga qeveria. Zero! Qeveria e Republikës së Shqipërisë as mund t’iu thotë çfarë duhet të bëjnë, as mund të kërkojë prej tyre llogari pse nuk e bëjnë këtë. Mirëpo në tryezën e negociatave Bashkimi Europian nuk negocion me qeverinë. Bashkimi Europian negocion me Shqipërinë. Qeveria ka pjesën e saj gjyqësori ka pjesën e e vet dhe të gjitha insitucionet e tjera, autoritete, agjenci, e me radhë kanë pjesën e tyre. Dhe pyetja është shumë e thjeshtë, nëse ne duam që 855 masa, të cilat lidhen me shtetin e së drejtës, ku 59 % të detyrave i ka pushteti gjyqësor dhe i kanë institucionet e drejtësisë, Republika e Shqipërisë t’i realizojë me sukses, këtu nuk mund të diskutojmë fare, por duhet që të gjithë të biem dakord që duhet të koordinohemi dhe të harmonizojmë veprimtarinë e shtetit shqiptar, në mënyrë që avancimi ynë drejt përfundimit të negociatave të jetë uniform se nuk ka asnjë rëndësi, nëqoftëse shoqëria avancon dhe bën të vetat apo një pjesë tjetër avancon dhe bën të vetat, dhe një pjesë tjetër nuk i bën të vetat në mënyrën dhe në kohën e duhur. Dhe pyetja që lind këtu është shumë e thjeshtë: cili është vendi dhe cili është institucioni në këtë Republikë që mund t’i mbledhë të gjithë rreth këtij misioni dhe që mund të sigurojë që qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të cilëve iu shërbejnë të gjitha këto institucione, të jenë të garantuar që asnjë institucin nuk i tradhëton në pritshmërinë e tyre për ta parë Shqipërinë anëtare të BE? Ka vetëm një institucion që mund ta bëjë këtë dhe nuk ka asnjë tjetër dhe ky institucion është Kuvendi i Shqipërisë, i cili është për natyrën e vet kushtetuese, i vetmi institucion që ka të drejtën dhe detyrën t’i thërrasë të gjithë, edhe madje, në procesin e vet të natyrshëm, t’u kërkojë dhe hesap dhe të bëjë edhe rezoluta, të ngrejë dhe probleme, të nxjerrë dhe pretendime e t’u kërkojë dhe llogari.
Kështu është funksioni. Atëherë ky është institucioni që mund të garantojë që procesi është i harmonizuar, procesi është transparent dhe procesi ka edhe elementin llogaridhënës të të gjithë insitucioneve. Shqipëria është një republikë që ka tre pushtete të pavarura nga njëri-tjetri; legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, por të tre këto pushtete kanë detyrimin të ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe pastaj në këtë proces duhet të udhëhiqen nga sensi i misionit kombëtar, të harmonizimit të të gjithë forcave për të arritur rezultatet.
Në këto masa, reforma në drejtësi, paprekshmërinë e së cilës, sot, nuk e garanton as Ambasada Amerikane, nuk e garanton as Ambasada e BE, nuk e garanton asnjë ambasadë tjetër në Republikën e Shqipërisë, por e garanton Partia Socialiste e Shqipërisë, që është forca e shumicës qeverisëse në këto 855 masa, ka 41 masa që duhet të kryhen, që do të thotë që edhe aty, jo se e themi ne, por sepse e thotë deyrimi që kemi nëse duam të bëhemi anëtarë të BE, do të duhet të ndërhyhet. Natyrisht, tani duke thënë që paprekshmërinë e reformës në drejtësi e garanton sot për sot, kjo forcë që qeveris vendin dhe që është shumicë, që do të ishte mirë ta garantonte në fakt tërësia e forcave politike që janë sot kuvendin e Shqipërisë, por që nuk kanë në fakt të njëjtin mendim për paprekshmërinë e vendit në drejtësi, duhet të them dhe tjetrën, që çdo prekje e reformës në drejtësi në funksion të adaptimit dhe të përmirësimit përsa i përket detyrave të anëtarësimit, duhet të kalojë përmes BE dhe patjetër edhe SHBA.
Kështu ka funksionuar kur është bërë reforma në drejtësi dhe kështu do të funksionojë edhe më pas sepse nuk e kemi dhe është e kotë që të përpiqemi ta kërkojmë një hapësirë politike të bashkuar në këtë pikë.
Nuk e kemi. Thjesht fare. Unë e kuptoj shumë mirë Silvion kur thotë “të gjitha forcat”. Kështu duhet të jetë, por ama kemi pamundësinë sot për të pasur një mendje për reformën në drejtësi dhe për të pasur një mendje për organet e reja të drejtësisë, e kemi të pamundur, sepse ka dy qasje komplet të kundërta.
Mirëpo, nga ana tjetër kemi një fat shumë të madh që është fati i Shqipërisë dhe është fati i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndryshe nga fati i atyre vendeve që hyjnë në ëndrrën e demokracisë në kushte të ngjashme ekonomike dhe politike dhe që nuk e arritën dot demokracinë, por përkundrazi, përfunduan më keq sesa kur e nisën, si Afganistani për shembull. Dhe ky fat quhet Bashkimi Evropian. Në mes të Evropës, BE është fati ynë shumë i madh për të pasur një vend ku liria individuale,liritë individuale, rendi ligjor dhe institucionet demokratike janë të garantuara.
Në këtë aspekt, besoj shumë që puna e këtij komisioni është themelore dhe jo vetëm që ky komision duhet të mbështetet me të gjitha fuqitë dhe duhet të çojë përpara punën e vet, por ne duhet që këtë komision më tutje ta transformojmë në një mekanizëm permanent të Kuvendit të Shqipërisë për të ndjekur të gjithë procesin deri në anëtarsimin në BE dhe për të bërë të mundur që përmes këtij mekanizmi, të gjitha institucionet që janë të përfshira, siç e thashë, në këtë proces, të performojnë në lartësinë e ambicies që ne kemi shpallur, që është “Shqipëria anëtare në BE në 2030’’, përndryshe ne nuk e arrijmë dot këtë. Është e pamundur. Volumi i detyrave që duhen bërë, është i jashtëzakonshëm dhe BE nuk fal asgjë, nuk dhuron asgjë. Kur vjen puna tek standardet dhe tek kriteret që duhet të pltosojë një shtet, nuk ka as gjeopolitikë, as luftë, as kriza të çfarëdo natyre që mund ta bëjë bashkimin Europian të thotë “meqë po ndodhin këto gjërat e tjera hajt ti mbyllim sytë për këto gjëra”. Kjo është kaq e vërtetë saqë dhe Ukraina që ka gjithë mbështetje kolosale kur vjen puna te hapat për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian do bëjë çdo detyrë një për një dhe nuk do të bëhet dot anëtare e Bashkimit Europian në rast se nuk do t’i kryej të gjitha detyrat ashtu siç i kërkojnë kriteret dhe standardet e Bashkimit Europian dhe këtu unë vijë te ajo që Silvio me zemërgjerësi citoi, që po, kjo është arsyeja se pse ky proces është një bekim, për të ndërtuar Europën këtu. Kjo është arsyeja pse është fat që jemi në qendër të Europës dhe nuk jemi në Afganistan sepse kemi siç ka Komisioni i Posaçëm një tërësi ekspertesh që sjellin aty dijen e tyre për një fushë, për një fushë, për një fushë dhe japin dokumentit të përbashkët vlerën e plotë të dijes që ka vendi sot në këtë moment një burim dije për mënyrën si ndërtohet shteti i të drejtës që nuk e ka askush dhe nuk gjendet askund tjetër në Bashkimin Europian dhe kjo na jep ne mundësinë që jo vetëm ta ëndërrojmë shtetin e së drejtës, po edhe ta ndërtojmë shtetin e së drejtës.
Ne mund të donim ta bënim, mund të kenë dashur ta bëjnë edhe në Afganistan reformën në drejtësi, por nuk mjafton vetëm të duash ta bësh, duhet dhe të dish ta bësh dhe tek dija, një vend si i yni me një traditë mizerabël, në pikërisht raport me drejtësinë ku që nga viti 1912 që është ngritur flamuri dhe është shpallur shtet nuk kanë ngritur dot një akuzë të vetme për një njeri të pushtetshëm, nga një prokuror dhe një gjykatës i pavarur, mund ta marrim falë Bashkimit Europian që është pikërisht banka e dijes lidhur me si ndërtohet një jetë e tërë institucionale e një vendi.
Thënë të gjitha këto duan të prek një pikë tjetër. Sot dhe e thotë Bashkimi Europain nuk e them unë, Shqipëria është vendi i parë, në vendin e parë në rajon për prokurimet publike nga pikëpamja e efiçencës, e transparencës dhe e integritetit të prokurimeve publike dhe për të arritur në këtë konkluzion Bashkimi Europian që nuk është gazetë gjermane po është një institucion me lupë, përdor një instrument që deri më sot nuk është kontestuar kurrë, ekspertësh që analizojnë vendet, është i njëjti instrument që është përdorur dhe më parë, kemi qenë po ne në qeveri dhe nuk i ka thënë këto që thotë sot, ka thënë gjëra shumë më pak të kënaqshme.
Shqipëria është e para dhe prokurimet publike janë një fushë që hyjnë te kapitulli i Themeloreve për të cilët deri në momentin e anëtarësimit, Bashkimi Europian nuk na ka vendosur piketa të ndërmjetme. Që do të thotë sistemin tonë të prokurimeve publike e konsideron një sistem, sot që flasim, europian. Sado e çuditshme nuk t’i duket sot atyre që e fillojnë ditën me korrupsionin, e vazhdojnë ditën me korrupsionin, e mbarojnë ditën me korrupsionin dhe 1 në 3 fjalë, kanë fjalën korrupsion dhe që e barazojnë Shqipërinë me fjalën korrupsion, pa as menduar 2 herë dhe këtu s’flas për ata që ngrenë akuza në rrugë, flas edhe për atë që na e duan të mirën. Është e drejtë kjo? Si mund të bashkohen këto të dyja? Unë mendoj që ky fakt, si dhe një fakt tjetër, pastrimi i parave, pastrimi parave, paraja e zezë, çdo gjë këtu është para e zezë, del Indeksi i Bazelit që nuk është gazetë gjermane apo emision skandalesh italiane dhe thotë që, Shqipëria ka bërë në luftën kundër pastrimit të parave një progres ku në tabelën e klasifikimit për çudi janë nja 7 a 8 vende që janë në Bashkimin Europian, nën Shqipërinë- dhe e thonë ata. Dhe qoftë prokurimet publike, qoftë për këtë të dytën unë si kryeministër dhe ne që jemi në qeveri e dimë shumë mirë se ku bazohen ata që e thonë se ne i referohemi fakteve jo perceptimeve. Por që natyrisht perceptimet janë po kaq të rëndësishme sa faktet në fund të ditës dhe për këtë arsye ne duhet të luftojmë me perceptimet, por nuk mund të luftojmë me faktet.
Tani vij tek pjesa pse ne u hodhëm të parët dhe thamë duhet një dallgë e re reformash, pse ne u hodhëm të parët dhe thamë duhet një komisionin i posaçëm, se fare mirë mund të thoshin, po mirë ja i kemi këto detyrat e Bashkimit Europain janë të shkruara, hajt se po i bëjmë. Pikërisht për arsyen që tha në një mënyrë tjetër zonja që foli si eksperte, sepse ne e mësuam që ky është një proces ku nuk ka rëndësi fare, ose ka rëndësi në mënyrë relative çfarë dimë ne dhe çfarë bëjmë ne. Po nuk e ditën dhe tjetër dhe po nuk e bënë edhe të tjerët ne nuk e realizojmë dot këtë Shqipërinë e 2030 anëtare në Bashkimin Europain dhe për këtë arsye, përfshirja e të gjithë këtyre ekspertëve dhe gjithë këtyre organizatave të shoqërisë civile me gjithë koston që morëm, po në fund të fundit, dua t’iu them edhe një gjë tjetër juve të shoqërisë civile, që fjala shoqëri civile dhe fjala rehati në një cep ku nuk të shef njeri nuk shkojnë me njëra tjetrën dhe madje, madje, shoqëria civile për këtë arsye shihet nga të gjitha diktaturat dhe autokracitë si armiku më i madh në këtë territor sepse përballen, kështu që në këtë aspekt duhet ta merrni edhe atë që thashë dhe që tha zonja më parë që disa prej jush u goditën si një medalje që konfirmon që ju jeni shoqëri civile dhe përfshirja e shoqërisë civile është themelore në këtë proces, themelore për të arritur këto që themi dhe ne u hodhëm të parët, siç u hodhëm të parët kur bëmë reformën në drejtësi. Ambasada amerikane ka qenë këtu që në ‘91 dhe që ‘91 Shtet e Bashkuara kanë dashur që këtu të luftohet korrupsioni, që këtu të ketë drejtësi të pavarur, që këtu duhet të jetë vendi ku nuk ka të pandëshkueshëm.
Ambasada e Bashkimit Europian ka ardhur pak më vonë mos gabohem, po e njëjta gjë. Pse nuk e sollën me aeroplan ose me aeroplan mbajtëse se i kanë të dyja këto nga Amerika ose Brukseli, reformën në drejtësi më përpara? Sepse duhet të hidhej dikush dhe të thoshte ne do të hidhemi tani dhe ti hyjmë detit në këmbë dhe do të synojmë që ky vend të ketë një drejtësi ku pushteti politik nuk mund dot të ndërhyjë, edhe po të dojë dhe ne nuk e arrijmë dot Bashkimin Europian nëqoftëse në këtë vend, ata që janë të lidhur me pushtetin politik, qoftë të lidhur me pushtetin ekzekutiv të radhës, qofshin me të kaluarin e qofshin me të nesërmin, të jenë të ndëshkueshëm, në rast se janë për t’u ndëshkuar. Ky është fakti, madje, që ta themi të gjithën, të njëjtën situatë si përpara ndërtimit të komisionit, 6 muaj për të bindur të gjithë “Shiko, ne nuk mund të jemi këtu që bëjmë komplote kundër një krijese që ne u bëmë copash për ta sjellë në jetë”.
Kemi pasur edhe kur donim të bënim reformën në drejtësi. Ky është fakt sepse që të reformosh një vend duhet të jesh një forcë që e nxjerr ai vend. Nuk reformohet asnjë vend, sado miq e dashamirës të ketë, nëse forcat e brendshme nuk duan ta reformojnë, nuk munden ta refromojnë etj etj.
Pasi i thashë të gjitha këto, dua të them tjetrën. Ne u hodhëm këtu në këtë process sepse ne jemi shumë të vetëdijshëm që mangësitë, boshllëqet, problemet që ka Shqipëria sot nën qeverisjen tone, janë më të mëdha sesa ato që gabimisht i tregojnë si probleme ata që na akuzojnë ne, por ne e masim madhësinë e problemeve dhe të metave tona me Bashkimin Europian dhe e shohim që është një hendek për t’u mbyllur që nuk është i vogël.
Thashë për prokurimet publike, por ne nuk rrimë, por përkundrazi, po punojmë aktualisht që prokurimet publike t’i çojmë në një nivel tjetër përmes Inteligjencës Artificiale dhe integritetin e procesit të prokurimeve publike ta bëjmë aq të fortë saqë dhe vendet e Bashkimit Europian të duan që ta marrin modelin tonë dhe ta implementojnë sepse teknologjia ta jep këtë mundësi.
Pashë dhe Eurobarometrin që kishte bërë një update, një anketim për perceptimin e korrupsionit nga popujt e Bashkimit Europian dhe ishin një numër i madh popujsh në Bashkimin Europian që kishin idenë që qeveritë e tyre dhe vendet e tyre ishin shumë më të korruptuara sesa ç’mendon populli shqiptar për qeverinë dhe për vendin tonë.
Teknologjia na jep mundësinë që ne të bëjmë kapërcime, të cilat luftojnë me perceptimin sepse natyrisht që ky perceptim lidhet me shumë gjëra, por jo me faktet dhe me të gjitha faktet. Kjo është e vërteta. Ashtu sikundër ne po përgatisim, – Adea me mbështetjen e të gjithëve ne – po përgatisim dhe së shpejti do ta prezantojmë një faqe të Shqipërisë transparente, e cila do të jetë një risi për nga pikëpamja e hedhjes në dritë të të gjithë aktivitetit të çdo gjëje që ndodh dhe që bëhet dhe të çdo qindarke që prokurohet apo që shpenzohet në Republikën e Shqipërisë, përsa na takon ne si pushtet ekzekutiv sepse jemi të vetëdijshëm që gjërat për t’u bërë janë shumë.
Dhe në fund fare dua të sjell edhe dy gjëra, Instituti Bertelsmann nuk është akademia “Qemal Stafa”. Është një institut gjerman që është një nga 8 burimet më serioze që përdoren deri nga indeksi i Transparence International. Nuk po e citoj të gjithin sepse edhe mua vetë kur e citoj kam frikë se më duket sikur e ekzagjeroj, por po them vetëm këtë, citim i raportit të fundit që lidhet me mirëqeverisjen, që lidhet me antikorrupsionin, që lidhet me sundimin e ligjit “Një nga 8 shtetet, ndër 137 shtete që që ndjek Instituti me progres substancial në dekadën e fundit është Republic of Albania dhe të gjitha këto duan të thonë që ne mund ta arrijmë këtë. I kemi të gjitha mundësinë ta arrijmë, por që ta arrijmë këtë, ne duhet të bashkojmë të gjitha forcat e bashkueshme. Forca të pabashkueshme ne nuk bashkojmë dot. Nëse forcat e pabashkueshme duan të na bashkohen, ne, ne i presim me krahët hapur. Edhe Komisioni i cili është votuar nga Kuvendi si komision gjthëpërfshirës, i ka vendet aty bosh për ata, të cilët mund të vijnë të ulen në çdo sekondë dhe të jenë plotësisht të mirëpritur, por nuk ka shans që të ketë këtu të paktën përsa kohë unë do të jem nën drejtimin e kësaj qeverie dhe përsa kohë Partia Socialiste do ta udhëheqë këtë vend që duke thënë “Në nuk vij të ulem” të na pengojë ne që të vazhdojmë të shkojmë përpara.
Ne nuk do të presim askënd sepse nuk mund ta presim dot.
Në rastin më të keq ne do të presim partnerët tanë kur nuk janë të bindur që ne nuk jemi duke fshehur ndonjë gjë.
Këtë do ta bëjmë sepse i kemi miq në shtëpinë tonë dhe ju e dini që mikut nuk i prishet kurrë, por forcë tjetër ne nuk presim. E di që ky është problem, e di që ky është një minus dhe është korrekte dhe ajo që u përmend këtu dhe ajo që përmendet vazhdimisht “Klima politike, bashkëpunimi i forcave politike” është shumë korrekt, por midis dy zgjedhjeve që ne të presim bashkëpunim që ne e dimë që nuk do të ndodhë deri kur do të ndodhë dhe që të humbasim kohë dhe ndërkohë ne të fitojmë çdo minutë dhe gjithmonë të gatshëm për çdo bashkëpunim, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë dhe kjo është zgjedhja jonë; të vazhdojmë të thellojmë të gjitha reformat, të thellojmë dhe ta bëjmë të pakthyeshme ndarjen mes pushteteve, të thellojmë dhe ta bëjmë të pakthyeshme rrugën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që është një luftë e të gjithë shtetit, jo thjeshtë e një, dy, tre institucioneve, të garantojmë pavarësinë dhe pakthyeshmërinë e pavarësisë të institucioneve të drejtësisë dhe të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian, e pastaj me siguri mendje më të ndritura, të rinj më të urtë se unë, që nuk jam më aq i ri por nuk urtësohem dot aq sa do të duhej, do të bëjnë më të mirën dhe Shqipëria do të bëhet vendi ku qeveria dhe opozita do të jetojnë të lumtur, por deri atëherë ne duhet të futemi në Bashkimin Europian.
Faleminderit.
/Argumentum.al