Policia e Shtetit deklaroi se “ka dëbuar” Harun Çelik, 42 vjeç, me profesion mësues, i cili u arrestua pesë muaj më parë në tentativë për të ikur në Kanada. Zyra e kryeministrit deklaroi se kjo është një “çështje e policisë” pa lidhje me kryeministrin.
Shqipëria urdhëroi dëbimin për herë të parë të një anëtari të lëvizjes Gulen në Turqinë e Erdoganit mbrëmjen e së Mërkurës më 1 janar 2020, duke ngritur shqetësime për dhunim të të drejtave themelore të njeriut.Rrjetet sociale shpërthyen mbrëmjen e së mërkurës duke dhënë lajmin për dërgimin e Harun Çelik* drejt aeroportit të Rinasit ndërsa një orë më vonë, zëdhënësi i Policisë së Shtetit Gentjan Mullai i konfirmoi BIRN se personi në fjalë “është dëbuar nga vendi”.
“Personi ka qenë në burg pasi është kapur nga policia kufitare e Rinasit me dokumente false. Në zbatim të ligjit “për të Huajt” do [të] dëbohet,” tha Mullai.
Zyra e Kryeministrit Edi Rama tha e pyetur nga BIRN se “dënimi është një çështje procedurash ligjore që nuk ka lidhje me kryeministrin”.
Shqipëria i bashkohet në këtë mënyrë një numri të vogël shtetesh që i binden kërkesës së presidentit të Turqisë Recep Taip Erdogan për të dërguar në Turqi për përndjekje penale çdo person të lidhur me lëvizjen globale Gulen, të cilën ai e akuzon si organizatore të grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016.
Në shkurt 2015, Kosova dëboi pesë shtetas të kërkuar nga Turqia duke shkaktuar zemërim ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga BE dhe SHBA për shkelje të procesit të rregullt ligjor dhe dhunim të të drejtave themelore të njeriut.
Kryeministri Ramush Haradinaj në atë rast shkarkoi kreun e shërbimeve sekrete të vendit si dhe ministrin e Brendshëm duke pretenduar se nuk kishte pasur dijeni për dëbimin.
Eurodeputetja Ramona Strugariu reagoi menjëherë duke kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter.
Prime Minister Edi Rama, Albania signed the CoE Convention on extradition. Moreover, you say Albania is ready for the EU. Then please follow art.19, al. 2 EU Charter of Fundamental Rights and do not extradite #HarunÇelik to Turkey!@Europarl_EN @AlMissionEU
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.
Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese”./BIRN
Marrë me shkurtime nga BIRN