Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit, duke theksuar se një konflikt i tillë sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dënoi sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Në një deklaratë të postuar sot në “X”, Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë kundër veprimeve që kërcënojnë paqen dhe sigurinë.
Kreu i Shtetit bën të ditur se Shqipëria shpreson në shmangien e këtij konflikti, ndërsa thekson edhe pasojat në një shkallë më të gjerë që mund të shkaktojë përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme:”Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedent të Iranit ndaj Izraelit dhe përcjell shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme, si dhe të ketë pasoja të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë.”
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit.
“Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme”, u shpreh Hasani.
“Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”, vijoi ministri i Jashtëm.
Më herët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se është në komunikim të pandërprerë me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael si edhe me të gjithë shtetasit shqiptarë, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Izrael.
“U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase”, u shpreh MEPJ duke vendosur në dispozicion edhe numrat e kontaktit.
Kryeministri Edi Rama
Kryeministri Edi Rama dënoi sot fuqimisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit duke theksuar se ky sulm përbën rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme
“Shqipëria dënon fuqimisht sulmin e paprecedent të ndërmarrë nga Irani kundër Izraelit që përbën rrezik për të destabilizuar rajonin në mënyrë të pakthyeshme”, shkroi Rama në rrjetin social “X”.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin e Izraelit dhe mbështesim përpjekjet e partnerëve tanë drejt depërshkallëzimit”, u shpreh Rama.
“Shqipëria kërkon vetëpërmbajtjen e palëve dhe thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza, duke u siguruar që të gjithë pengjet të kthehen të sigurt në shtëpi”, përfundoi Rama.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dënoi sot me forcë sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit.
Ai u shpreh se Shqipëria ndodhet në krah të aleatve dhe partnerëve kundër përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme.
“Mbështesim të gjitha përpjekjet për paqe, në rajonin tashmë të nxehtë që prej tetorit të vitit të kaluar”, tha Peleshi në një postim në rrjetet sociale.
Irani, natën mes 13 dhe 14 prillit, lëshoi qindra dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri më 1 prill.
Ndonëse Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.
Izraeli tha se rreth 300 dronë dhe raketa u hodhën nga Irani, ndërsa disa të tjera edhe nga Iraku dhe Jemeni.
Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.
/Argumentum.al