Shënohet 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë
Marrëdhëniet diplomatike të vendit tonë me Azerbajxhanin janë vendosur më 22 shtator 1993. Me Azerbajxhanin, vërehet një tendencë gjithnjë në rritje e kontakteve politike, sidomos këto vitet e fundit.
Marrëdhënie dypalëshe miqësore ndërmjet dy vendeve janë të bazuara në besim dhe respekt të ndërsjellë.
Vlen të përmendet vizita zyrtare e Kryeministrit Shqiptar z. Edi Rama në Baku, më datë 14 prill 2022. Në këtë vizitë në mënyrë të veçantë, energjia dhe turizmi u identifikuan si sektorët më potencial për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Qeveria shqiptare ka hequr vizat për qëndrim afatshkurtër për qytetarët azerë që nga viti 2011, një veprim i ndërmarrë nga vendi ynë i cili shpreh vullnetin tonë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
Sipas VKM-së nr.858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në republikën e Shqipërisë”, Azerbajxhani është në listën e e shteteve, shtetasit e të cilëve hyjnë pa vizë në Republikën e Shqipërisë, për qëndrim afatrshkurtër.
Janë 8 marrëveshje të nënshkruara dhe janë në proces disa të tjera. Interes gjithnjë në rritje gjatë intensifikimit të bashkëpunimit ka pasur nё fushёn e ekonomisё, veçanërisht në sferën e energjetikës. Bashkëpunimi në sektorin e energjisë konsiderohet si një nga fushat më të rëndësishme të marrëdhënieve tona ekonomike. Përfundimi i punimeve të gazsjellësit TAP është një rëndësie strategjike për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë. Shqipëria është e interesuar për një pjesëmarrje active të Azerbaixhanit në zhvillimin e infrastrukturës energjitike në vend dhe i kushton një vëmendje të vecantë implementimit të Memorandumit mbi Planin e Përgjithshëm të Gazifikimit të Shqipërisë, të nënshkruar midis dy vendeve.
Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse për integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe për zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zhvillime pozitive në dialogun mes palëve ndodhën gjatë Kryesimit Shqiptar të OSBE-së”. (Deklarata trepalëshe e nënshkruar më 10 nëntor 2020 midis Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë).
Vizita e Presidentit Ilham Aliyev në Shqipëri është e para në historinë e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, hapi faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet marrëveshjet specifike të arritura. Madje vendimi i marrë nga (Milli Meclis) Parlamenti i Azerbajxhanit për të hapur një ambasadë në Shqipëri tre ditë pas vizitës se Presidentit Aliyev, është një tjetër dëshmi e synimeve serioze të Bakut për zhvillimin e një bashkëpunimi afatgjatë dhe me përfitim reciprok me Shqipërinë”,
Gjithashtu në kuadër të 30-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Azerbajxhan, Presidenti Bajram Begaj me ftesë të homologut të tij Ilham Aliyev zhvilloi një vizitë shtetërore në Baku. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Aliyev njoftoi se grupet e punës mes dy vendeve kanë nisur procedurat e para për të studiuar mundësitë e ndërtimit të një rrjeti shpërndarës të gazit në Shqipëri.
“Grupet e punës do të bëjnë një studim fizibiliteti e pastaj do të vijojmë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit. Kemi diskutuar se si mund të zhvillojmë infrastrukturën tonë nga Shqipëria në vendet tona fqinje. Jam i kënaqur që kemi ambasadën tonë në Tiranë”, tha Aliyev.
Kjo deklaratë e gjeti mbështetjen e Kreut të Shtetit, Bajram Begaj, sipas të cilit ky projekt do të sjellë përfitime për Shqipërinë, njësoj si ai i TAP-it: “Risolla në vëmendjen e tij disa nga hapat e suksesshme për afrimin mes dy vendeve. Shqipëria dhe Azerbajxhani janë të lidhura ngushtësisht në kuadrin energjetik. Përftimet e Shqipërisë nga TAP kanë qenë të shumta. Gazsjellësi adriatiko-jonian do të kontribuojë edhe më tej në rajon. Shqipëria është vend tranzit i gazit dhe ky është realitet tashmë”.
Hapja e ambasadave mes dy vendeve vitin e kaluar, sipas dy presidentëve, shënoi një pikë të rëndësishme të marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Azerbajxhan.
/Argumentum.al