Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe operatori i Malit të Zi (CGES) do të bashkëpunojnë për realizimin e përbashkët të planifikimit dhe zhvillimit të dy projekteve të rëndësishme të linjave të interkoneksionit mes dy vendeve.
Administratori i OST-së, Skerdi Drenova si dhe homologu malazez Vladimir Bojicic nënshkruan sot në Tiranë memorandumin e mirëkuptimit.
Ndër projektet që palët angazhohen të bashkëpunojnë janë ai i rehabilitimit të linjës së interkoneksionit ekzistuese 220 kV Vau Dejës – Koplik – Podgoricë me gjatësi totale rreth 160 km, projekt i cili konsiston në rindërtimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të kësaj linje me qëllim rritjen e kapacitetit transmetues të saj.
Po ashtu, për projektin e linjës së re të interkoneksionit 110 kV Ulqin-Velipojë, me gjatësi totale rreth 16 km.
“Nëpërmjet këtyre investimeve krijohet një korridor shtesë për transmetimin e energjisë elektrike mes dy vendeve dhe rritet ndjeshëm siguria dhe cilësia e furnizimit me energji e rajonit të Veriut duke shfrytëzuar plotësisht edhe potencialin turistik të zonës”, bën të ditur OST.